Number of visitors on page:

N/A

Çaste lexmi të poezisë “Letër atdheut” të Azem Shkrelit nga Prend Buzhala

Page Visitors:

N/A

Prend BUZHALA:

LETRA POETIKE

(Çaste leximi të poezisë “Letër atdheut” të Azem Shkrelit)

Në letërsinë botërore, ashtu sikundër dhe në letërsinë shqipe, ekziston edhe lloji i letrës poetike, i epistolarit poetik. Në antikë letra poetike shërbente si zhanër për trajtime filozofike, letrare dhe etike, siç janë Letrat e Ovidit nga Deti i Zi (Epistulae exPonto} dhe Letrat e Horacit (Epistulae), sidomos Letra për Pizonët. Ky model i këndimit poetik mbi frymëzimin, një si metapoezi, a metapoetikë, ka traditën e vet në letërsinë evropiane edhe pas Horacit, siç është “L’Art poétique”- “Arti poetik” i Boalo-së, 1674, një poemë didaktike me vargje klasike aleksandrine, e ndarë në katër pjesë, që merret me rregullat themelore të shkrimit në vargun klasik, dhe cila është mënyra për t’iu qasur përsosmërisë.

Ka shkrimtarë që i shkruajnë letra fëmijës së palindur. Të tjerë i shkruajnë letra qortimi vetvetes nëpërmes një zëri tjetër, një vetvete tjetër, kipcit të tij, për të djeshmen, dhe bëjnë një doracak për të jetuar të nesërmen.

Prend Buzhala

Lexohen letra poetike dërguar shtetit, presidentit, OKB-së, e deri te letra drejtuar diellit, universit, Hyjit, yjeve, një kolektivteti etjetj.

Zakonisht thuhet që epistolari është ai zhanër që e thur një rrëfim, se gërsheton përmbajtje të ndryshme, për të shprehur kreacionin personal, mendimet personale etj.

Në letërsinë tonë, letra të tilla poetike hasim te poezitë e rilindësve. Të njohura janë letërkëmbimet poetike të Mjedës, Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit e poetëve të tjerë shkodranë. Në poezinë moderne, një formë e tillë shpesh shfrytëzohet për artikulime ironike apo refleksive, si te poezia e Azem Shkrelit në vëllimin poetik ”Lirikë me shi” (1994), me  poezitë “Letër atdheut” dhe “Letër mikut tim A.P.” Forma e tillë poetike nis që nga libri poetik “Nga bibla e heshtjes” te poezia-cikël (a poemë) me titullin “Letër mikut”. Azem Shkreli te libri me ese e shkrime publicistike “Zoti nuk është shqiptar” shkruan një letër shqetësimesh drejtuar kreut të lëvizjes politike të Kosovës gjatë viteve ’90. Ajo vjen pas një përvoje të gjatë krijuese poetike e jetësore.

1.

Kësaj radhe, po qëndrojmë pak te leximi i poezisë “Letër atdheut”. Letra poetike, në këtë rast, i ngjet më shumë një epistolari poetik antik, ku dialogohet me urti sokratiane për të vërtetat esenciale të kohës, të shoqërisë e të vetë qenies. Në dialogun e vërtetë me Atdheun, ata sikur i hapen plotësisht njëri-tjetrit. Poeti vetëm i regjistron amplitudat e reagimeve, drithmave dhe përgjigjeve të heshtura të Kosovës. Në këtë bashkëbisedim atdheu e poeti i japin e i marrin njëri-tjetri atë energji të shpirtit, sepse e njohin mirë njëri-tjetrin, dinë për qenien e brendshme të secilit. Dinë për përvojat e tyre.

Lexuesi (dhe interpretuesi) bëhen bashkëbisedues në këtë komunikim që nuk pushon asnjëherë; sepse secili aty i thadron dhe i investon përvojat e veta. Prandaj, poezia bëhet pjesë e secilit lexues, shndërrohet në përjetim intim, mu ashtu siç është Kosova pjesë intime e secilit. Ndodh sikur në teatër: aktori i jep diçka personazhit nga karakteri i lojës së tij.

