IWA BOGDANI boton librin e ri të Anton Markut

0
163
PARATHËNIE

Nga Engjëll I. Berisha

Antoni, ia shton dhe një hallkë, librit të fundit të tij me poezi, madje e shtrëngon shumë zinxhirin krijues duke e dëshmuar se po e ruan autenticitetin e vetë, me vëllimin e ri poetik, “Në secilën hije pak dritë”, që po e boton IWA Bogdani, në Prishtinë.

Libri paraqet lirizmin e tij mbi personazhet që i krijon me të cilët gjatë gjithë kohës bën krahasimin e dukurive që na rrethojnë. Ky edhe po bëhet motiv i përdorur viteve të fundit nga krijues të shumtë.

Nuk është shkallëzim retorik që sintetizon personazhin e tij. Në fakt autori bën ngritje përforcuese të ideve të tij, pa i ndryshuar ato të fundit e të mëhershme. Kjo konsekuencë ia jep vulën e vetë krijuese Anton Markut duke formuar konceptin e tij me sintagmën se poeti duhet ta thotë atë që zemra ia ndien.

Pamjen sociologjike te shoqëria e jonë, e abstrohon me rezonancën e tij herë të zemërimit, herë të admirimit, e hera herës të nxitjes së tij artistike që donë tu japë vetëdijesim. Ai sikur provon t’i kapërcejë caqet me poezitë që i shtron si pyetje, dhe shih, sa më shumë që i hamendim fenomenet, aq më të bezdisshme e më të pakuptueshme na bëhen. A mund të pajtohet poeti me këtë konstatim se! Mendoj se përkufizimi i mendjes të përfytyrosh ngjasimet e ta përjetosh, është dilema që shtrohet në poezi. Këtu e nisë eksplorimin e tij Anton Marku me poezinë “Gjeneza”, në përsiatje të kohës e të përfytyrimit kur u krijua e mira, – jeta, dhe vrima e zezë, – vdekja, prej nga edhe nisë përvëlimi i të gjitha krijesave: “Ditën që u zu dielli / për të parën herë / jeta u fërkua me vdekjen”.

Personazhe më të shpeshtë të tij,janë koha e cila nuk pret, është dashuria e cila kaplon, është virtyti, mbase, këtu e shpërfaqë më shumë koncentrimin sociologjik.

Edhe pse nuk mund t’i kapim të gjitha gjërat, ne krijojmë një aluzion ndaj tyre se janë mashtrim. Ky imazh dhëmbëzon mendimin tonë përherë dhe i kafshojmë me shkrime shpesh duke mos pasur talent të imagjinojmë në mes njerëzve, ideve e objekteve që na rrethojnë. Bashkëbisedimi që bën autori, fatin, e bartë gati në çdo poezi, jo vetëm si ligjërim shoqëror, por e kodifikon si produkt i mbrojtur, pa të cilin sikur imagjinon se s’mundet dot as natyra: Kur gjithçka nisi / nuk kishte kufij / as mure, / kishte vetëm fillime”. Poezia “Portrete”.

Veset e shoqërisë, bëhen shprushje e shpirtit të tij, përballë sfidave të kohës, një peizazh me pak fjalë, e shumë shtresor: “Tërë jetën provova / t’i afrohem grimcës sime / duke i shikuar hijet e të tjerëve / harrova timen”, te poezia “Flluskave të purpurta”. Poezitë janë me vargje të shkurta, madje, shumë të shkurta-karakteristikë e shumë poetëve jo se e tkurrë mendimin, por, i duhen më shumë figura për ta përmbyllur krahasimin. Motivi i dashurisë, e kaplon këtë përmbledhje, jo duke e rënduar, por, ia ngazëllen poetikën rrëfimtare, duke u bërë herë i rrept e herë i nënshtruar ndaj saj: Po u ktheve dhe një herë / me frymën time do e përzë / ofshamën që të bëri të ikësh”, ose, “po u takuan sytë tanë / veç dhe një herë / flaka ka për t’i dalë shiut”. Poezia “Po u ktheve”.

Tani lirisht mund të themi se autori ka krijuar karakterin e e tij simbolik me të cilin edhe platformën e tij dhe, sikur shihet, kështu mëton të ecë.

