MODERNITETI KLASIK NË POEZINË E ATHANASE VANTCHEV DE THRACY

0
117

Parathënia e Jeton Kelmendit për librin me poezi “Hapni dritaren” (në origjinal “IMPÉRIEUSEMENT BELLE, LA NUIT”) të laureatit të Festivalit tonë, poetit të njohur francez me origjinë bullgare, Athanase Vnthev DE Thracy. Libri është përkthyer nga përkthyesi dhe poeti Anton Papleka (Sh. b. “Ditët e Naimit”, Tetovë, 2019).

MODERNITETI KLASIK NË POEZINË
E ATHANASE VANTCHEV DE THRACY

Koncepti apo përceptimi për poezinë është një nga format që mund të thuhet se i takon krejtësish autorit, por assesi nuk mund t’ia marr të drejtën në qasjen e të lexuarit, lexuesit, sidomos kur lexuesi është edhe vet poet. Nga ana tjetër, lexuesi nuk është patjetër ta ketë mendimin e njëjtë me autorin, madje në raste të caktuara as të përafërt, por natyrisht as mohues apriori. Thënë thjeshtë, janë dy qasje që varen në konceptin e shkrimit dhe nivelin artistik dhe komunikativ. Për këtë çështje, reflektimi im në rastin e leximit të kësaj përmledhje, spikat në thelb mendimin tim për veprën.

Duke e njohur për shumë vite, autorin Athanase Vantchev de Thracy dhe gjithashtu duke e njohur edhe poezinë e tij, ngase edhe e kisha lexuar në variantin frëngjisht, pra origjinal, por edhe e kisha përkthyer në shqip, mendova që në fillim se do të ndeshem me një dilemë; se a e ka ruajtur nivelin artistik edhe në këtë libër?
Arti poetik, që nga kohët e hershme ka qenë një formë e shprehjes së të bukurës, për çka deri me sot, janë shkruar shumë mendime, duke e cilësuar me epitete të ndryshme. E meqë ra fjala për epitete, mu kujtua një mendim i poetit hebre Ernesto Kahan, i cili shkruan se, “Poezia është si një lule, e cila çel dhe hapet deri në atë masë sa nuk len gjë për imagjinatë.
“Hapeni dritaren” (variant në frengjisht “Bukuria e pakundershtueshme e natës”) është libri i tretë që i ofrohet lexuesit shqiptarë dhe teksa po lexoja këto poezi vërejta poetin suptil, me një shpirt të butë dhe imagjinatë të fortë, i cili ndërthurë vargje për tema dhe subjekte të ndryshme me karakter human. Që në poezitë e para poeti shtron dilemat për kohën që jetojmë dhe ndikimet që vijnë nga sfera të ndryshme, jo edhe parimore zakonisht. Poeti e nis këtë libër me një poezi, të cilën e quan ‘Poezi e shkurtër për Edelweiz’, ku figurativisht flet për veshjen e pyllit dhe qenjet e engjëjve, për ta ndërtuar një rrëfim interesant dhe me një gjuhë po aq të dashur sa edhe të pasur me imagjinatë artistike, duke i dhënë formën që vetëm tek ky autor mund ta hasim. Pastaj vazhdon me tematika tjera si: krishtëlindjet, poezia, ikja e njerzëve tanë nga ne dhe shumë e shumë tema tjera, për të cilat motiv i autorit është që gjërat të mos harrohen, të mos na ikin nga kujtesa, që krejt çka përkojnë në ndonjë mënyrë me ne, apo që na lidh diçka me këto gjëra dhe njerëz ta kenë një vend bashkë me shpirtin e poetit dhe të shkruara të lexohen nga të tjerët që do të vijnë, natyrisht pa mohuar edhe lexuesit e tashëm. Athanase Vantchev de Thracy përveç qasjes poetike, edhe polemizon me konceptet tjera, që siç i quan ai, demonizojnë humanitetin njerëzor, prandaj spikat rolin e poetit në kohën që jetojmë, ashtu sikur edhe argumenton për idetë e tij për çështjet e ndryshme. Poezia, sot shkruhet në forma dhe ndërtime të ndryshme, por poezia që njihet si postmoderne, mund të thuhet se ka ndryshuar edhe menyrën, edhe gjuhën e shkrimit nga ajo që shkruhej më herët. Në fakt, poezia ka edhe koncepte që ndryshojnë nga një popull tek tjetri, nga një rajon tek tjetri, mirëpo teknologjia informative e ka mundësuar që njerëzit të komunikojnë dhe poeti i një vendi sado të largët të lexohet në shumë vende dhe gjuhë të tjera, për çka mendoj se autorët e sotëm janë me fat sa i përket kësaj çështje. Athanse Vantchev de Thracy është njëri nga poetët më të mirë të kohës tonë dhe këtë e dëshmon vepra e tij e madhe, e cila lexohet në dhjetra gjuhë të vendeve të ndryshme të botës. Referencat dhe mendimet që i përdor në fund të secilës poezi, poeti De Thracy dëshmon se ka një dije, një përvojë të gjatë, dhe rol shumë të madh ka njohja e gjuhëve të huaja, ku autori ka krijuar profilin e tij poetik në një përzierje modelesh të ndryshme poetike. Për mua, ky liber sikur edhe librat e tij të tjerë janë poezi moderne të shkruara me një gjuhë klasike.
Ta zëmë, poezia “Ora pesë në mëngjes”, që nga titulli ka karakter përshkrues, në të cilën ndërtohet rrëfimi për vëllaun, e ku flet për ëndrrën që i shfaqet, madje sintetizon me lulet, duke përshkruar edhe vetën se e ka lënë vetëm. Ky model poetik është gërshet i një qasje poetike lindore, mbi të cilën humaniteti dhe dashuria njerëzore paraqiten në njërën anë, kundrejt krahasimeve stisëse me simbolikën në anën tjetër. Thjeshtë, mund të thuhet se poeti francez Athanse Vantchev de Thracy, ka krijuar modelin e tij të shkrimit, i cili model kryqëzohet me shkollën franceze, ruse, angleze. Pra, duke i njohur këto tri shkolla të poezisë, të cilat janë nga më të rëndësishmet në shkrimtarinë poetike, autori sikur ndërton një shkollë të vetën Athanasjane.