Azem Shkreli

LETËR ATDHEUT

Ne jemi si ka dashur zoti, zoti na do si krypën

Rrokemi shtatas me moshën, shajmë, pimë shafran

Katet në tra janë tonat, bodrumet, peronet tonat

Veç lëkurën plakë ia kruajmë natë e ditë Evropës

Ajo gjumë në sy s’ka për ne shqiptarët, e uruara

Po ju atje si ju ka, klyshemira ajo, Londërmadhja

A ju rriten hijet, a i bie fyellit malli për ne

Gratë e grunajat a kane zënë, a kanë gjak thanat

Shpendët e malit si janë, po nëna, po Kosova

Pak mall ne na paçin veç motrat, veç gjinkallat

Krojet etje ne na paçin, ja çarku, ja kalliri

Dhembi në ju rëntë, mozot, macja në ju preftë udhën

Varri në varr ne na dhashtë a ëndrra në ëndërr

M’i thuani Kosovës po lidhim mbathcat, po vimë

Të duket sikur poeti, kur i drejtohet për komunikim tjetrit, ai në të vërtetë dialogon me vetveten, për lëndimet e tij, për zemëratën e tij, për shqetësimet e ndrydhjet e tij, ose për zemrën e thyer të folësit lirik. E tërë poezia është një sintezë e gjithë shqetësimeve e preokupimeve të shqiptarëve aso kohe: në ngushtica kohe, kur gjendesh në zgrip ekzistence, për shkak të pamundësisë së daljes nga ai rreth i hekurt i dhunës e i riciklimeve historike; ti ndrydhesh, përplasesh, kaplohesh nga frustrime të pafund. Poezia duket që është sintezë e tri veprave të tij eseistike-publicistike: “Shtatë nga ata” (1993), “Muri përfundi shqipeve” (1993) dhe “Zoti nuk është shqiptar” (1997). Janë tri paradigmat e veprimit e gjallimit shqiptar: rebelimit kryengritës shqiptar (te libri i parë), nga politika paqësore a “lufta me paqe” (e dyta) e deri te “ko- ekzistimi me armikun” (e treta). Shkrimtari shpërthen në indinjatë të pafund, për të mos e duruar më këtë gjendje. Këtë indinjatë ai e shndërron edhe në art poetik te libri “Lirikë me shi”.

Sakaq, folësi lirik i poezisë është ndalur të na e kumtojë situatën e vet të trishtë të vetmisë; duke gjakuar të paarritshmen, porse mbi supet e tij rëndon si ankth e kaluara që na rëndon me peshën e saj (“Veç lëkurën plakë ia kruajmë natë e ditë Evropës“ apo vargu klyshemira ajo, Londërmadhja”). Përpos mallit dhe hijessë të vdekurve që kanë kërkesat e tyre të thirrjes, dhe, mbase, edhe të amanetit, si në legjendat shqiptare; folësi lirik këtë letër e shkruan nga largësia.

Forma pyetëse (një si figurë retorike), duke i shqiptuar marrëdhëniet me Atdheun nga largësia e në largësi, gjithsesi që i krijon shkallë të lartë vështirësie. Ai e gris sipërfaqen, nuk e lë të qetë, për ta përballuar të qenët e tij larg. Kështu, ai vë lidhjet thelbësore me etninë e tij, me Atdheun, me Kosovën. Gjithçka ende pikon dhimbje. Në vargjet e para jepet gjendja ekzistenciale e një bashkësie a kombi, të shkapërderdhur nëpër Evropë e Amerikë:

