Number of visitors on page:

N/A

3 poezi nga Jeton Kelmendi

Page Visitors:

N/A

TROKITËN NË HYRJE DALJET

Nuk e di nëse jemi ne, apo
ata, që u ranë tërthoreve trup
a erdhën apo shkuan
nëse s’jemi ne
sytë që shikojnë pas majës së mendimeve
kush është personi e kush rrëfimi

tani, troket në hyrje të daljeve
dhe si zakonisht,
i paraprinë vetës një dilemë
po e hamë, apo po e pimë
të shkuarën
e kësaj dite, në ketë temë

do të na thërrasin zgjuarjet
me metra prej litari
ta lidhim tekstin e rrëfimit
rishtazi ta kuptojmë
nëse jemi ne rrëfim,
apo ngjarje

ke, ç’ke me ne
dhe ra terri i zi i natës
së diel,
e ne nuk pamë gjë më
as ngjarjen, as rrëfimin
as si pamë ato
as, kush s’na pa
gjithçka mori zhdukja me vet

si java që po lëmë pas
fish-fish e paluam
në të shkuarën dhe iku ndodhia
gjë s’morëm vesh
në ishim përnjëmend ne, apo ato
as s’po shohim më
as s’po na sheh kush
paskemi qenë diku jashtë vetës.

Paris me 28 Janar 2017

NGA E KA ORIGJINËN DASHURIA

Kuptimi i të jetuarit është,
motiv për të ecur drejt të nesërmes,
ëndrrës
që secili ka të drejt ta shoh

një krijesë të tillë
sekush e do për vete, për njerëzit
e vet
edhe pse nuk e di kah ka ardhur
kah shkon dashuria

derisa nuk i dihet origjina,
është sekrete,
e fshehtë si prejardhja e ajrit
koha përmes nesh e ka sjell
deri këtu

sa herë bëhet fjalë për
origjinën e dashurisë,
të mençurit kanë shkruar
definicione e teori,
formula, e deri edhe poezi,
por, një gjë është e saktë,
kush deri më sot nuk e di

një gjë duhet kuptuar,
pa pretenduar se po zbulon
diçka të madhe,
dashuria lind përditë
përnatë,
pas dite pas mesnate.
thjeshtë mund ta shohim kurdo
kudo

e nëse është kështu,
ku jeton dashuria pra,
ku dashuron jeta,
origjinën, vendbanimin
kohështrirjen, ku e ka pra!

Teoria rrëzon teorinë
tjetër,
sikur stina përcjellë stinën
derisa të bëhet vit.
origjina është kuptim
edhe i qartë
edhe i paqartë.

Dashuria është prej Zotit
prandaj vetëm Ai
ia dine prejardhjen.

Matera, Itali, me 18 Tetor 2019

MJAFTON QË JAM DIKU

Jam diku, jetoj disi
tejmatanë pikës së kujtesës
në fjalinë e pafolur të durimit

banoj diku
në fund të vetvetes, atje poshtë
nëse më njeh kuptimi,
jam i lumtur

e gjej vetën
brenda hidhërimit tim të lodhur,
aty ku se kisha pare
as në ëndërr,
e pash kohën më rrëshqiste nga
duart
dhe u binda
se mungesa ime nuk ekziston
andaj kah do që po kërkoj
a jam diku

nuk kam më dilema,
e di se gjurmët i more
me vete
dhe se nuk kam pyetje, ku
mjafton që më bije
emri yt ndërmend.

Taranto, 4 Tetor 2019.

New Articles