Në një vështrim sado të gjatë, do të ishte utopike nëse pretentohet të thuhen të gjitha për një liber poetik kaq të gjerë tematikisht, prandaj në këtë tekst timin të shkurtër për këtë vëllim të poetit Athanase Vantchev de Thracy vetëm sa provoj për ta hapur diskutimin për një libër të mirë. Në historinë e letërsisë botërore kemi lexuar shumë autorë të mëdhenj, të cilët ndonëse vazhdojnë të trajtohen si shkrimtarë të mirë, në veprat e tyre ka edhe nuanca zymtësie, pra natyrisht varësisht nga rrethanat e kohës kur është shkruar vepra letrare, ndërsa poeti francez, interesant paraqet një optimizëm, madje ta krijon përshtypjen sikur autori është në më të mirën moshë. Nga përqasja poetike, referimi tek autorët e tjerë nga vende dhe kultura të ndryshme sikur na dalin edhe një domosdoshmëri për shkrimtarin dhe shkrimtarinë si profesion, në atë mënyrë që vepra ta ketë jo vetëm nivelin e lartë artistik, por edhe universalitetin në vete, për t’u mbijetuar kohëve që vijnë.

E pse teknologjia informative i ndihmon autorit për të komunikuar shpejtë dhe anë e kënd botës, nga ana tjetër, e ka dëmtuar leximin, sepse numri i lexuesve është shumëfish më i vogël. Në një situatë të tillë shkrimtari e posaçërisht poeti, sot përballet me një situate të vështirë, pasi që ka pak lexues, pak blerës të veprës, gjë që e vështiron edhe botimin e veprës poetike.
E kur bëhet fjalë për poezinë që shkruhet sot dhe lexuesin e pakët, gjendja sikur ka marrë një kahje tjetë. Ndonëse vazhdon t’i ketë lexuesit e vet, sado pak që janë, madje edhe shkruesit, tani mund të thuhet se janë rralluar, pra e kam fjalën për autorët eminent, këtu gati sa janë barazuar në numër autorët dhe lexuesit. Kështu, poezia përveç që i jep kënaqësi lexuesit, këtu duhet potencuar faktin se poezia sot lexohet pothuajse vetëm nga lexuesi i kultivuar (që i bie të jetë vet poeti dhe poetja), lexuesi, pra e shtron tekstin sipas formës që e ndërthur me konceptin e ndërtimit tekstor me autorin. Duke e shtruar rrafsh këtë shkrim, si poeti për poetin, nuk mund të mos e them se, Athanase Vantchev de Thracy është një poet përmasash elitare, ku për mua do të mbetet poet i mendimit të madh dhe gjuhës së kujdesshme, me çka ka ndërtuar një botë të veten artistike me dhjetra libra poetik dhe përkthime.
Prof. Dr. Jeton Kelmendi
Prishtinë, më 16 shtator

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here