Poezi nga Anton Marku

0
112

Shënime për autorin

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike..

Ka 11 vitet që jeton dhe punon në Austri.

Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune.

Botimet:

1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)

2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)

3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)

4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)

5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)

6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)

7. ,,Du meine Stimme’’ (‘’Ti, zëri im’’, 2018)

8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’,2018)

9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019)

10. ,,Die Haut des Lebens’’ (2020)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji dhe revista në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattirungen’’ (2015); ,,Words and Wolds‘‘(2016, 2017, 2019 dhe 2020); ,,Liebe’’  dhe  ,,Wir, bewegende Steine’’ (2017), ,,Ausgewählte Werke XXI’’, ,,Anima‘‘ dhe ,,Ein Tag in meinem Leben’’ (2018); ,,Türen’’ (2019); ,,Freiheit’’ (2020); ,,Barmherzig’’ (2020), revistat ,,Zwischenwelt’’ 2014), ,,Aktuell’’ (2017 dhe 2018),  ,,Literarisches Österreich’’ (2017 dhe 2019), ,,Literamus 45’’ (2018) dhe ,,Literamus 46’’ (2019) si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IWA Bogdani, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Words and Worlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë.

Anton Marku

MUNGESA JOTE

Mbrëmë
më fort dëgjoheshin
të dridhurat e zemrës sime
sa sa zhurma e hapave të tu

sonte
ti i mungon dhomës sime

në mua
u ndez diçka
që nuk ja dija emrin

sy i fshehur prapa syrit
u bëra

andej dritares së hapur
pashë si i mbaje dorën
mbi gjoksin tënd të bardhë

puthjes si i gdhendje fytyrën
shtrirë mbi buzët e tij.

DETI I SAJ

Tym i bardhë
i dëftoi
rrugën për tek ajo

zhurma e zjarrit
thyhej gjethnajave

lumi i tij
këmbëzbathur hyri
në detin e saj

një gur më tepër
gëlltiti.

FRYMËPLOT

Fjalët puthen
në këngën tënde

ti vallëzon vetëm
dhe mëson çdo ditë
të duash

toka bën dritë
qiellin përshëndet

tingujt e borës që bie
të shoqërojnë

një rrugë e gjatë
nga unë
tek ti.

MË PAS

Këpucët e jetës na i grisën
rrugët që nuk i njohëm

ujërave të ndotur
shpesh i shpërlamë sytë

askush nuk e di
në ç’orë
drunjëve do t’u bien degët

pastë më shumë dritë
më pas.

NË KËRKIM

I kishte të gjitha
por i mungonte diçka:
nuk mund të ëndërronte

një ditë la pas gjithçka
dhe u nis
të kërkonte vetveten

të bëhej i gjallë

bile një herë.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here