Number of visitors on page:

N/A

Poezi sot e ka diten e vet – Jeton Kelmendi 21 mars 2025, Prishtinë

Page Visitors:

N/A

POEZIA SOT E KA DITEN E VET

Kam hyrë sot në një varg,
dhe fryma më mori, pa ndal,
nëpër vargje tjera që rrjedhin,
si lumenj të pafund të paqes.
Çdo fjalë është një hap i dytë,
e çdo fjalë që lëviz, ndalon,
ashtu si treni nëpër stacione,
poezia është udhëtimi,
dhe unë, fryma e saj që nuk ndalet.

Poezia është ajo që na duhet për këto kohë,
nuk është as ajo që e shikon bota tani.
Por ne jami fryma e fjaleve që udhëtojnë,
nga një pikë në tjetrën, si shigjeta e shpejtë,
dhe ndalojmë, por nuk ndalohemi kurrë,
sepse poezia nuk njeh as kohë,
as vend, as kufij,
ajo jeton aty ku njeriu ka ndaluar,
aty ku çdo mendim ndal lëvizjen e një stuhie të brendshme.

Poezia është sikur bota,
në të jetojnë të gjitha qeniet poetike,
ata që flasin dhe ata që heshtin,
ato që ndjehen dhe ata që shuhen,
ajo është e gjallë dhe e vdekur në të njëjtën kohë,
si një rreth i përhershëm që s’ka fund,
sepse çdo fjalë është një lindje,
dhe çdo varg është një vdekje që ndodh sërish
në çdo moment të pafund që po kalon.

Siç thoshte Azem Shkreli:
“Poet është ai që mund të lindë dhe të vdesë
për secilën fjalë dhe secilin varg.”
Por, poet është ai që merr shpirt nga çdo tingull,
nga çdo heshtje që bie si një shi mbi tokën e lënë pas,
ai që gjen paqen në përplasjen e fjalëve,
ku çdo varg është një betejë dhe një paqe tjetër.

Sot me 21 mars është dita e poezisë,
por poezia nuk ka ditë të vetme,
ajo jeton në çdo sekondë që kalon,
në çdo mendim që fluturon,
në çdo frymë që ngulitet në trupin e poetit,
dhe çdo moment kur fjala bëhet ligj i brendshëm,
i natyrës dhe i qenies që flet për gjithçka dhe asgjë.

Poet është ai që përjeton dhimbjen dhe kënaqësinë
në të njëjtën frymë, në të njëjtën fjalë,
ai që arrin të kapë çdo copëz të realitetit,
të bëjë të dukshme atë që është e padukshme,
të hedhë dritë mbi ato që janë të errëta,
për të krijuar një univers të paqes dhe luftës,
në vargje që thuhen dhe nuk thuhen kurrë.

Poezia është frymë që udhëton pa ndaluar,
ajo është udhëheqësja që na çon përtej vetes,
përtej kufijve të zakonshëm të jetës,
dhe na flet për të panjohurën, për të pamundshmen,
për atë që do të vjen dhe për atë që ka kaluar.

Sot, çdo varg është një shenjë që lë pas,
poezia është drita që ndriçon çdo ditë,
ajo është dielli dhe hëna që nuk i ndahet natës,
dhe kështu, për çdo poet,
dita e poezisë është gjithmonë,
sepse poezia, si bota, nuk ka kohë,
ajo është përherë e pranishme,
dhe njëherësh, është përjetësisht e humbur.

Sot është dita e pranverës,
dhe pranvera dhe poezia janë njësoj.
E, kështu, ne poezinë e kemi,
për të jetuar dhe për të vdekur në të,
për të krijuar dhe për t’u shuar,
për të shpëtuar dhe për t’u humbur,
sepse çdo fjalë është një jetë,
dhe çdo varg është një filiz që ndalon,
por që gjithmonë ringjallet,
për ata që mund ta shohin,
për ata që mund ta ndjejnë,
dhe për ata që e mbajnë gjallë,
si pranvera që zgjon dritën nga hija.

Poezia është, përherë, ditë e vet jetës.

Me 21 mars 2025, Prisjtinë

New Articles