Anton Marku lindi më 1971 në Gjakovë. Ka 18 vjet që jeton dhe punon në Austri. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar gjashtëmbëdhjetë libra me poezi dhe tregime, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, italiane, suedeze, ruse, perse, arabe, greke, rumune dhe kroate. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IWA Bogdani, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, i klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ Vjenë.
Cikël me poezi nga Anton Marku, 02.04.2026
Është një qiri
që askush nuk mund ta ndezë
pos teje
PA GJETHE
Në cilën borë u fsheh
gjithë ai dimër
kur njësoj
u vishnin e u zhvishnin
të dielat tona në fundjavë?
Të dehur me gotën e parë
lidhur për shtrat
pangopshëm
Dhjetëra herë
nisur nga e para
Atë vit
aq e pa mëkatshme
dukej e bardha
Para saj
gjithçka tjetër humbte peshe.
BRYMË
Ditën që do të ikësh
mos e përplas derën
Pas shpine
mos i puth gishtat një tjetri
Nuk patëm kohë për më tepër
rrugët na bënë udhëtarë
Do të mbetesh brymë
që fle në duart e mia
E vonuar në ardhje
e ngutur në shkuarje
E padenje për kthim.
VETËM TI
Është një qiri
që askush nuk mund ta ndezë
pos teje
Është një prag dere
që pret hapat e tu
Është një dhomë
që lutet për kthimin tënd
Jam unë
me kokën mbështetur për mur
ulur mbi prag
me një qiri në dorë.
MAJI
Maji do të vijë
e ne do të duhemi përsëri
Në të sotmen e dikurshme
gojëve do të lëshojmë puthje
Që dita të mos e ndajë
atë që nata bashkon.
DËSHIRË
A ka më mirë
se të më mbulojë dimri
në gjoksin tënd
Vesë të bëhem
përreth buzëve tua
Pafundësisht të zgjasë
përkohshmëria jonë.