Pasthënia

KUJDESI ME FJALËT DHE MENDIMET E KOMPRESUAR NË POEZITË E SHKURTRA KARAKTERIZOJNË “NË SECILËN HIJE PAK DRITË”

Prof. Dr. Jeton Kelmendi

Arti në përgjithësi, e veçanërisht arti poetik paraqet primesa elitash, prandaj ka shumë persona që shkruajnë poezi, ndoshta është fusha që më së shumti ka konkurrencë. Anton Marku e ka para sysh këtë çështje, prandaj e mendon mirë shkrimin e tij, e mat me kujdes dhe e thotë me konsideratë. Thjeshtë është i kujdesshëm me secilën fjalë, me secilën poezi, ndërsa ndërton fjali të shkurtra me mendime të kompresuara. Kësi soji mund të konsiderohet se hyn në grupin e poetëve që përpiqen të shkruajnë pak dhe të thonë shumë. Në letërsinë shqipe kemi disa autorë, të cilët e kishin dhe e kanë ketë formë të shkrimit si model dhe këtu duhet potencuar se Ali Podrimja ishte ai që shkruante shkurt dhe thoshte shumë. Poeti Marku mbi këtë koncept nxjerr nga vetja e tij unin e vet dhe origjinalitetin poetik, duke shkruar shkurt, madje me një pedanteri dhe pa e tepruar me shprehje dhe fraza patetike siç bëjnë disa militantë që duan me zor ta shkruajnë poezinë.

            Tematologjia e Anton Markut

Është një larmi temash me të cilat krijon botën e tij poetike, teksa dominojnë temat përkushtuese ndaj personaliteteve të kulturës dhe historisë kombëtare, gjë që dëshmon se poeti është person i dashur dhe i afërt me të tjerët. Ai din ta do vendin e tij, ngase vërehet se ka një përkushtim suptil dhe me kujdes shkruan, për t’i sjellë ‘pranë’ vetës dhe lexueseve të tij vendin e vet me begatitë që ka atdheu. Tek poezitë përkushtim për personalitetet kombëtare, Poeti Marku shfaq një talent ndoshta më të madh dhe atë duke krijuar personifikime për personazhet, me qasjen që kishin ata në fushat e tyre të veprimit dhe duke ju dhënë fuqi drithëruese, gjithnjë me fjalë të zgjedhura dhe kujdes në shprehjen e tyre. Anton Marku është ndër ata krijues që nuk shkruan shumë në sasi dhe as në fjali nuk ndërton mendime të gjata dhe kjo nuk e bënë autorin më të pasigurt, për rrugën e tij, por i jep atij vizionin, ndjenjë dhe mendim.  Jeta e secilit njeri ka kuptim nëse ajo jetohet sipas asaj që e donë njeriu, dhe kur bije fjala për jetën, nuk mund të i iket as kësaj teme. Ai i shkruan jetës, madje jo vetëm tek poezitë dedikuar drejtpërdrejtë dashurisë dhe segmenteve që ngërthen jeta, por edhe tek shumica e poezive, me tematikë të ndryshme, sepse hapërojnë nëpër vargjet e tij elemente që sendërtojnë jetën në forma dhe parametra të qasjes mbi parimin e asaj që poeti e do, ose do të donte ta kishte sipas një dëshire të caktuar. E meqenëse poezia është art që dinë dhe mundet t’i shpërfill rregullat dhe kodet e shkrimit, edhe leximi i poezisë për mua është i kësaj natyre, prandaj unë kështu e lexoj poezinë e Anton Markut, i cili ka krijuar një nivel dhe qasje të konsoliduar në ketë gjini letrare. Duke pasur në duar dhe lexuar edhe librin paraprak të Anton Markut, e kisha pak a shumë idenë se për çfarë niveli të poezisë bëhet fjalë, prandaj edhe pranova që edicioni i botimeve ndërkombëtare “IWA BOGDANI”, ta botoj këtë libër me poezi, dhe kritika të merret me këtë autor, sepse paraqet vlera letrare dhe artistike. Disa nga krijuesit, sot përpiqen të shkruajnë me një qasje osciluese temash dhe konstruktesh poetike, të cilat konsiderohen si pos-moderniste, me çka jo rrallë herë arti në poezi nuk po na sjellë vlera të mirëfillta. Poeti Marku për mua mbetet poet modern, për çka i mjafton të jetë poet i mirë, mbase edhe këto duket të jenë ambiciet e autorit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here