Dr. Xhemil Bytyçi boton librin me drama ‘Valët e jetës’

0
374

PARATHËNIE

DRAMA EMOCIONUESE DHE SHQETËSUESE PËR ATDHEUN DHE SHOQËRINË

Xhemil Bytyçi, një kirurg-urolog me nam në fushën e mjekësisë dhe pedagog shumëvjeçar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës qysh kur ka qenë gjimnazist në Prizren kishte filluar të merrej me shkrime letrare. Si i ri (në vitet e ’60-ta të shek. XX)  kishte shkruar vjersha dhe një dramë. Që nga ajo kohë ai s’ka rreshtur së shkruari, ndërsa në këto dhjetë vjetët e fundit ka botuar disa përmbledhje me vjersha dhe me drama. E kultivon me mjaft sukses poezinë e llojit të haikut dhe tankut të njohur japonez.

Në këtë vështrim do të bëhet fjalë për tri dramat, përkatësisht trilogjinë “Valët e jetës”. Këto drama sjellin emocione dhe shqetësime dramatike. Secila nga këto tri drama ka veçantitë, por edhe ndërlidhjen me njëra-tjetrën. Drama e parë “Valët e jetës”, me strukturën e saj, që nga fillimi e deri në fund lidhet me dy dramat në vijim.

Drama “Valët e jetës” në mënyrë shqetësuese dhe emocionuese trajton çështjen e dy fëmijëve të lindur bineq dhe të mbetur jetimë pa nënën, e cila ju vdes në spital gjatë lindjes për shkak të gjakderdhjes. Përkundër përpjekjeve të mëdha që bëjnë mjekët për t’ia shpëtuar jetën, ajo vdes. Babai i fëmijëve gjendet para situatave të rënda. Lëre dhembjen që i vdiq bashkëshortja, po halli, ç’të bëjë me fëmijët, si t’i rrisë, kush të kujdeset për ta? Gjyshja dy sy e verbuar dhe e vetme në fshat nuk është në gjendje as për veten të kujdeset e lëre më për këta dy fëmijë bineq. Rustemi, babai i bineqve, vetë është i varfër dhe me punë në kurbetin e shkretë në Paris. Ta lë punën dhe t’i rrisë fëmijët? Si i varfër dhe të bëhet edhe më i varfër në fshat, me se do t’i rrisë? Pra, babai Rustemi gjendet para dilemave të mëdha dhe e vetmja zgjidhje ishte ashtu siç i propozoi personeli mjekësor – që të birësohen fëmijët. I gjejnë dy familje të njohura që s’kanë fëmijë dhe i birësojnë në dy qytete të ndryshme. E pastaj drama e tyre e jetës vazhdon në dy dramat në vijim. Autori, si njohës i mentalitetit të fshatarit tonë dhe tragjedisë që i ndodh fshatarit të varfër ka shfaqur tërë psikologjinë dhe dhembjen për këtë ngjarje. Shpendin dhe Lirijen (vëlla e motër të birësuar) i përcjell fati i pafat edhe në dy dramat në vijim, prandaj dramat quhen trilogji dhe teorikisht kjo qëndron.

Në dramën e dytë “Shtigjeve të jetë-vdekjes” trajtohet një çështje e veçantë përmes dy personazheve kryesorë: Shpendit dhe Lirijes, por edhe personazheve të tjera. Janë momente vendimtare, atdheu dhe liria e popullit ndodhet në rrezik nga pushtuesi serb. Shpendi dhe Lirija nuk hezitojnë, i përgjigjen thirrjes së Atdheut. Pra, bëhet fjalë për luftën e fundit dhe formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta mbrojtur popullin dhe Atdheun. Shpendi i shkolluar në një akademi prestigjioze ushtarake të SHBA-së, kthehet në Kosovë dhe fillon organizimin e celulave të para të UÇK-së bashkë me shokë për t’iu kundërvënë krimeve të forcave ushtarake, paraushtarake dhe policisë serbe dhe për ta mbrojtur popullin e pambrojtur shqiptar. Shpendi e ka të qartë se pa armë dhe pa gjakderdhje populli nuk mbrohet dhe liria nuk vjen në pjatë, prandaj e sheh më se të nevojshme organizimin dhe mobilizimin për formimin e UÇK-së. Ai si epror ushtarak nxit frymën luftarake te popullata për çlirim dhe mbrojtjen e atdheut. Ai s’ka dilemë, Atdheu duhet mbrojtur me çdo çmim. Këtu shfaqen luftëra të ashpra të UÇK-së kundër ushtrisë okupuese dhe paramilitarëve kriminelë serbë. Sidomos                bëhet fjalë për luftëra të ashpra  dhe spastrimin etnik të popullsisë  fshatare shqiptare. Në dramë shfaqet edhe  krimi më makabër i familjes së Daut Fazliut,  pushkatimi i gjithë familjarëve të tij nga paramilitarët. Lajmi i krimeve makabre në këtë familje si dhe deportimi i popullatës jashtë kufijve ngriti shqetësime të mëdha. E gjithë popullata, me urgjencë fillojnë të largohen nga shtëpitë dhe trojet e tyre etnike vetëm e vetëm për ta shpëtuar kokën e tyre.

