Parathenie nga Dr. Gaetano Appeso per “Nella casa dell’anima” te jeton kelmendit

0
60

PARATHËNIE.

(Dr. Gaetano Appeso – Shkrimtar)
Përktheu nga Italishtja: Aleksandër Çulaj

Një lexim i thjeshtë dhe me ndjesi të thellë që nuk i shqitet mendjes, fshehur mirë midis vargjeve, plagë të vjetra që nuk do të shuhen kurrë. Për të mbajtur gjallë shpresën dhe dashurinë, që shpesh buron nga vargje aspak të ngurtë, porse të fortë për të emocionuar njeriun me muzikalitetin shprehës. Kështu, poeti shqiptar – Jeton Kelmendi, shpalos harmoninë komplekse të shpirtit të tij, shprehur përmes lëvizjeve mjeshtërore të penës, me aftësitë mahnitëse përmes metrikës dhe simbolikës. Një stilolaps që ka zëvendësuar pushkën, në duart e Jetonit të ri, ushtar në terren për çlirimin e vendit të tij gjatë luftës së Kosovës, konflikt i armatosur që zgjati nga shkurti i vitit 1998 dhe përfundoi në qershor të 1999. Ndjesì dhe kujtime që krijojnë dallgë turbolente në mendjen e Kelmendit, duke kërkuar gjithnjë atë shpengim që mund t’i rivendosë atij ekujlibrin e ngjarjeve të jetës. Vargjet dhe metafora shprehin këtë nevojë, duke na sjellë me imazhe reale imagjinatën artistike të poetit, duke lënë të vërshojnë ndjenja si ata lumenjtë e furishëm. Kujtimet ndërthuren me të tashmen: vuajtjet e së djeshmes, të hulumtuara troç dhe pa modesti të rreme, bëhen një bazë e fortë mbi të cilën ndërton të ardhmen, duke shpresuar për një të nesërme më të mirë. Ama, poezia e Jetonit nuk është vetëm një pasqyrë autobiografike. Ajo përmban frymëzim nga elementët e natyrës, nga manifestimet e saj më të zakonshme si ajo e spektaklit të hënës në një natë të vonë vjeshte ose ngjyrat e luleve të pranverës, nga ato më të vrullshmet, si era e Veriut, në gjendje të përkulë edhe lisat më të fortë. Poezia e Kelmendit është soditje, vargje që përmbajnë dhe transmetojnë emocione autentike, qetësi ose gulçim: “e gjithë kjo imagjinatë në rizgjimin të Diellit nga Perëndime gati të fikura”; “Nëse do të isha një rreze dielli do të shtrihesha në kodrat më të bukura në qytetit”. Qartësia e shprehjes është një nga pikat më të forta, që i lejon atij, me sy të magjepsur, të shohë dhe të përshkruajë botën që e rrethon; ato defektet e vogla e të mëdha që e bëjnë jetën e përditshme të vërtetë, të përbërë nga gëzimet dhe neurozat që karakterizojnë ditët tona dhe që ai arrin t’i harmonizojë dhe t’u japë një rrjedhë të natyrshme ngjarjeve. Poezia është bërë ndërmjetëse e përpunimit të jetës së tij, për të mësuar dhe për të dhuruar mbështetje, për të vendosur paqë, nga një mendje zjarrmuese nga peripecitë dhe një zemre që ia ka dalë të ruajë butësinë. Pra, poezia fitoi! Sot Jeton Kelmendi është profesor universiteti, i martuar dhe me dy fëmijë të mrekullueshëm. Shkrimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme dhe janë botuar në disa antologji letrare ndërkombëtare. Domethanë, një jetë intensive midis punës, familjes dhe letërsisë. Kelmendi sot konsiderohet një nga përfaqësuesit më të madhenj të poezisë moderne shqiptare. Ai ka marrë medalje dhe çmime të shumta dhe më 2019 i është akorduar Çmimi Neruda Award. Një shpërblim i merituar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here