Number of visitors on page:

N/A

PËR VISARIN, NË DRITËN QË S’FIKET (Për mikun tim Visar Zhiti) nga Jeton Kelmendi

Page Visitors:

N/A

Luan Topçiu, Jeton Kelmendi, Visar Zhiti dhe Eda Agaj Zhiti në Craiova 2023

PËR VISAR, NË DRITËN QË S’FIKET
(Për mikun tim Visar Zhiti)

Në fillim ishte Heshtja —
ajo që Zoti e mbante para se të fliste.
Dhe kur Ai foli,
zëri yt, Visar, ishte tashmë në fjalët e Tij,
si një dritë që e mësoi terrin
të mos ketë frikë nga vetvetja.

Ti nuk u zgjodhe për të vuajtur,
por u bëre dëshmi —
se kur njeriu bie në humnerë,
shpirti ka krahë që i mësohen fluturimit.

Në errësirën e qelisë,
poezia jote s’qe më thjesht art,
por një lutje që nuk kërkonte përgjigje,
sepse vetë dhimbja ishte përgjigjja,
dhe përgjigjja u bë fuqi.

Ti ke pirë ujin e hidhur të atdheut,
e ne bashkë ajrosemi nga ajo letërsi
që të jep etje, jo ngopje,
nga ajo gjuhë që e shndërron dhimbjen në flakë
dhe e lë shpirtin të ndritë edhe kur s’ka më dritë.

Dhe kur Atjoni u largua,
e mora vesh që qielli s’e pret gjithmonë kohën —
ndonjëherë e merr tokën herët.
Ai shkoi, si engjëll që s’kishte frikë prej asaj
që ne s’e dimë.
Ti e çove lulen tek varri i dritës,
dhe mbi varr vure librin,
sepse zemra jote ka mësuar të mbajë
edhe të papërballueshmen.

Çfarë është një baba, përveç një Zoti i vogël
që nuk ka fuqi ta ndalë përjetësinë?
Por ti, o mik i rrallë,
e munde vdekjen me fjalë,
ashtu siç e mundet dhunën me heshtje
dhe burgun me shpirt.

Pse vuajmë? — e kam pyetur veten
në dritën tënde që s’fiket.
Sepse dhimbja është mënyra e Zotit
për të na thënë se ekzistojmë.
Sepse fjala që s’të shëron,
është ajo që të shpëton.

Dhe kur të shoh,
ndiej se ka ende profetë pa emra,
dëshmitarë që nuk kërkojnë lavdi,
po ndajnë bukën e fjalës me të uriturit e së vërtetës.

Ti nuk e shkruajte vetëm jetën tënde, Visar,
por e përjetësove me çdo varg —
një testament i njerëzimit,
që qetëson të gjallët
dhe flet me të shkuarit.

Atjoni tani është në parajsë,
aty ku fjalët nuk kanë nevojë të shkruhen,
por ndizen si yje që vetëm poetët i kuptojnë.
Ti e di: dashuria s’mbaron me vdekjen,
ajo e gjen rrugën prapë,
nga zemra jote te qielli,
si një psalm që s’e ndal as koha.

Prishtinë me 17 maj 2025

New Articles