Ne jemi si ka dashur zoti, zoti na do si krypën

Rrokemi shtatas me moshën, shajmë, pimë shafran

Katet në tra janë tonat, bodrumet, peronet tonat

Veç lëkurën plakë ia kruajmë natë e ditë Evropës

Sikur shqiptarët kudo janë, ata qytetarë të “rendit të dytë”; ata “të vetat” i kanë vetëm peronat (e pritje-përcjelljeve), katet në tra, bodrumet; ndejat nëpër kafene a lokale, duke bërë biseda boshe gjithë zemëratë. Dhe vjen një varg që sintetizon këtë fat social-historik e nacional: “Veç lëkurën plakë ia kruajmë natë e ditë Evropës”. Vargu është asociacioni shprehjes aq proverbiale “Evropa plakë” apo “klyshemira” (mbitekste epikës fishtiane). Porse rrjeti asociativ-figurativ shtrohet tutje: që nga konteksti social (shiten duke u paguar e kujdesur për plakat) e deri te konteksti historik (ç’ka bërë dje me Londërmadhen me klyshemirën, duke krijuar dy neologjizma të habitshme poetike asociative); dhe politik (“Ajo gjumë në sy s’ka për ne shqiptarët, e uruara”)- një si situatë e ironisë therëse, e që shfaqet si përtallje e rëndë me fatin e tjetrit në hall ekzistencial. Një indiferencë që s’e ka prekur ende ndërgjegje  për dhunën që po ndodh. Mandej vjen një njësi tjetër poetike, siç është malli.

Kujtesa ngjallet aq e prekshme për atë që të mungon. Poetit i mbetet që ta mbajë këtë komunikim “në largësi”; ai i zhduk ato. Dashuria ndaj Atdheut nuk njeh as largësi e as kufij, pikërisht pse kjo largësi, kjo vetmi, ky mall e kjo mungesë i japin thellësi kësaj ndjesie. I përplasur mes këtyre vorbullave: situatës ekzistenciale, kontekstit të rënduar historiko-politik të pazgjidhur dhe pamundësisë së veprimit, folësi lirik përpiqet ta gjejë atë “urën” për t’i kapërcyer ato. E këtë e bën duke e mbajtur të pashkëputshme zemrën e atdheut brenda zemrës së tij. Mungesa e tillë e shton zjarrminë e tij, e shton edhe flakën e protestës së brendshme. Shpërthen jashtë tij, për t’i ngrohur e zgjuar të tjerët:

Krojet etje ne na paçin, ja çarku, ja kalliri

Dhembi në ju rëntë, mozot, macja në ju preftë udhën

Varri në varr ne na dhashtë a ëndrra në ëndërr

M’i thuani Kosovës po lidhim mbathcat, po vimë

Eseistja dhe gazetarja amerikane Meghan Daum, do të thoshte: “Largësia nuk është për të frikshmit, është për të guximshmit. Është për ata që janë të gatshëm të kalojnë shumë kohë vetëm në këmbim të një kohe të vogël me atë që duan. Është për ata që dinë një gjë të mirë kur e shohin, edhe nëse nuk e shohin gati sa duhet.”

Poeti shihte përtej gjithçkaje. Shihte me sytë e shpirtit e të vizionit të tij poetik. Tjetër rrugë nuk kishte, përpos t’ia çonte, me anë të kësaj letre, thirrjen Atdheut: “M’i thuani Kosovës po lidhim mbathcat, po vimë“.

Zbrazëtia dhe kotësia nëpër ato lokale të huaja vrasin. Dhimbja e ndarjes dhe e situatës e kërkon shpërblimin e saj. Mungesat e shumta e të gjata, shumëzojnë edhe moshat (“Rrokemi shtatasme moshën, shajmë, pimë shafran“). Ky shafran është ritmi i humbjeve nëpër vite, për hir të dashurisë së pamatshme ndaj atdheut. Për hir të besimit të pathyeshëm e të pamatshëm në dashurinë e tij ndaj Kosovës. Sepse dashuria e vërtetë duron shumë. Përballon çdo rrethanë. Njeriu dallohet për artin e këmbënguljes. Është ky arti i Njeriut të Qëndresës ndër dekada e vite, a i një jete të tërë.

Pa më të dashurit folësi lirik e ndjen dramën e ftohtë, të acartë, të ankthshme, të VETMISË. Dialogu me të vetët sikur e mposht këtë mungesë, në botën pa të tijtë, në botën që të rrethon me heshtje e indiferencë ftohtësie, aty ku ky folës lirik e shqipton vetëm

MONOLOGUN – shenjë poetike-dramatike e kësaj situate.

