Maria Lisella
E lindur në South Jamaica, Queens, Maria Lisella është poete dhe shkrimtare udhëtimesh. Ajo ka përfunduar studimet në Queensborough Community College dhe Queens College, mban një diplomë master nga NYU–Polytechnic Institute dhe ka ndjekur Shkollën Pasuniversitare të Gazetarisë në Columbia University.
Lisella është autore e tre librave me poezi, përfshirë “Thieves in the Family” (NYQ Books, 2014) dhe “Two Naked Feet” (Poets Wear Prada, 2009). Ajo kuron prej 29 vitesh serinë letrare të Italian American Writers Association (IAWA) dhe është anëtare themeluese e rrethit poetik online Brevitas. Si shkrimtare udhëtimesh e vlerësuar me çmime, shkrimet e saj janë botuar në USA TODAY, The Jerusalem Post, Travel Market Report dhe në gazetën dygjuhëshe La Voce di New York.
E përmendur me Honorable Mention për Allen Ginsberg Poetry Award, Lisella ka ligjëruar anglishten si gjuhë e dytë dhe shkrim akademik në Touro College. Ajo ka dhënë mësim gjithashtu turizëm dhe hoteleri në Borough of Manhattan Community College. Që nga viti 2015 shërben si poete laureate e Queens, New York, dhe ka jetuar në Astoria, New York, për dyzet vjet.
TË FALA MARIA
(Hail, Mary)
Maria Lisella
Mirëmëngjes, buen día Mari
Plot hir e urtësi dhe fuqi
Zoti qoftë me ty, dhe ti
Qofsh e bekuar ndër gratë, por—
Po fëmijët? Jo ai
Në bark, i shenjtëruar
Si Biri i Zotit, por Zoti yt,
Zoti im ka shumë bij, bija gjithashtu
Në mbarë botën. Jo të gjithë janë të bekuar
Disa janë të mallkuar e të humbur, nën grumbuj
Rrënojash në Ukrainë, Jemen, Izrael, Palestinë, Gaza;
Të tjerë jetojnë në errësirën e verbërisë, janë
Të përndjekur nga halucinacione, të mallkuar me spazma
Të një mendjeje që u bën lojë gjithë ditën, gjithë
Natën. Imagjino një grabitqar pas teje, në
Hijen tënde, i heshtur, tinëzar, që të vështron mbi sup
Ose nën shtratin tënd. Nuk e sheh, por e di
Se është aty dhe do të të bëjë keq, jo
Për ndonjë arsye tjetër, veçse sepse je aty ku je
Jo për një akt që ia ke bërë dikujt tjetër,
Thjesht për atë që je. Fat shorti?
Dhe o Mari e Shenjtë, Nënë e Zotit, a lutesh
Për të pafajshmit po aq sa për mëkatarët? Pilotët,
Ushtarët që lëshojnë raketa artilerie, a janë edhe ata
Në lutjet e tua? Raketa me rreze 30–50 milje, të qëlluara
Në breshëri për efektin më të madh, dëmin më të madh.
A janë edhe ata në lutjet e tua drejtuar zotit—dhe cilit zot
Do të ishte ai? Si duket ai Zot, çfarë
Mendon ai zot, çfarë planifikon, pse ai zot kurrë
Nuk ndërhyn? Njerëz që qëllojnë urrejtje dhe raketa verbërisht
Në Ashkelon, Beersheba, nën sytë e dronëve izraelitë…
Rrezja është thelbësore për raketat, edhe për lutjet.
Lutu për ne mëkatarë dhe për të pafajshmit, për djalin tim
Që jeton në një botë të përndjekur nga demonë që s’i sheh
As s’i prek, as s’i dëgjon, por e di se janë aty; ndaj muzika
Dhe fjalët i vijnë si një rreze drite, ditën
Ose natën, i ngritin zërin mbi zhurmën në trurin e tij, për të
Ndier ngritjen mbi kupolën e hekurt të paranojës, hovin
E shpirtrave që e përndjekin, fluturojnë e pushtojnë shtratin e tij të vogël
Në një institucion me mure betoni, dritare me rrjeta që ai nuk i
Sheh, por e di se janë aty: kufizimet, mungesa
E lirisë, jashtë-brenda; bijtë e bijat e tjerë
Në Gaza, ose Jemen, ose Ukrainë, bombardohen me një mori
Fuqish ajrore të përdorura në një seri sulmesh gjithnjë e më të ashpra.
Ajo që i uroj djalit tim është ngushëllim, ngrohtësi, të dijë
Se ka një vakt, një çati mbi kokë, një qen te këmbët, një
Diell që mund ta ndiejë por jo ta shohë… Nënë e Zotit, çfarë
U uron bijve e bijave të tua tani dhe në çastin
E vdekjes së tyre? Kur do t’i dëgjojë zoti yt lutjet e tua, apo
A janë heshtur nënat dhe bijat në
Tunele, bodrume, rrugë—i kanë humbur
Zërat e tyre, fuqinë për të shëruar, tani dhe në çastin e tanishëm?