Poezia – mburojë kundër murtajës së gjuhës Nga Ndue Ukaj

0
192

Poezia – mburojë kundër murtajës së gjuhës

Ndue Ukaj
Në vitin 1999, UNESCO e ka shpallur 21 marsin si Ditën Botërore të Poezisë, me qëllim të ringjalljes së interesit për poezi, por edhe për të inkurajuar zhvillimin e aktiviteteve poetike. Që atëherë, kudo në botë, kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme kulturore e poetike.
Poezia merr nga jeta pjesën më të mirë të saj, si bleta nektarin, dhe është bashkeudhëtarë e përhershme e njeriut, në gjitha stinët e jetës së tij, kur është në gëzim apo hidhërim, kur dashuron apo ndien mungesën e dashurisë, kur është në robëri apo e ndien nevojën e lirisë.
Poezia është krijim shpirtëror, ndaj edhe jeta e shpalosur në poezi- për mua- është forma më e bukur e rrëfimeve më intime për thellësitë e jetës- për ato ndjesi që burojnë nëpër vena, por që rrallë artikulohen në ligjërimin publik. Në vargje, shkreptinë dashuria me tërë shkëndijat e saj vezulluese, aty ndihet aroma e jetës dhe pezmi i vdekjes, temat e mëdha dhe të përhershme që lidhen me ontologjinë e ekzistencës njerëzore, aty ndihet liria dhe tregohet fytyra e egër e robërisë. Pra, poezia, ka tagër të jetë jeta totale njeriut, ajo jeta e rrëfyer përditë, me të gjitha karakteristikat e saj, por me një ligjërim superior dhe me gjuhë të kultivuar.
A na duhet poezia?
Po, poezi është gjithçka përreth nesh, poezia është në çdo gjë që ne bëjmë: atë e shohim, e nuhasim, e mendojmë, e prekim, e duam dhe e ndiejmë. Në fakt, poezia është ajo formë e shkrimit që formon dhe krijon kulturën tonë, si hemisferë rëndësishme e gjuhës- rrjedhimisht edhe e identitetit- ku ne marrim dhe japim përditë nga jeta jonë.
Arti merr nga jeta pjesën më të mirë dhe më të lig, dhe e shfaq para lexuesve atë më thelbësoren- pjesën më të bukur dhe më të errët të skutave të shpirtit njerëzor, ku strukën ndjesitë e bukura dhe turbulencat e njeriut.
Poezia është diçka që rri kudo, diçka mbi të cilën nuk kemi pushtet, por që na kënaq, na ushqen, na trondit dhe na kulturon.
Është thënë dhe është përsëritur shpeshherë se, poezia ka fuqi dhe kompetencë gjuhësore e ndjesore, që të na mbrojë nga abuzimet e gjuhës së dokrrave, gjuhës së cektë, që vërtitet nëpër forma të lehta të ligjërimit, ku gëlon shëmtia dhe kultura e vrazhdë.
Njeriu, në të gjitha kohët dhe në gjitha fazat e jetës ka shfaqur ndjenja besimi për letërsinë në përgjithësi, dhe, për poezinë në veçanti, duke e lexuar atë në çastet më të mira, kur dalldisej nga dashuria e gëzimi; duke e lexuar kur ishte i mërzitur, dhe, duke e lexuar edhe kur ishte i robëruar dhe i pikëlluar.
Pra, poezia na shoqëron përgjatë gjithë jetës, që nga ninullat e para, kur mësojmë abc-në e jetës, këndojmë dhe shprehim ndjesitë tona, deri në çastet e fundit, kur shkëputemi nga kjo botë dhe bëhemi shpirt.
Për mua, poezia është një ndihmesë e madhe për zhvillimin e kulturës në të cilën jetojmë. Prandaj, njohës të fushave të ndryshme humane, gjithnjë e më shumë thërrasin për një lidhje me poezinë, duke e konsideruar atë ilaç kundër sulmeve të jetës. Në këtë aspekt, poezia është shujtë shpirtërore, dhe, mburojë kundër murtajës së gjuhës, siç mund të këshillonte shkrimtari Cesare Pavese.
Shkrimtarë e studiues të ndryshëm, kanë shfaqur mendime të ndryshme për poezinë dhe funksionin e saj në jetën njerëzore, sidomos në sferën e kulturës.
