Kur gjithçka kalon në zhgënjim (Sali Bytyçi, “Ne Moçalin e Shurrakëve”)

0
790

Kosovare Krasniqi

Kur gjithçka kalon në zhgënjim

(Sali Bytyçi, “Ne Moçalin e Shurrakëve”)

Hyrje

Për poezinë e poetit Sali Bytyçi kam shkruar edhe më herët. Edhe vëllimi i katërt me radhë i tij “Në Moçalin e ….” nuk është i panjohur për mua. I kam lexuar poezitë e këtij vëllimi edhe më parë dhe vazhdoj t’i lexoj ende. Poeti përmes poezive të tij godet pamëshirë të keqën dhe përmes vargjeve të tij nxjerr në dritë përditshmërinë e jetës në Kosovë.

Ne si lexues kur lexojmë poezi gjithnjë kemi dëshirë të lexojmë poezi që na ëmbëlsojnë dhe qetësojnë shpirtin. Por në këtë rast ne nuk e kemi një privilegj të tillë çfarë e kishim në vëllimin paraprak të poetit Sali Bytyçi. Ky vëllim përmban poezi, në vargjet e të cilave, autori revoltohet e këlthet për një gjendje më të mirë në shtetin e tij.

Arsyeja është e thjeshtë, nëse dikush do përgjigjeje e kësaj se pse i tërë ky mllef në shpirtin e poetit. Ëndrra e poetit për një gjendje më të mirë të atdheut nuk u realizua. Imazhi i shtetit të Kosovës nuk shkon nga e mira, por del imazh i prishur nga vet ata që udhëheqin. Mosfunksionimi i asgjëje në rregull në Kosovë dhe kur them këtë e kam fjalën për mosfunksionimin e shtetit e shtyn poetin që ndjenjat e tij t’i vë në letër. Të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj kohe nëpër të cilën po jetojmë por pak kush ka guximin ta thotë të vërtetën ndër sy ashtu sikurse paraqitet e vërteta në poezitë e Bytyçit.

Përderisa ne mendonim gjatë viteve të para të pavarësisë së Kosovës se tashmë jeta do të na shkonte për mrekulli dhe bota po fillon të na buzëqeshte (kujtojmë njohjet si shtet Kosovën) po ndodh e kundërta. Në vend se ne të përfitojmë nga ky fat i shumëpritur, ne krijuam një tjetër lloj të atmosferës në Kosovë. Kosova shndërrohet ne “moçal” i paskrupullshmërisë së politikës së tyre.

Duke pasur parasysh jetën dhe vuajtjet e tij nga pushtuesi serb ( I burgosur disa herë që nga viti 1981 për motive të ndryshme patriotike) Sali Bytyçi i takon grupit të poetëve të cilët janë të lidhur ngushtë me tokën e tyre, Kosovën, andaj s’kishte se si të qëndroj duarkryq para këtij realiteti të shëmtuar që po na përcjellë. Kështu që poeti Bytyçi është nga ata poetet i cili nuk i mbetet skllav i ndjenjave të tij, ai ato pa mëdyshje i vë në letër.

Në vëllimin e tij të radhës me poezi “Në moçalin e …” si kryetemë vendoset tallja dhe përqeshja që poeti u bën të këqijave njerëzore. Dhe kur themi “të këqijat njerëzore” kemi parasysh “joshjen e atyre te cilët nuk ndalen para se keqes si gënjeshtra, pangopësia, korrupsioni, mashtrimet e te tjera. Ndërsa ne me heshtjen tonë bëhemi nga ata njerëz që i “nderojmë” këto të këqija që veçse po na ngufasin.

Subjekti lirik poezisë së tij flet lirshëm në emër të së drejtës, pa u anuar asnjëherë nga veset e këqija me të cilat po përballemi.

Kur na shpëtuat nga i huaji

Caqet e goditjes i kishit të qarta

Tani / Si do të na shpëtoni nga Vetja/ Kur Ne dhe e Keqja /Jonë / Një / U bëmë

Tek poezitë e këtij vëllimi, Sali Bytyçi nuk del si një poetë që jep vetëm Fjalë të mëdha, por ai përmes poezive të tij kërkon me ngulm nga shoqëria jonë, që të këqijat që na kanë përcjellë prej vite t’i ç’rrënjosim dhe të mos na shtyjnë edhe më tej.

Pesha e rëndë që e zotëron gjendjen në Kosovë ndihet në çdo varg të tij. Kosova në poezitë e tij bëhet “ vend i gënjeshtrës” “vend i korrupsionit”.

