Sot është përvjetori i vdekjes së kolosit të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishtës: nga Ndue Ukaj

0
129
  • Sot është përvjetori i vdekjes së kolosit të kulturës shqiptare, At Gjergj Fishtës: nga Ndue Ukaj

Përkundër mërzisë që na shkakton politika, jeta e përçudnuar shqiptare, davaritjet pa sens, amullia dhe mungesa e idealeve, ia vlen ta përkujtojmë Fishtën, dhe njëkohësisht, ta lexojmë veprën e tij të pasur e me vlerë.
Sepse, ajo është gurrë e pashterrshme frymëzimi; është pasuri kombëtare dhe një shkollë që edukon ndërgjegjen e njeriut. Mbi të gjitha, vepra e tij është një shkollë e fortë kundër batakçinjve të shumtë të jetës shqiptare.

Para dy vitesh, duke e analizuar tekstin e tij, “Koha e ardhshme e Shqipnisë”, ndër të tjera pata shkruar:
”Freskimi më i madh i mendjes është leximi i klasikëve të lashtë. Duke lexuar ata, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar, i përmirësuar, i lartësuar dhe i kalitur; të duket sikur sapo ke shuar etjen në një burim të kulluar malor” – shkruan Artur Shopenhauer.’’
Gjergj Fishta, i vlerësuar si Homeri Shqiptar, është shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, i cili njihet me veprën epokale “Lahuta e Malcis”, që njëkohësisht është epi nacional i shqiptarëve. Veç kësaj kryevepre të kulturës shqiptare, ai njihet edhe për një sërë veprash me rëndësi në fushën e letërsisë. Ai u shqua edhe për kontribut dhe veprimtari të frytshme kombëtare.
Pa dyshim, Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar. Ai, si themelues dhe drejtues i revistës më prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, me shumë analiza e tekste, të shkruara me dije e kulturë, u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend.
Tekstet e shkruara në atë kohë, me forcën e argumenteve, janë të freskëta dhe dobiprurëse edhe për kohën tonë dhe shqiptarin e shekullit XXI.
Gjergj Fishta, në tekstin ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Revista “Hylli Dritës”, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u shndërrua në një institucion që synonte t’i bante shqiptarët në kohën kur ishte ba Shqipnia. Revista, duke bashkuar elitën ma të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që i dha kulturë kombit shqiptar. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj, me shumë të drejt Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”
Gjergj Fishta, duke shënuar këtë periudhë e duke qenë prijatar i saj, shkroi shumë tekste diturore, me të cilat iu dha domethënie e shtytje zhvillimeve të atbotëshme shqiptare.
Teksti në fjalë, është një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme. Një ABC politike e kulturore. Sidomos për m’i dhanë shpirt shtetit. Atë çka vërtet na mungon.
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtetë, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.
Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë:
“Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”
Përvoja universale ka treguar se, këto parime, të cilar i analizon në një tekst të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.
Vepra e Fishtës është kundër kulturës së harresës, prandaj duhet ta bëjmë shujtë kulturore. Në tryezën tonë. Si bukën e përditshme

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here