Botohet romani i dytë i Angjelina Markut ‘‘Shtyje hënën’’

0
118

Botohet romani i dytë i Angjelina Markut ‘‘Shtyje hënën’’

Ditë me parë doli nga shtypi romani i dytë i shkrimtares nga Gjakova, e cila ka vite që jeton dhe vepron në Vjenë, Angjelina Markut, me titull ‘‘Shtyje hënën’’, i cili mund të thuhet lirisht se është vazhdim i romanit të saj të parë ‘‘Dimri i shekullit’’, i botuar tri vite më parë dhe i përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Tema qendore e romanit është lufta e së mirës kundër të keqes, të cilës i prin një grua e re në moshë, por e cila gjen forcë mbinatyrore për t’u ballafaqur me sfidat me të cilat e konfronton jeta në këtë botë, por edhe përtej kufinjve të saj, në pjesët e nëndheshme dhe të mbidheshme të universit, i cili paraqitet sa abstrak aq dhe real, ashtu siç e imagjinon autorja në ndërdijen e saj.

Helena, kryepersonazhi i këtij romani vazhdon betejën e saj atje ku e lanë prindërit e saj. Në këtë rrugëtim drejt lirisë për vete dhe popullin që i përket ajo nuk është vetëm. Në këtë luftë në krahë të saj është shqiponja, e cila me krahët e shtrirë e mbron trupin dhe shpirtin e saj, dhe atë gjerë në frymën e fundit. Në anën e kundërt janë hijenat, ujqit dhe vampirët, të cilët simbolizojnë smirën, errësirën dhe të ligën. Në këtë ballafaqim ngjarjet kanë një shtrirje gjeografike të shpërdarë në kohë dhe hapësirë, e të cilat ndjekin një kronologji të caktuar, gjithmonë në shërbim të shtjellimit të rrëfimit, i cili përshkruhet me një gjuhë të veçantë në të cilën dominojnë gjetjet e qëlluara të metaforave, simboleve dhe figurave.

Redaktimin e librit e ka bërë Violeta Allmuça, shkrimtare nga Austria, ndërsa nga një vështrim për librin e kanë shkruar edhe Sabije Dervishi-Veseli, shkrimtare me banim në Amerikë dhe Musa Jupolli, shkrimtar nga Franca. Romani u përgadit nën përkujdesjen e shtëpisë botuese IWA Bogdani me seli në Bruksel dhe Prishtinë me editor Jeton Kelmendin.

Angjelina Marku shkruan prozë dhe poezi dhe është anëtare e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë si dhe e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’. Ajo ka marrë pjesë në shumë orë letrare dhe në disa konkurse letrare në të cilat është shpërblyer me çmime.

Vështrim nga Sabije Dervishi-Veseli

       Pasi e lexova romanin “Shtyje hënën’’ të Angjelina Markut shkruar me një stil unik, m`u duk si librat e Harry Potter. Ndjenja shpirtërore me imagjinatën bëhen bashkë dhe autorja shpërthen në një rrëfim duke krahasuar Shqiponjën me atdheun e pamposhtur nga pushtimet e huaja shekullore. Emrat e personazheve janë emra origjinalë të heronjve tanë ilirë. Beteja mes të mirës dhe të keqes duke luftuar për të ardhmen i bën personazhet të gjalla dhe njerëzore, siç janë, Serafini, Helena, Kostandini e të tjerë. Secili personazh përjeton ëndrrat e veta, ku së brendshmi buron drita e hënës. Në mendje të mbeten personazhet që shfaqen në këtë roman brenda një drame ku lëvizin legjendat, shekujt, të fshehtat, sprovat, tradhtitë dhe dashuritë. Në roman flasin shqiponjat, gurët, djajtë, engjëjt, fëmijët, të rriturit, të mbijetuarit, me dyshimet dhe të vërtetat rreth tyre. Secili nga figurat mitike zbulon fuqinë e tij, misterin, dhunën, fatkeqësinë, mallkimin, humbjen apo fitoren për të prekur lirinë! Shpirtrat e heronjve së bashku me shqiponjat fluturojnë qiellit të kaltër duke u bërë të pavdekshëm në duel me përbindshat dhe hijenat. Romani shpesh kthehet në retrospektivë ku zhvillohen ngjarje në një univers po ashtu të pavdekshëm, sa imagjinar po aq edhe real. Pasqyrimi fantastik i vendlindjes frymëzohet nga mitet. Ky roman me një gjuhë të thjeshtë shkruar me mjeshtëri nga Angjelina Marku, na sjell përmasën e jetës ngadhënjyese të shqiptarëve.    

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here