Martin Camaj, njëri nga poetët më të mirë shqiptar, shkruante: “Poezia ime rrjedh nga ato rrethana jete që unë due t’i kujtoj! Që, për shembull një: Kam lindë në një vis të egër “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm asht ky vend.”
Pra, Camaj, shkruan kundër harresës dhe për të kultivar kujtesën. Një gjë për të cilën ka gjithmonë nevojë njeriu.
Në fakt, poezia është një lloj pragu për të hyrë në universin e bukurive të pafundme të gjuhës. Në këtë aspekt, shkrimtari Wallace Stevens, ia atribuonte poezisë një vlerë të jashtëzakonshme, duke thënë se ajo “është një mënyrë shëlbimi.”
Sot, në këtë ditë kushtuar poezisë, imagjinata ime shtegton nëpër kohë dhe hapësirë, takon figura poetike, portrete poetësh, vargje e situata të tendosura, të autorëve të huaj dhe atyre që shkruan apo shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe. Dhe, s’ka sesi të mos lumturohem për këtë dhuratë të madhe, sepse, siç thoshte Joseph Brodsky, “poezia nuk është art….por qëllimi ynë antropologjik!”
Unë sot e përgjithmonë, përulem para veprave të kolosëve të shumtë të poezisë, që nga kohët e lashta e gjer në ditët tona. Ata janë shumë, dhe, secili prej tyre, ka nga një atdhe të vetin, nga një gjuhë në të cilën shkruan, por i bashkon diçka më e madhe dhe e përtejme: Republika Letrare, ajo e cila shtrihet përtej kufijve gjeografik të kohëve, etnive, kufjeve gjuhësor, periudhave, datave dhe epokave. Është ajo Republika për të cilën aspirojnë gjithmonë poetët e mirë.
Poezia, përgjatë gjithë historisë së saj, e ka mahnitë, magjepsë dhe tunduar lexuesin. Një gjë të tillë e bën edhe sot. Ajo, na zgjeron horizontet e të kuptuarit, dhe, gjithsesi, na dhuron dije, urtësi e shprehje të bukura për tema universale, siç janë: e mira dhe e keqja, dashuria dhe urrejtja, jeta dhe vdekja, lufta dhe paqja. Sepse, “poezia është forma më e lartë e aktivitetit intelektual”, shkruante nobelisti i letërsisë dhe mjeshtri i fjalës artistike, T. S. Eliot. Ky shkrimtar i madh, me këtë mendim, shprehte besimin te poezia dhe mundësitë e pakufishme që ka ajo, mundësi kjo për të cilat flasin shumë shkrimtarë dhe studiues, që nga antika e hershme e gjer në ditët tona. Aristoteli, pohonte se poezia është ma filozofike se format tjera të shkrimit, ndërkaq shkrimtari erudit, Jorge Luis Borges, shkruante se ne ndjejmë poezinë, “ashtu sikur e ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë aromën e maleve apo thellësinë e detit.”
Çfarë mund të bëjë poezia në një botë si kjo e jona, kur ngarendja pas të lehtës është në modë, kur lajmet e cekëta u zënë vendin atyre të qëmtuara, kur zagushia mbytëse e politikës iu ka nxënë frymën ndjenjave për të bukurën dhe të këndshmen.
Po, ajo mund të bëjë shumë, sepse siç thotë Ismail Kadare: “Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia është një botë e pavarur dhe një vlerë paralele me kombin e popullin. Por, ka stinë në jetën e popujve, kur letërsia duhet ta thyej zakonin e të qenit e pavarur e të përzihet në punët e kombit dhe se tani kombi shqiptar ka nevojë për letërsinë, e cila, ka detyrën të sqarojë keqkuptimin që hedh në diskutim nëse shqiptarët janë apo duhet të bëhen europian.”
21 mars 2018

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here