Intensifikimi dramatik i thënies lirike, thellimi i reflektimit, fuqizimi i shprehjes vinë e bëhen më dramatike kah fundi i saj. Këtë ta sugjerojnë edhe figurat e tilla letrare të përforcimit (përmes përsëritjes së të njëjtës fjalë që ndërton shprehje frazeologjike e proverbiale me vlerë polisemike, si: Varri në varr, ëndrra në ëndërr). Po ashtu, edhe leksemat poetike që janë vetëm veçanti e shprehjes shkreliane: na paçin. Poeti reagon, krijon e shkruan, asisoj, për të lënë shenjë a gjurmë në kohë, apo ashtu sikundër e thotë vetë te vepra “Zoti nuk është shqiptar”, kaq ndjeshëm: “Gjurmë ndërgjegjeje”. Në këtë rast, gjurmë arti të pavdekshëm.

2.

Pothuajse, e tërë poezia e Azem Shkrelit është Letër Poetike; mund të lexohen jo pak poezi , nga libri në libër, për ta parë se si ai i emërton titujt e tyre sipas një zhanri poetik. Kështu te vëllimi “Nga bibla e heshtjes” (vetë titulli bibël, ndërlidhet me librin, librin e shenjtë), lexojmë tituj si: Epitaf i një kënge, Baladë, Dhiatë e re, Manifest i marrë, Reprizë idile, Këngë e dehur, Pagëzimi i fjalës, Fjalët, Ninullë, Nekrolog për mikun dhe Letër një miku. Te përmbledhja tjetër, ku gjendet poezia “Letër atdheut”, do të lexojmë këto formë-shprehje letrash (zhanresh) poetike: Psalm për Kosovën, Kronikë ilire, Raport nga jugu, Motiv optimist, Lirikë për lirinë, Kashelashë për atdheun, Motiv me Kosovë, Vargje me Vlorë, Këngë e vjetër, Epikë, Këngë e domosdoshme, Mallkimi i anatemës, Letër mikut tim A. P, Greva e vargjeve, Lirikë, Dhembja e vargut, Nokturno për zogun, Portreti me tym, Saga për poetët, Kënga që s’deshi të shkruhet, Trajta e njeriut, Pikturë, Si prozë, Uratë për ata, ma ktheni lirikën e zogut, Traktat, Ligjëratë, Homazh, Balada e Kasnecit, Estetikë, Kungimi i këngës, Histori, Nga ditari, Motiv i hershëm, Peizazh, Projekt dhe Lirikë me shi. Kështu vepron edhe në librat tjerë poetikë. Të gjitha poezitë mbajnë një tregues zhanror, një referencë zhanërkirjuese lirike, meditim-krijuese, si forma komunikimi për të shprehur qëndrimet e poetit a të folësit lirik ndaj lëndës së kënduar poetike. Ato identifikojnë zërat poetikë, që ligjërojnë, ose për referencë komunikimi marrin subjektin, të cilit i drejtohen. Te e fundit, secili libër lexohet, si “një letër”. Por, përtej këtij leximi, lexuesi reflekton ndryshe: a është pasuruar jeta e tij me anë të këtij leximi, a e ka transformuar më thellë jetën e tij, a është më e pasur bota shpirtërore e tij. E po, poezia e ka atë forcë të papërsëritshme, unike, për të na ngritur dhe zgjuar emocionalisht (për të na tronditur, ngrohur, gëzuar etj). Lexuesi e gjen shtegun e tij të mirëfilltë kah dritësimi, kah zgjimi i brendshëm.  Poezia është zë njerëzor.

Letrat poetike janë në shërbim të muzës. Ndërsa thirrma poetike në fund të vargjeve, e përmbyll shpërthimin fundor për vetëflijim.

Shpërfaqet poetizimi i etnicitetit shqiptar, nëpërmes shenjave esenciale të identitetit nacional: gjuhës, betimit, ligjit, kanunit, trashëgimisë, traditës, mikpritjes, trojeve shqipfolëse… Thuhet: se poezinë e bukur e lind vuajtja. Poezia e vuajtjes, e pse-heve të pafund, e gërmimeve në Unin armik, e bën më të bukur artin. Madje, kërkimet hamletiane lirike e lartësojnë dhe e thellojnë thënien artistike. Pa këtë kërkim hamletian nuk kanë bukuri as arti, as jeta, kur njeriu vendos t’i bjerë të keqes: “M’i thuaniKosovës po lidhim mbathcat, po vimë.”

(5 dhjetor 2020)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

New Articles