Personazhi Shpendi paraqitet me virtyte të larta njerëzore, atdhetare… Ky është personifikim i HEROIT për çlirimin e vendit. Paraqitet edhe jeta me  kompleksitetin  e saj, shfaqet edhe dashuria e Shpendit ndaj Lirijes, e cila gjithashtu është luftëtare e UÇK-së, e dashuria si dukuri njerëzore shfaqet edhe në paqe e edhe në luftë. Dashuria s’njeh kufij…

Autori është i vetëdijshëm edhe për dobësitë eventuale të njerëzve, prandaj ai kritikon disa persona të pandërgjegjshëm, të pamoralshëm, korruptiv dhe që nuk zgjedhin mjete për të ardhur në pushtet sa për të grabitur e për t’u pasuruar dhe për ta lënë popullin në varfri. Shfaqen skena makabre, dhunime, vrasje, krime të tmerrshme të forcave ushtarake e paramilitare serbe. Në dramë shfaqet edhe fenomeni i tradhtisë dhe për tradhtarët autori është i pakompromis – kërkon të dënohen sipas ligjeve të luftës.

Skenë tepër morbide në këtë dramë është pamja “Sfilata e seksit”, që organizohet me vajzat shqiptare të zëna peng nga forcat më të errëta të paramilitarëve dhe ushtarakëve serbë, e që përfundon me dhunime, vrasje, por edhe ikje e një vajze  nga ky tmerr i papërshkruar i të keqes njerëzore.      

Në dramën e tretë “Heronjtë duhet nderuar”  autori Xh. Bytyçi me dhembje të madhe në shpirt rrëfen për dukuritë negative të shfaqura pas luftës gjatë shtetndërtimit të vendit. Në pushtet vijnë jo njerëzit e ndershëm e me merita, por matrapazët, zhvatësit, kriminelët e krimit të organizuar, njerëzit e pamoralshëm, të tillët që pasurohen në kurriz të popullit. Shpendi në shoqërinë e pasluftës, duke e parë se mungojnë mjetet demokratike për rregullimin e sistemit të drejtësisë për t’i luftuar dukuritë negative të shfaqura, në pamundësi si individ të bëjë diçka më shumë në të mirë të popullit, çmendet. “Lufta e re” në qeverisjen e vendit  dhe pamundësia për ta zhdukur korrupsionin, për ta konfiskuar pasurinë e individëve të përfituar në mënyrë të paligjshme, me mjete demokratike, pra në mënyrë ligjore dhe mungesa e sundimit të ligjit e çojnë heroin kryesor Shpendin në çmenduri, në vrasje dhe në vetëvrasje. Çmenduria kulmon edhe kur merr vesh se e dashura e tij Lirija është motër biologjike e tij, gjë që e pamundëson kurorëzimin dhe martesën e tyre, e ky është një moment kulmor që ia errëson edhe më tepër sytë, mendjen sa që edhe e çmend Shpendin. Edhe Lirija, kur gjendet para këso lloj çrregullimesh dhe pengesash të papritura, psikikisht luhatet, bie në depresion, sepse nga kjo gjendje e krijuar sheh se për të më s’ka kuptim jeta, prandaj dëshiron t’i jep fund jetës duke i prerë venat.        

Këto tri drama janë vepra të reja teatrore të këtij autori që gjithsesi e intrigojnë lexuesin, skenaristët dhe regjisorët për të nxjerrë bërthamën autentike të tyre gjatë inskenimit dhe vënies në skenë. Autori i tyre në këtë mënyrë krijuese plason mesazhin përmes të cilit shpreh preokupimet dhe qëndrimet e veta për ngjarjet shoqërore dhe kohën në të cilën jeton. Akti suprem i dramave është katarza, pra ajo që shkakton humbjen e drejtpeshimit emocional dhe shoqëror. Kujtojmë se një lloj katarre shfaqet dhe është e pranishme edhe në dramat (trilogjinë) e autorit Xhemil Bytyçi.  

​​​LUAN DAKA (regjisor – aktor),

Profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here