Tri poezi nga Jeton Kelmendi

0
888

DO TË TË THEM DIÇKA

Nga goja
nga shpirti, më dalin ca mendime
të çuditshme
herë duken sikur gjëra që shkojnë
herë sikur, kur vijnë
prej një bote tjetër fare
nga kjo që e kemi gjerë më tani

E di që shumë nga këto
janë një pak, më pak se krejt të paktat
dhe se gjuha e tyre është e pafolur
e pashkruar,
por them se është diku.
diku mes meje e teje jeta ime
e jetuar shpejtë

E derisa të gjitha gjuhet e kanë alfabetin
e vet, nisen nga e para
kjo gjuha që s’po merremi vesh ne
niska nga një fillim tjetër

E koha një ishull banimi i të pakohëve
që u jep kohë atyre që nuk kanë kohë
një grup fjalësh të pafjala më vijnë
gjithnjë nëpër pikën kufitare të
shpirt-mendjes më vinë

Ia fsheh vetës
të mos mi dëgjoj shikimi
të mos më sheh dëgjimi
siç ndodh me gjërat tjera

Le t’i dish më mirë
gjuhët e pa komunikuara, të pakoha
se kjo që po e flasim në tatëpjeti
Kuptimeve të pakuptimta.

Në pajtim me çudirat e mia
me asgjë të tjera, kjo lojë të ketë
rregullat

Ashtu që pas lojës
se kush ta pranojë rezultatin
dikush të jetë humbësi e dikush fituesi.

 

E MORA VETËN ME VETI

I.
Fillimisht
një rrugë e ngushtë
sa mezi vetën ta zë, me marrë me veti
pastaj ec e ec deri te pika e parë,
atje ku edhe fillon kuptimi

rrëmujshëm
m’u shfaqën shumë shpejtë ëndërrimet
teksa një ditë nisa me i pa
gjumnajave të zgjuarjeve
ta pruna vetën time në shkollë
mësuesi Ukë, ma oriento tutje,
do ta bart deri ta qes matanë

atje ku janë kuptimet plotë

jeta ka dëshirat e veta
ashtu i ka edhe dashuria
por të pafundme

do të vijmë pas zgjuarjeve
të dritës, fatit të njeriut si dihet
ka diçka të fatshme kjo rrugë.

II.

E pasi i kalova diku
vetëm hapat e parë
rrugëtimit të jetës
nis me m’ përftua fati i vetës time
mirënjohje i shpreh guximit
për ditët që vijnë,
për syrin larg hedhës, besimin shprehës
nëse ka diku të vërtetë
duhet pasur guxim të besosh
kështu pra Atdheu i robëruar
ta pruna vetveten deri në fund të vuajtjeve

gjithë kjo zhgjëndërr e gjatë
sa s’u shuan lindjet e Diellit
një ditë plasi ma, nisi lufta në Kosovë
e tash thanë: këtu e tutje fajtor është pafajësia
me emra ma pagëzuan vdekjen
me mbiemra lirinë.

 

PARA SE TË SHKRUAJ

 

Nuk më duhen gjë bukuri njerëzore,
femra që i do syri, mendja e shpirti
poezia nuk është art
nëse nuk shkruhet më thellë
se fundi i fuqisë

si t’i them vetvetes poet
nuk kam mundësi ta mas zhgjëndrrën
me ca ëndërrime
qoftë edhe më të bukurat soje
sikur këto fjalë që presin të shkruhen
kështu idetë rrjedhin, si rrjedh
jeta

me fjalë të zgjedhura, si të pashkruara
më pare,
mendimi rritet sa heshtja
kuptimësohen ngjarjet, ky shkrim
për ty
për vargun tim
për qasjen tënde të re

ç’pamje të bukura Liqeni i Comos
maja atje lartë përbri,
dielli lëshoi rrezet mbi ne, të mos
shohim njëri-tjetrin përmes
xhamit të terasës
dhe s’pashë gjë tjetër
e nisa të shkruaj
lirikë

lere tani shikimin tënd pushtues
lere edhe shkrimin më,
Unë shkrova në shpirtin tim
një ngjarje
që çdo kush do ta kishte lakmi
më tha,
dhe u nisëm tatëpjetë diku
ku Akoma nuk kemi mbërri

nuk ia mbylla bisedës derën,
që ajo të futet brenda e lash
dhe fjala m’u bë, fjali e frazë
se s’kam ku të shkoj më tha,
prandaj
shkrimi ka rrënjët kaç thellë
e nuk ç’thuhen lehtë.
koha kohës i prinë,
ndodhi e saj isha
teksa nga kjo gjë u bë poezi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here