Reflektim për Romanin e Mhill Velaj ,, NË KËRKIM TË MIMOZËS” nga Vilson Culaj

0
57

ROMAN I TRAGJIKES DHE ALTRUIZMIT

Reflektim për Romanin e Mhill Velaj ,, NË KËRKIM TË MIMOZËS”

Nga Vilson Culaj

Ky roman i Mhill Velaj shpërfaq dramën e individit që rrëshqet drejt dramës së mirëfilltë familjare, deri në kufijtë e ekzistencës njerëzore, sfilitjes e mbijetesës së një gruaje, një nëne në kërkim të jetës, por të mohuar nga të tjerët. Është saga e një fëmije të braktisur nga prindërit gjer në shkallën e mizorisë dhe përbuzjes për ta ndjekur pareshtur kjo re e zezë abuzimesh e mohimesh edhe si grua e martuar dhe prapë e abuzuar, e dëbuar, e keqtrajtuar dhe keqkuptuar nga bota që kurrë nuk di të bëhet krahu e ‘skeptri’ i njerëzve plot vuajtje që thërrasin klithin në shkretëtirë. Në këtë roman të dramës, rrëfehet e reflektohet mjeshtërisht nga pena e Mhill Velaj ‘rrezja hyjnore’ dhe ëndrra e një nëne për ta jetuar jetën me dinjitet në krahët e burrit dhe të vetmes fëmijë të saj, Mimozës, por është mungesa e dashurisë prej të tjerëve që bëhet shkak i tragjedisë së saj. Janë ishujt e zjarrit që flasin poetikisht përmes fatit tragjik, janë klithmat e malli i një nëne rakeliane që në kohëra stuhish shpirtërore dhe mjegullnajash kohore, humbi të vetmen vajzë të cilës ora e kohës e 38 viteve e ka privuar nga ujdhesa e lumturisë së zemrave duke mbjellur fatin e të dyjave në humnerë. Drama e rrëfimit romanor nuk është një imagjinatë e autorit Velaj, por buron nga parzma e zemra, rrëfimi e balada vertikale e një gruaje të vuajtur dhe të shndërruar në viktimë të shekullit dhe thelbësisht të dashurisë. Është harta shpirtërore e një nëne të skalitur mbi tragjedinë e saj dhe akti biofilik përmbi ferrin që di ta ofrojë bota bashkëkohore mizantrope. Me një fjalë, është pengu i jetës së një gruaje të mbijetuar dhe tani në kërkim të kërthinjit së saj, si akt pendimi e ngadhënjimi, por edhe lumturimi, nëse një ditë dora e ngrohtë e vajzës do t’i trokasë në derë. Gruaja e kryqëzuar nga koha e fati i lig, pret si ‘Rozafë e murosur’ kthimin e vajzës së saj, më jo për ta shndërruar dramën në lumturi, por për t’i brohoritur botës e ndërgjegjes: “Isha e vdekur e u ringjalla, isha e humbur dhe e gjeta veten sërish, më verbuan kur kërkova dritën, megjithatë i këndoj psalme jetës edhe pse kurrë nuk e shijova atë”. Kjo plagë letrare e fatit individual nuk është diskurs nihilist, por altruist i të rrëfyerit porsi një postulat kohërash, se vetëm dhimbja, dashuria dhe kërkimfalja do na çlirojnë nga akujt e zemrave. Thënë shkurt: ky është romani i plagëve të një nëne e cila kur zemra e ftoi në lumturi, kishte harruar edhe emrin e saj nga vuajtja e mohimet. Mimoza është tingulli i një porte zemre dhe shëruesja e plagëve ndër dhjetëvjeçarë të përvuajtur, që i duhet kuraja për të trokitur në portën e lumturisë së nënës së saj. “Kërkoj Mimozen!”, klith zemra e një nëne që kumbon në veshët e botës e lexuesit kureshtar, i cili në mungesë ndjeshmërie, do t’ia mohojë vetes sakaq një akt sublim letrar të shkrimtarit Velaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here