Angjelina Marku “ Kohë për veten” botohet në Prishtinë

0
119

Këto ditë IWA Bogdani ka botuar librin me poezi ‘Kohë për veten‘ të poetes Angjelina Marku. Po e botojmë parathënien nga Violeta Allmuça.

Parathënie
Pas romanit të suksesshëm ‘‘Dimri i Shekullit“ i cili tashmë është përkthyer edhe në gjuhë të huaj, autorja Angjelina Marku udhëton drejt poezisë duke sjellë për lexuesin vëllimin e parë me poezi; ‘‘Kohë për veten“. Muza e saj po aq me ndjesi artistike dhe estetike na përcjell botën e brendshme jetësore të krijueses si një shpërfaqje drejt së bukurës artistike me një gjuhë po ashtu artistike. Përmasa kohore në poezi është e gjerë ashtu si hapësira e pafund, thuajse universale me një stil unik e frymë tjetër nga vështrimi shpirtëror, me figura letrare si, simboli, metafora e krahasimi që e sjellin aq bukur krijesën e tyre nëpër vargje duke na ravijëzuar, ëndrrat dhe shprehjet poetike. Vëllimi poetik ‘‘KOHË PËR VETEN“ është ndarë në gjashtë cikle: ‘‘Marshi i dashurisë“, ‘‘Era fryn errësirën“, ‘‘Lirikë për një shpirt“, ‘‘Klithje në heshtje“ ‘‘Adresa e atdheut“ dhe ‘‘Frymë shprese“.
Poezitë e dashurisë përbëjnë kapitullin më të bukur, ku një cikël i mrekullueshëm me poezi na shfaq botën e saj të drejtëpërdrejtë me fjalën, si një strukturë e diskurs letrar nëpërmjet një ligjërimi tokësor të hapur, me mesazhe të frymëzuara nga arti poetik. Simbolika e tokës së të parëve, bjeshkëve dhe njeriut shqiptar shoqëron vargjet meditative me të cilat ndërtohet sentenca e fjalës artistike.

Le të lexojmë disa poezi të autores: Eja pra sonte e falma/një copë zemër/t`i dhuroj dy jetë/Eja se etje ka nata/ti engjëlli dhe harpa/ i ëndrrave të mia. Poezia (EJA).
Kur shkruajmë për një krijuese të talentuar që në krijimtarinë letrare ka një vështrim tjetër por origjinal për vargjet poetike, të cilat i përcjell me një ndjesi të thellë duke krijuar botën e saj artistike, në gjininë e poezisë na duhet të shikojmë hapat e saj në bashkëbisedimin poetik me dashurinë. Fryma shpirtërore e vargjeve përshkohet nga dashuria, paqja dhe liria. Ajo nuk iu drejtohet imazheve, por shfaqet si një idealiste që bart jetën dhe e lidh fatin e poetes me fatin e jetës njerëzore.
Tash pra të pijmë/verë me shishe/gotat t`i thyejmë copë-copë/s`ka largësi/që na ndan shpirti im/…sa e madhe, sa e vogël/thonë është kjo botë. Poezia (SHPIRTI IM).
Angjelina Marku e fryn errësirën duke iu lutur erës dhe identifikon interpretimin e realitetit të jetës së njeriut shqiptar. Elementi lirik vihet re në poezitë me motive të ndryshme të shprehura në konstitucionin shpirtëror lirik me lëndë nga vendlindja e atdheu, që tregojnë rrjedhën e vizionit poetik e stilistik. Poetja është aktuale dhe bashkëkohore me ato çfarë shkruan në aspektin e përgjithshëm poetik dhe konkretizimin artistik. Përjetimi asociativ-estetik në poezinë e autores shfaqet në organizimin e lëndës jetësore të vargut të lirë si vetëdije e vizionit poetik i cili shpie
në strukturimin artistik të fjalës poetike në tekstin letrar. Nuk i dua/të vërtetat e vdekura/as buzëqeshjet e helmuara/jo, nuk i dua/ urtitë e çmendura/ as dashuritë/ e perënduara. Poezia (FTESË).
Poezitë me temën e dashurisë spikasin më shumë në këtë vëllim poetik. Duke u shprehur me fjalë artistike struktura e librit dhe poezia e saj sjell vetëdijshëm edhe mesazhe për lexuesin e gjerë duke vënë në funksion vizionin estetik. E mbështetur në rrënjët e botës së saj të brendshme, pra në botën e atdheut të përjetshëm, në fatin e tij, të tashmen e të ardhmen, ndodh edhe interpretimi i vetëdijes së veprës letrare-artistike. Lënda poetike pasqyrohet nëpërmjet artit të fjalës, dhe figurave letrare me përmbajtje metaforike, si molekula dashurie, sytë e zemrës, shiu i mallit, etj. Vargjet poetike njësohen me njeriun po aq sa edhe me vetveten. Trajtimi poetik i jetës perceptohet artistikisht duke filluar nga Kosova ku shtrihet zëri i saj por edhe në udhët e gjata të jetës. Ja çfarë na thotë: – E shpirti i të gjithëve/do t`pushojë i qetë/vetëm kur ti të kthehesh/këtu ku more emër/këtu ku more jetë/këtu është Adresa e Atdheut. Poezia (Për këtë emër). Dihet se poetët gjithmonë për shkak të poezisë u besojnë ëndrrave. Atdheu mbetet një dhimbje shpirtërore që ka lidhje të fuqishme me poetët. Është dashuria e parë dhe e fundit. Krahasimi e lotit me yjet është forcë përjetuese. Komunikimi gjuhësor u jep vlera artistike poezive të këtij libri Angjelina Marku
mbresëlënës si tërësi poetike i shkruar nga një krijuese e mirëpritur në letërsinë shqipe.
Violeta ALLMUÇA Shkrimtare

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here