Number of visitors on page:

N/A

NË FILLIM NA ISHIN FJALA JONË DHE SHPIRTI YNË nga Prend Buzhala

Page Visitors:

N/A

NË FILLIM NA ISHIN FJALA JONË DHE SHPIRTI YNË
(Jeton Kelmendi: Thërras gjërat e harruara, poezi)

Çka na është ajo thirrje kaq dramatike që e lëshon poeti? Dhe cilat na qenkan ato gjëra të harruara që dëshiron t’i ringjallë ai?

  1. Fjalët engjëllore, dashuria
    (Ose oksimoroni poetik)

Pyetja na drejton edhe në shtigje të tjera: si ta përthekojmë gjithë thellësinë dhe gjerësinë e hapësirave poetike të shpirtit të tij të ndjeshëm lirik? Dhe, sikundër dihet, Virgjili ishte udhëzues i Dantes nëpër rrathët e Ferrit poetik. Në këso rastesh, si ta sigurojmë këtë tip të tekstit udhëzues, të boshtit tekstor, për të lëvizur sigurt nëpër botën poetike të Jeton Kelmendit? Me një fjalë, si të gjenden ato dhuntitë e trashëgimisë së shpirtit të vendlindjes, ato kikat e larta që e mbajë në këmbë qiellin e atdheut e të qenies sonë? Te poezia “Mendimet e shpirtit” ai e ka thirrmën e tij:

Sa herë
Ta thërras emrin
më engjëllzohen fjalët.
Engjëllushja ime
sa herë hesht,
flet me mimikën që më thotë
shumë më shumë.
Kështu janë mendimet e shpirtit.

Poeti na e thotë shkoqur, se kjo thirrmë buron nga mendimet e shpirtit. E ku ka diçka në këtë botë, të perceptueshme nga qenia njerëzore, që nuk filtrohet nëpër hullitë e mendimit, diku në ato gjerësitë e thellësitë e padallueshme të shpirtit njerëzor.

Dhe, duke depërtuar në një botë të tillë gjërash, në sferat e epërme të botës së tillë që lartësohet në metafizikë shpirti, që ngrihet në vlera të parme, fjalët engjëllzohen. Kurse burim i kësaj sfere, ngapak eternale, na është dashuria:

Ajo është më e thella
fjalë.
Fjala dashuri buron
në gjak, në shpirt
dhe përtej…

Prandaj jeta është gjë e mrekullueshme.

E mrekullueme?

E atëherë, ç’na është gjithë ai mall që na prek, ato gjëra të harruara që na lëndojnë? Ky edhe na është paradoksi i jetës sonë: mrekullim e lëndim bashkëjetojnë, mu ashtu si ecin dorëpërdore edhe paradokset tjera të jetës, të cilat poeti i thur nëpërmes një oksimoroni poetik: kur vijnë shkuarjet, fuqia e një pamundësie, shkurtimi i largësive, gjumi i zgjuarjeve, zgjimi i ëdnrrave, etj e që mbajnë emra titujsh të poezive apo të cikleve.

Tashmë vepra e Jeton Kelmendit, e receptueshme edhe në hapësirat shumëgjuhëshe evropiane e ndërkontinentale, e ka zënë vendin e vet brenda korpusit poetik të letërsisë shqipe.

Duke botuar në, pothuajse, të gjitha hapësirat etnike, duke i publikuar krijimet e vëllimet e tij në shumë qendra evropiane e jashtevropiane; Jeton Kelmendi sikur e përfill atë parimin aq të lashtë e aq të amshueshëm biblik: që ta pranosh tjetrin, ta njohësh tjetrin, se, aty ku ka prani të Një Qenie Tjetër, a Një Të Qenë Tjetërfare, aty ka dhe dinamikë, gjallëri, thesare të ekzistimit dhe të shpirtit kulturologjik.

Tashmë ai është formuar dhe e ka formuar portretin e tij krijues në një klimë të tillë të frytshme shpirtërore. Kjo do të thotë se poezia e tij mban vulën e jetës së tij.