Për dallim nga vëllimet tjera me poezi, ky vëllim jep nota të theksuara revolte, një përplasje në mes asaj çfarë është Kosova dhe çfarë është pritur të ishte. Ky realitet çfarë po zotëron në Kosovë poetin e shqetëson. Tashmë forca i takon vetëm të fortit dhe jo ligjit:

Këtu shitet çdo gjë

Gurët e malit rëra e lumenjve

Diplomat e falsifikuara tenderët

Patriotizmi banal mish i gjallë

Më të pasurit

Ata që tregtojnë urrejtje

Diku kam lexuar ku Viktr Hygo thotë “Liria fillon nga ironia”. Madje pikërisht edhe vargjet e Bytyçit karakterizohen me ironinë, sarkazmin, dhe humorin të cilat edhe bëhen ndër figurat kryesore në vargjet e tij. Subjekti lirik i poezisë se tij demaskon edhe ata persona që deri dje ishin nën lëkurën e deles e tash kthehen në llavë ujqish:

Do dele të dëgjueshme deri dje

Kenkan kthye në llavë ujqish

Purgator që si shihet fundi

Për tu parë fundi duhet dritë

dritë askund

Pra, Kosova bëhet vendi i një të keqeje që nuk i shihet fundi, dhe poezia bëhet fusha kryesore ku ai shfaqë shqetësimin e tij.

Ëndrra dhe shpresa të shoh një Kosovë ashtu siç e kemi dashur të gjithë, poetit i shuhet. Prandaj, vëllimin e tij e përmbyll me një poezi prej ku subjekti lirik na këshillon të ikin sa më larg “vendit të gënjeshtrës”:

Ik

Sa më larg

Ik

Kokën mos e kthe pas

Kur të pyesin nga vjen thuaju vij nga “vend i gënjeshtrës”

Nga ai vend ku ajo lëshon hije mbi dhe

Fruta rrit

Arkitektura e vëllimit

Fryma bashkëkohore dhe realiste që përcjell poeti tek lexuesi në gjashtë kapitujt e librit na jep të drejtë që poetin Sali Bytyçi me të drejtë të quhet poet realist i kohës.

Poeti në vëllimin e tij përdorë llojet nga më të ndryshmet të vargjeve. Ajo që të bën përshtypje është fakti se në tërë vëllimin ka poezi me strukturë më të gjatë por ka edhe nga ato poezi që janë fare të shkurtra me dy – tri vargje. Arsyeja pse poeti e bën një poezi të tillë është edhe pse ai i kundërpërgjigjet drejtpërdrejt si reagim ndaj ngjarjes së ndodhur.

Në disa poezi ndodh edhe përsëritja e fjalëve por në pozicione të ndryshme, si : Shkruan\ e \ fshin\ ideologji\ ideologji fshin e shkruan. Mirëpo me gjithë përsëritjen përsëri vargu ka kuptim dhe ritëm të veçantë.

Ndër figurat tjera me të cilat ndërtohen poezitë, e veçantë është edhe figura e paradoksit me të cilën edhe shkruan poezinë:

Bilbili pall

Gomari cicëron

Breshka del në maratonë

Me një fjalë poeti Bytyçi arrin që strukturën e vargut të tij ta pajis me figurshmëri të pasur stilistike.

Përfundim

Është bërë dukuri e njohur nga kritiket që poetët shqiptarë t’i krahasojnë me poetët botërore. Të them të drejtën kjo mënyrë krahasimi nuk më pëlqen edhe aq.

Pse?

Unë mendoj që çdo poet në poezitë e tij është vetvetja, ka stilin e tij të të shkruarit. Edhe poeti Bytyçi tashme ka krijuar fuqishëm përvojën e vet poetike dhe stilin e tij poetik.

Në vëllimin e tij “Në moçalin e …” poeti Bytyçi arrin të depërtoj dhe të godas thellë në llumin e korrupsionit që është zhytur politika kosovare.

Poezitë e këtij vëllimi janë dëshmi reale e kësaj kohe nëpër të cilën e kalojmë dhe poeti jo rastësisht ka zgjedhur një titull paksa të vrazhdë për librin e tij. Ndoshta është i tepruar pak, megjithëse ka një të vërtet të hidhur aty.

Studiuesit kanë vërejtur se kësaj problematike poeti i qaset kryesisht përmes ironisë dhe sarkazmit. Sipas studiuesit Bedri Zyberaj përmes poezisë së poetit Bytyçi “ironizohen të metat, dobësitë dhe sidomos veset e njeriut bashkëkohor të hapësirës sonë”. Ndërsa studiuesi Jeton Kelmendi vëren se: “Përderisa duket se koha është e atyre që poeti i konsideron të padenjë, Sali Bytyçi i kundërvihet kohës, por jo asaj normale, por kohës së atyre që pandërgjegjshëm deformojnë zhvillimet normale”.

Pra për në fund për ta përmbyllur shkrimin tim mund të them se poeti Bytyçi në qendër të vëmendjes vë të keqën njerëzore por përsëri përmes vargjeve të tij, ngreh zërin kundër këtyre dukurive negative për shoqërinë dhe përmes poezisë e godet pamëshirë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here