Etiketë: Anton Marku

Poezi nga Anton Marku, Vjenë

Anton Marku lindi më 1971 në Gjakovë. Ka 18 vjet që jeton dhe punon në Austri. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar gjashtëmbëdhjetë libra me poezi dhe tregime, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, italiane, suedeze, ruse, perse, arabe, greke, rumune dhe kroate. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IWA Bogdani, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, i klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ Vjenë.

Cikël me poezi nga Anton Marku, 02.04.2026

Është një qiri
që askush nuk mund ta ndezë
pos teje

PA GJETHE

Në cilën borë u fsheh
gjithë ai dimër
kur njësoj
u vishnin e u zhvishnin
të dielat tona në fundjavë? 

Të dehur me gotën e parë
lidhur për shtrat
pangopshëm 

Dhjetëra herë
nisur nga e para

Atë vit
aq e pa mëkatshme
dukej e bardha 

Para saj
gjithçka tjetër humbte peshe.

BRYMË

Ditën që do të ikësh
mos e përplas derën

Pas shpine
mos i puth gishtat një tjetri

Nuk patëm kohë për më tepër
rrugët na bënë udhëtarë

Do të mbetesh brymë
që fle në duart e mia

E vonuar në ardhje
e ngutur në shkuarje

E padenje për kthim.

 

VETËM TI

Është një qiri
që askush nuk mund ta ndezë
pos teje

Është një prag dere
që pret hapat e tu

Është një dhomë
që lutet për kthimin tënd

Jam unë
me kokën mbështetur për mur
ulur mbi prag
me një qiri në dorë.

MAJI

Maji do të vijë
e ne do të duhemi përsëri

Në të sotmen e dikurshme
gojëve do të lëshojmë puthje

Që dita të mos e ndajë
atë që nata bashkon.

DËSHIRË

A ka më mirë
se të më mbulojë dimri
në gjoksin tënd

Vesë të bëhem
përreth buzëve tua

Pafundësisht të zgjasë
përkohshmëria jonë.

Cikel poezishë nga Anton Marku, Vjenë

Cikël me poezi nga Anton Marku

asgjë nuk peshon më shumë

se sa dashuria

as nuk dhemb

sa ajo

 

TË PAPËRLYERIT

 

Është një bark

në të cilin gjithmonë është ndjerë

një zë fëmije

Bark me dy kërthiza

tash e sa shekuj shtatzënë

Është një dorë

që nuk e sheh askush

pos teje

e nuk është e jotja

Është një atdhe i paemër

,e pak bujtina

e me shumë varre

Veç ata kanë emra.

 

AUTOBIOGRAFI

 

Kam lindur

para emrit tim

Kam parë

para se t’i hapë sytë

Kam folur

para se t’i mësoj fjalët

Kam puthur

Para se të di se ç’ është puthja

Kam jetuar

pa pyetur

si vdiset.

TË VDESESH MIRË

 

Të vdesësh duke ecur

në këmbët tua

Me dorën e djathtë

të mbyllesh vetë

derën e arkës

E brenda saj

të thuash punën e pendimit

Gjer sa të mos bëj më.

TESTAMENT

 

Kam harruar

si është të puthësh

Të shkoklosh

gjinjtë e natës

Këtu ku jam ulur unë

është mesi i botës

që as vetë nuk e di

ku nis e ku mbaron

Ku asgjë nuk peshon më shumë

se sa dashuria

As nuk dhemb

sa ajo.

NDARJA

 

Kam frikë

se kjo do të jetë hera e fundit

që dëgjon zërin tim

Nesër

njëri nga ne të dy

mund të mos jetë më

Në kopshtin tonë

secila mollë e di

degën prej së cilës do të shkëputet

Unë e ti jo.

Poezi nga Anton Marku

Cikël me poezi nga Anton Marku

I PËRBUZURI

 

I përzënë nga lutja

si një farë e hedhur skaj rrugës

në lotët e një gruaje të vejë

gjeti dhembjen

që i ngjante dhembjes së tij

Sytë iu harxhuan

duke parë të njëjtën ëndërr

çdo natë

Pasi tha

gjithçka që pati për të thënë

veten e mori përdore

dhe u nis

nga bota e epërme

në botën e poshtme

Ikja është ikje

edhe atëherë

kur nuk ke ku të ikësh.

  

HIJA E ERËS

 

Ne jemi valixhe

që bartim trupat tanë

Në tavolinën e jetës ulemi

të veshur me këmisha pa kopsa

Rrjetat i hedhim

atje ku koha

tokës ia thithë gjinjtë

Në peshore uji

matim të pafundmen.

 

  

RIZGJIMI

 

Çdo mëngjes

i çmenduri i fundit i lagjes

ulej në një kodër

përballë kishës së fshatit

dhe numëronte në kokën e tij

të rrahurat e kambanave

Ishte i vetmi

që ende mbante lidhje me qiellin

në shtëpinë e të cilit

tash e sa vite

as hynte as dilte kush

Kur u dridh toka

e plasaritën muret

të gjithë vrapuan drejt tij

ta pyesnin

nëse ende kishte shpresë

Ai nuk u tha asgjë

Me të dy duart

u tregoi derën

dhe këmishat

e veshura së prapthi.

 

PARASHENJË

Mbrëmë në ëndërr

dikush ia verboi njërin sy

Me tjetrin

nuk mund të shihte

përtej duarve

Tri herë

toka e tërhoqi poshtë

deri në korën e parë

Aty lexoi

emrin e vet

në fund të një libri

Dhe u kthye

t’i harxhonte më ndryshe

ditët që i kishin mbetur

Shtatëdhjetë e shtatë herë

e puthi veten

në pasqyrë.

NATA

 

Sonte

qyteti i tij u zvogëlua

ajo nuk ishte më

Asnjë sy njeriu

nuk i kishte parë

puthjet që ishin bërë

mëkati i tyre i përnatshëm

Një rrjetë e zezë

mbuloi rrugët

nga kishte ecur ajo

mu atëherë

kur ishte duke dalë

nga dhoma e tij

Terri e kafshoi në qafë

Një ëndërr

e verdhë si dylli

iu ngjit për flokë

Natë ishte

emri i saj.