Porse këtu kemi të bëjmë dhe me kërkesën a thirrmën krijuese të rikthimit a rikonstruktimit të shpirtit zanafillor, të rrënjëve të qenies sonë identitare: të gjërave të harruara, sepse në fillim na ishte Fjala Jonë dhe Shpirti Ynë.

Kjo thirrje na e ringjall atë rrethin e semantikës së kërkimit të Marcel Prustit për kohën e humbur a të harruar. Teksti i tij poetik ka burime të pasura të energjisë jetësore të qenies sonë, të ekzistencës dhe trashëgimisë sonë, por i ka edhe pulset e ndjeshme të jetës.

Në fjalën time të shkruar,
në poezinë time të shpërfillur,
të kërkoj përmallshëm.
(Në veten tonë e kemi njëri-tjetrin)

Poeti e ndan librin e tij poetik në tri cikle: Kur vijnë shkruarjet, Imazh i shpërfillur, Gjumi i zgjuarjeve, dhe ku e shpalos projektin e tij të semantikës së oskimoronit figurativ-shprehës.

  1. Kikat e qenies
    (Ose folësi autopoetik)

Dashuria, Fjala, Heshtja, Koha dhe Etnia. Ja pesë “kategori” estetike, apo pesë “territoret” tematike të artit, mbi të cilat këndon poeti Jeton Kelmendi. Ani se të gjitha këto lirika i zotëron ndjenja e skepsës (qenia njerëzore është vjelë e harxhuar në gjithçka), në njërin breg të kësaj skepse ligjëron folësi autopoetik që e gjen shtegun e realizimit të qenies e të esencave jetësore, që i drejtohet një vete të dytë, herë të dashurës, herë një vete të dytë të depersonalizuar apo të sintetizuar si vete kolektive, nacionale, universale, apo herë si vetë alternative e zërit personal lirik. Kurse në “bregun tjetër” qëndrojnë raportet e aktivizuara në mes të këtij zëri-subjekti-folësi dhe Dashurisë, Fjalës, Heshtjes, Kohës dhe Etnisë. Historisë, Njeriut dhe Shoqërisë. Të mos harrojmë, epiqendër të interesimit krijues, poetik e ka qenësinë artistike të poezisë, kurse aty ndodh dialogu poetik me vetveten, me Tjetrën/Tjetrin, me vetë ligjërimin poetik. Ky procedim i tillë poetik paraqet fatin e mendimit aktiv nëpër “regjionet” e lartheksuara. Së këndejmi, nga pak me një ton e fjalor të tujgun poetik të Azem Shkrelit, poeti prodhon atmosferën e kontrastimeve paradoksale (të tipit të thënieve lirike “ku shkojnë ardhjet”, “ujë i etjes së saj”, “edhe deti mund tëe thahet” etj. ), procedon asisoj, në mënyrë që Fjalën artistike ta “zë ngushtë”, ta sjellë në situatën e “palakmueshme”; aty vjen një nivel tjetër i thënies artistike, ai i klithmës poetike me thënien krejtësisht të dendur, të spastruar, fine; për të arritur, së fundmi, t’ia vërë poezisë edhe një shkallë estetike, edhe një “detyrë”: atë të vetëzbërthimit, të vetëtinterpretimit estetik njerëzor, nëpërmes aq e aq nuancimesh e variantesh thëniesore e metaforike dhe, pse jo, edhe fjalëformimesh figurative.

Të lexuara e të sistemuar kësisoj, poeti veç sa e ka thelluar mitologjinë e poetikën personale të krijuar mbi gjakimin lirik dhe mbi situatat arketipore, tek i vë në gërshet ato qoftë me përvojën e vet personale, qoftë me atë kulturologjike apo historike. Nëse këto janë pesë “elementet” mitike, të cilat e përbëjnë bazën e kujtesës dhe atë të të gjitha gjërave, atëherë edhe Dashuria, Fjala, Heshtja, Koha dhe Etnia na dalin si përvojë tejet e rëndësishme personale. Do theksuar se poezia e Jetonit e përpunon gjuhën si subjekt autonom, me vetëdijen moderne ligjërimore për tekstin letrar.

6 qershor 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

New Articles