Number of visitors on page:

N/A

Cikel poezive nge Engjëll I. Berisha

Page Visitors:

N/A

Nga Engjëll I. Berisha

Muzikë kamertale

 

  1. (Shtrati i dehur)

 

Derisa ti fle buzë shtratit tim

gjumi të merr si e dehur

eja të dalim nga kjo dhomë

të zgjohemi se na trullosi melankolia

me veglat e muzikës në shtrat

si në thellësi të pyllit zëri

tingulli kamertal si qiell i paqes
këndon me zë kuarteti prej dylli

kjo është muzika që vjen përtej

në largësi me tjetër emër

syri im merr vrap ëndërrimet

nuk dua t’i ndjekë këmbët

ato më rrinë zgjuar

më shpijnë drejt trupit tënd

mishit e epshit

vdekja andej në heshtje jeton.

 

  1. (Për një këngë)

 

Jam i ri vetëm për një këngë

veglat e muzikës, si dhëmbi i tigrit
presin në duar, ndizen dhe ndihen
druri i vjetër i instrumentit të shenjtë
shkruan misterin, vjetërsinë

një mijë vjet, e përsëritur
pritja ime si rrënjët e dheut

por akustika, kur s’je ti
këndon më fort, si i verbër në errësirë

në rininë time, çdo tingull ka qenë metaforë
e mbushur me pasion bukurie
por tani, akordet e mia janë meditim
më mbajnë të ngulitur, pak të fjetur

pak sa i menduar.

  1. (Dhoma me dollap)

 

Në dhomë prej druri e gëlqere e bardhë

shtrati, librat përballë syri i muzikës

nëntë muaj, pasi të ketë lindur

pik qumësht gji i diellit kah perëndon

purpuri i rrezeve i përflak larg

bjeshkët në kufi me mall

ndjesia lum vërshimi m’i zë gjunjët

eci këmbë ëndrrës

në muret që presin dritën

purpuri i rrezeve i ngjyros si gjak
e sytë janë lajthitur pas zërave
këmbët janë të ngurtësuara
por ende eci, eci pa reshtur
në këtë rrugë të ëndrrës

një tjetër hap i fshehur
dritarja është e hapur
po nuk sheh asgjë
vetëm flakë e shuar, e nuk digjet
unë eci
si njeri që ka hamendje në cilin drejtim
në këtë dhomë që ka mbetur vetëm çati
vetëm jam në somnambulë që thërret.

  1. (Historia e dhomës)

Në çdo pëshpërimë, një histori e mbyllur
për tingujt e tjerë, për jetën që ka ikur
për instrumentin që kujton të tregoi
në rrethet e kohës

askush nuk arrin të fluturojë

vetëm se mbetet i madh në dhimbjen e tjerëve

të gjitha ia kujton muzika kamertale

tingull i fshehur
kuarteti prej dylli, frymëmarrje e lashtë
dëgjohet në errësirë, si një qetësi e humbur
veglat muzikore prej dhëmbit të tigrit,
shkrin në duar të trazuara

e mundimshmja

druri i vjetër i instrumentit
një dëshmitar i kohës, pa moshë
në çdo lëvizje të gishtit tim
frymëmarrja e saj ka ndaluar në përjetësi,
dhe tingulli i çdo note është melodi e dëgjuar
dikur, në rininë time.

  1. (Dhoma me vese)

Një mijë vjet, është dëgjuar kjo akustikë
nuk i është dhënë asnjë emër
më shumë lakmi, vese të vjetruara

i nxjerr kah dritarja secilit le ti jenë të idhca

edhe sot nuk kanë emër të veçantë
çdo prekje është një kthim nga harrimi
çdo tingull është një kujtim

pritja ime është agjërim
koha e bën më të thellë
akustikën që e kërkova në rininë time
si një melodi e vallëzuar mbi lumenj
ende dridhen tingujt e saj
në çdo qelizë të kujtesës së shkrirë

ç’mund të bëjmë tjetër të mos e shlyejmë

pos tinëzisht si imitim

ashtu, sikur e bëri Penelopa me shtizën.

Biografia e autorit 

Engjëll I. Berisha, është i lindur më 17 qershor 1962 në Korenicë të Gjakovës, Kosovë. Studimet i mbaroi për Gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës,  kurse studimet post- diplomime, ku mori gradën Magjistër i shkencave për informacion e bibliotekari, i kreu në Zadër të Kroacisë.

Me librin e parë “ Dita me hënë e me nuse”, del në vitin 1989 duke vazhduar pastaj edhe me disa përmbledhje të poezive.

Në vitin 1993 themeloi revistën letrare “Gazeta letrare” duke qenë dhe kryeredaktor i saj. Prej vitit 1991, angazhohet në kryesinë e Teatrit Amatorë  në Gjakovë.

Gjatë viteve 1995-1999, ka punuar në media, në të përditshmen “Bota sot” dhe të përjavshmen “Eurozëri”. Në vitin 2002 zgjidhet kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, klub ky i themeluar në vitin 1964. Aktivitetin kulmor ky klub e ka në organizimin e manifestimit më të madh letrar, Mitingu i Poezisë. Në vitin 2012, zgjidhet anëtarë i Këshillit Profesional për Teatër në Gjakovë.

Përfshihet i prezantuar në Fjalorin Enciklopedik të botuar nga Akademia e Shkencave e Kosovës. në vitin 2017.

Është anëtar i PEN Qendrës në Kosovë.

Punon dhe drejton Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova” në Gjakovë prej vitit 2000.

Librat e botuara

– “Dita me hënë e me nuse” poezi “Buzuku”. Prishtinë, 1991.

– “Avenytë e muzgut”, poezi, Agjencia e autorëve”. Prishtinë, 1994.

– “Diaspora shqiptare”, tregime “Pjetër Bogdani”, Has, 1993.

– “Gjarpri në shishe”, poezi “Rozafa”, Prishtinë, 2000.

– “Masakra e Mejës e Korenicës”, publicistikë, “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë.

– “Çati eshtrash”, poezi, “Rozafa”. Prishtinë, 2003.

– “Kujtesë e dehur”, poezi “Rozafa”. Prishtinë, 2003.

– “Dyert e qiellit”, rrëfenja-publicistikë, “Rozafa”. Prishtinë, 2005.

– “Roli edukativ i bibliotekave shkollore dhe publike në Kosovë”, Botues: Biblioteka “Ibrahim

    Rugova”, Gjakovë, 2011.

– “Martirët e Korenicës”, Monografi. “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2013.

– “Zoti i dashurisë”, poezi, Bruksel, 2016.

– “Syri blu”, poezi, Botoi IWA Bogdani, Prishtinë-Bruksel, 2018.

– “Gjuha e sublimit poetik”, kritikë dhe ese. Botoi “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë. Viti 2019.

– “Heshtja i rrëfehet natës”, poezi. Botoi IWA Bogdani, Prishtinë-Bruksel, 2021.

– “Në mes luftës e paqes”, Monografi e SHHB “Nënë Tereza” në Zvicër.

 – “E diela e lutjes”, poezi. Botoi IWA Bogdani, Prishtinë, 2024.

– “Rituale shpirti, poezi. 2025.

New Articles