Ky libër lindi nga një reflektim i thellë mbi qenien, kohën dhe ndjenjat që na udhëheqin. Poezitë që përmban libri nuk janë thjesht vargje të radhitura për të përshkruar botën, por janë pasqyrime të shpirtit, ndjesive dhe pyetjeve që mbeten përgjithmonë të hapura.
Me këtë libër, synoj të udhëtoj së bashku me lexuesin në botën e heshtjeve që flasin, të kohës që na shikon dhe të fjalëve që kanë peshë edhe kur nuk shqiptohen. Jeta, sipas meje, është një enigmë e pafundme, ku realiteti dhe iluzioni përzihen vazhdimisht, ku dashuria, mungesa dhe kujtimi marrin forma të ndryshme në varësi të këndvështrimit tonë.
Poezia në këtë vëllim trajton disa nga temat më universale dhe më të ndiera: misterin e ekzistencës, ngjyrat e ndryshme të dashurisë, kalimin e kohës dhe sfidat e shpirtit në përballje me të vërtetat e tij. Ato janë një ftesë për të medituar mbi domethënien e jetës, mbi thellësinë e ndjenjave dhe mbi lidhjet e padukshme që na mbajnë të bashkuar me gjithçka rreth nesh.
Një element i rëndësishëm i poezive që do të gjeni në këtë libër është edhe filozofia që ato mbartin. Shumë prej tyre janë përsiatje mbi natyrën e realitetit, mbi raportin mes fjalës dhe heshtjes, mes kujtesës dhe harresës, mes asaj që është dhe asaj që mund të kishte qenë. Nuk synoj të jap përfundime, por të hap dritare drejt mendimeve të reja.
Frymëzimi im buron nga vetë jeta, nga fragmentet e saj të çmuara, nga humbjet dhe gjetjet, nga hijet që na ndjekin dhe dritat që na udhëheqin. Poezia, për mua, nuk është vetëm një formë arti, por një mënyrë jetese, një rrugë drejt së panjohurës dhe një dialog i përjetshëm me shpirtin.
Kjo parafjalë nuk ka qëllim të shpjegojë poezitë që vijojnë, por të ftojë lexuesin që të futet në botën e tyre pa parashikime, pa pritur përgjigje të drejtpërdrejta, por duke u hapur ndaj ndjesive dhe interpretimeve që do të lindin natyrshëm.
Le të fillojë udhëtimi i fjalëve!
Autori
Me një stil të drejtpërdrejtë, por thellësisht lirik dhe reflektues, Kelmendi eksploron tema universale: luftën, paqen, identitetin, kujtesën dhe kompleksitetin e ekzistencës moderne, duke i ankoruar gjithmonë në gjeografinë e tij emocionale.
Prof. Gustavo Vega, Spanjë
Rruga e tij është një udhë kërkimi: kërkim i dashurisë, kërkim i balsamit që do të ndihmojë në shërimin e plagëve pa fshirë gjurmët e lëna në shpirt. Në këtë shëtitje na fton të depërtojmë heshtjen, ta pushtojmë atë, ta dëgjojmë, në mënyrë që të dëgjojmë zërin e tij që del nga heshtja gjatë shkrimit.
Gustavo Gac-Artigas, Kili
Ky libër i Jeton Kelmendit ka një intensitet shprehës, madje një forcë shprehëse të mrekullueshme.
Struktura e të gjithë udhëtimit është fuqimisht metafizike, e kalibruar mbi kontraste dhe ndriçime që hyjnë dhe dalin nga kuptimi, nga dyshime që, ndërsa zgjidhen, madje gjejnë siguri; brenda dimensionit të një arritjeje hipotetike që nuk ka mundësi të gjejë një piedestal, një mbërritje.
Dante Maffia, Itali
Në Mantra, librin e tij më të ri, lexuesi mund të shijojë një sagë të dyfishtë të eksplorimit të thelbit njerëzor: së vërtetës, bukurisë, dashurisë. Jam i nderuar të jem botuesi i tij në ShBA.
Stanley H. Barkan, ShBA
Poezia e Kelmendit në këtë libër është shumë emocionale dhe e thellë, me një kërkim pothuajse të pamundur të esencës së kohës, heshtjes, së vërtetës, jetës dhe rrugëve të saj. Ai luan me një dialektikë mes të kundërtave dhe nxitjeve psikologjike.
Prof. Emeritus. Ernesto Kahan, Izrael – Nobelist
Ajo që mund të them është se kjo poezi është e hapur, me një hapësirë të gjerë për reflektim. Ajo synon të shprehë si përvojën e tij nga fati turbulent i atdheut të tij, Kosovës, ashtu edhe reflektime universale njerëzore mbi jetën dhe vdekjen, dinjitetin njerëzor, dashurinë dhe urrejtjen.
Knut Ødegård, Norvegji
Tensioni mes dëshirave të brendshme dhe realitetit të jashtëm është një motiv qendror në krijimtarinë e Kelmendit.
Prof. Dr. Antoon Van den Braembussche, Belgjikë
Te Kelmendi, i ndjeshëm ndaj kalueshmërisë së fatit njerëzor në të gjitha dimensionet e tij ontologjike, biologjike, psikologjike apo historike, është e rëndësishme të vërehet se kënga e dashurisë strukturojnë si një shtyllë kurrizore gjithë në këngën poetike: ajo i drejtohet njëkohësisht gruas dhe atdheut.
Akademik Éric Brogniet, Belgjikë