POEZIA ËSHTË DËSHMI E DASHURISË nga Prof. Dr. Nicolae Dabija

0
249

POEZIA ËSHTË DËSHMI E DASHURISË

Prof. Dr. Nicolae Dabija

Jeton Kelmendi në orën aktuale është poeti më i përkthyer shqiptar në gjuhë të huaja. Ai buzëqesh me gojën e të tjerëve, qan me lotët e të tjerëve, poezia e tij duke lënë përshtypjen se i drejtohet gjithmonë njërit lexues, ç’prej se ekziston bota, apo ç’prej tani e më shumë shekuj, për t’i folur botës për kohën e tij, për përjetimet e tij, për të dashurën e tij.

Nuk jam vetë në shtëpinë
Ku terri ka hyrë.
Jam i vetmuar vetëm atje
Prej nga ti ke vajtur..

Jeton Kelmendi është poet i dashurisë dhe natyrës, i jetës dhe vdekjes, i takimeve dhe ndarjeve, i fjalës dhe atdheut. Motivi i atdheut regjistrohet në historinë e stërlashtë të ilirëve dhe trakasve, stërgjyshërit tanë të përbashkët, por edhe në historinë e re të bashkëkombasve të tij, të cilët e kërkojnë vetëveten nëpër rrugët e historisë.

 Të jesh një mendim i ndritur
Dhe askush mos të të njohë
Më mirë se Zoti
Ai që ta ka dhënë një atdhe
Dhe emrin tënd shqiptar.

Poezia nuk është një mister, një fshehtësi, por konkretja që banon në përfytyrime, krijuesi duke kaluar nga moskoha drejt kohës në ndërkohë – atje ku lind metafora, që kështusoj të mund të garantojë ngjashmërinë ndërmjet njeriut dhe gjërave, ndërmjet njeriut dhe ëndrrave, ndërmjet njeriut dhe fjalëve.

 Plagët e fjalës janë
Porsi të thikës –
I shëron, por ato
Po dhembin
I lidh me fasha
Prej kullose
Me fasha prej reshë…

Poeti e din se fjalët nuk duhet të shkrepëtijnë, porsi copat e strallit që e qëllojnë njëra-tjetrën, gjë që vazhdon të shndrisë, të qartësojë, të tejdukshmërojë. Fjalori i fjalëve është porsi rafti nga i cili e merr armën. Mu prej këtu shkrepëtin besimi i bardit shqiptar se çdo fjalë është e vendosur në interferencën e reales me imagjinaren, se ajo ka kuptim, të cilin mund ta bësh të shpërthejë, të detonojë, të gjuajë, ngase, duke poseduar fuqi dhe forcë, fjala krijon dhe shkatërron, lartëson dhe mëshiron, vazhdon dhe ndërpritet, spiritualizon dhe mishëron.

Vargu për të është mendim, emocion, sentiment, por në rradhë të parë është gjendje. Gjendje e të dashuruarit që nuk e sheh botën ashtu siç është ajo, por ashtu siç është ai. Jeton Kelmendi rizbulon poezinë në veten tonë, te secili prej nesh, që të na nxisë ta duam dhe të duhemi. (E përktheu nga rumanishtja: Baki Ymeri)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here