Silvana Barki, Shqipëri

0
55

Flasim për dhimbjen,
me sytë gjithë lot futemi në të kaluarën e dhimbshme me shpresë se do t’i
mbushim edhe sytë e atij që dëgjon.
Po ç’dimë ne për dhimbjen e atij që dëgjon?
A na dëgjon vërtet, martirizimit të gjendjes sonë?
Apo atij i mbushen sytë sepse loti yt, i kujton dhimbjen e vet,
Ç’dimë ne për dhimbjen e atij kalimtarit tek ecën heshtur nën ombrellë?
Po të asaj vajzës me fustan ngjyrë blu, sa herë vadit lulet e saksisë ballkonit?
Flasim për dhimbjen,
Pa kuptuar se gjithkush e ka përjetuar një humbje të të dashurve të zemrës,
vijmë vërdallë si një pellgu me llucë dhe jetës mundohemi t’i rikujtojmë përsëri,
e përsëri dhimbjen kur ngordhi qeni i fëmijërisë.
Nuk ka rëndësi çfarë dhimbje… mjafton një kujtim i fshehur
… skutave të ikura, vjeshtës ngjyrë gri.
Flasim për dhimbjen,
Përsëri, e përsëri…
Se ndoshta na dëgjon dikush!

“Sorry”
… dhe atëherë kur dallgët i rrëmbyen familjen,
ai ndjeu duar të mjegullta t’i binin mbi supe duke e ngushëlluar:
“Na vjen keq!”.
… dhe atëherë, kur intrigat ngritën kështjellë me mure fjalësh,
ai ngeli jashtë, ftohur nga veçimi,
pa punë,
pa bukë,
pa ombrellë,
dhe prapë ndjeu sy të mjegullt ta vështronin me keqardhje
e t’i thoshin:
“Na vjen keq!”.
… dhe atëherë, kur gjumin dhe ëndrrat ia morën,
duke ia zbrazur kraharorin nga buzëqeshjet,
ai ndjeu vetëm buzëqeshje të mjegullta
ta plevitosnin duke i thënë:
“Na vjen keq!”.
… dhe atëherë kur pemën e mollës ia zhveshën nga kokrrat
dhe degët ia prenë
e trungun ia kthyen në sedilje,
ai nuk foli,
vetëm ndjeu tërmetin e zemrës t’i dridhte mjekrën
e këmbët,
këtij oqeani të mjegullt,
që nuk bëri asgjë,
Përveç:
“Na vjen keq!”.

… dhe ndërsa erërat shtrijnë duart horizontit,
shfaqet tabloja bregut;
… tri guaska spektroliti, rërës së lagur nxjerrin kokën
duke u larë dhe shpëlarë,
mbuluar dhe zbuluar fletëve të kujtimeve.
Përse duhej të gjente një dashuri të re?
… ndërsa, Ai,
pa e dëgjuar vellon e notave të pulëbardhave,
prerjet e dritës mbi spektrolit,
gërvishtjen e lëkurës prej yjeve të detit
… vazhdon të mbledhë pëllëmbës tri guaskat e tij,
duke iu marrë erë,
ledhatuar…
dhe lëshuar të lahen po aty, përsëri,
dallgëve të kripura,
duke iu përgjigjur për të satën herë:
“Jo të gjithë munden,
e të shtirem, s’di sesi”.

… ulem dhe ngrihem kësaj ëndrre të harlisur,
me trupa perversiteti, të ftohtë
fëmijë të palegjitimuar,
tallja më qesharake martesës së ligjshme.
Ku vallë do të shkojë shpirti i mëkatuar mbas vdekjes?
… dhe vjen një ditë
prej oqeani zbarkon një varkë mbushur me dhimbje,
për të kujtuar e tundur nga vegimi i të djeshmes
për të pyetur: – Ç’bëre me jetën tënde?
Ç’kërkoje ngrehinave të rrezikshme të jetës,
e si Bajroni i mpleksur një rrjete merimange filozofon
për shpresën që nuk e di se ç’mund të jetë,
që nuk e di ç’melodi mund të ketë,
e ç’gjuhë të flet!
… dhe që së fundi as nuk të intereson më,
… çfarë është shpresa atëherë?
Një zbukurim i mizerjes shpirtërore,
një mashtrim i dhimbjes që përjetojmë,
dora e Leonardo da Vincit, pikturës politike
dhe një shandan tryezës së krishtlindjes,
mbushur me lutje që të harrojmë!

Atdhedashuria është ndërgjegjja e kombit,
Ç’do të ishte njeriu pa atdhedashuri?
Një kaktus i vetmuar saharasë
një ëndërr e fikur galaksisë.
një fjalë e lagur plot ironi!
Ç’do të ishte njeriu pa zë,
pa ngjyrë, pa mushkri
pa eshtrat e të parëve,
pa këngën e martirëve,
pa sy, pa tregime
pa vdekje e suksese?
Ç’do të ishte njeriu pa një vend,
një vend ku mund t’i kthehet mbrapa në çdo kohë,
në mos realisht,
të paktën kujtimeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here