Number of visitors on page:

N/A

Cikel poetik nga Anton Marku

Page Visitors:

N/A

Anton Marku

FILLIMI

Që nga krijimi i botës
qielli e toka
duhen e nuk preken

në librat e shenjtë nuk thuhet
cila ishte fjala e parë

mbase gjithçka nisi
me ‘‘të dua’’.

BOSH

Më dha gjithçka
por nuk më mjaftoi

ndjehesha më mirë
në asgjënë time

aty zbrazëtia
ishte më e plotë.

LARTË

Shkëpute emrin tënd nga turma
dhe mbille diku në një re

atje ku pluhuri i njerëzve
nuk ka çfarë t’i bëj
le të rrijë varur

po zuri rrënjë
do vazhdosh të marrësh frymë
edhe kur të mos jesh më.

BESO

Kur ftyra e mbrëmjes
nuk i ngjan më asaj të mëngjesit
koha ka bërë dhe një hap para

ti mos ndalo
deri në të sosur

në atë botë
askush nuk do të jetë i huaj
as do të mbetet jashtë

atje një shpirt
i lehtë sa një puhizë
do të mbaj emrin tënd

e do të vazhdojë të marrë frymë
nga hukama jote

amshueshëm.

VITI I ZI

Duket se këtë vit
bora do të vonohet
dimrit të ia zbardhë fytyrën

me prush do të vishen
kokat e njerëzve

prrrojet do të avullohen
pa arritur
të bëhen lumenj

në kufinj të jetës
bota do të numërojë
hyrje-daljet

vapa do i djegë hijet
kudo

fllad do të mbajë
vetëm në varreza

qofshin të pakta ato.

Shënime për autorin

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike.

Ka 11 vitet që jeton dhe punon në Austri.

Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune.

Botimet:
1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)
2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)
3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)
4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)
5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)
6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)
7. ,,Du meine Stimme’’ (‘’Ti, zëri im’’, 2018)
8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’, 2018)
9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019)
10. ,,Die Haut des Lebens’’ (‘‘Lëkura e jetës’’, 2020)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji dhe revista në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattirungen’’ (2015); ,,Words and Wolds‘‘(2016, 2017, 2019 dhe 2020); ,,Liebe’’ dhe ,,Wir, bewegende Steine’’ (2017), ,,Ausgewählte Werke XXI’’, ,,Anima‘‘ dhe ,,Ein Tag in meinem Leben’’ (2018); ,,Türen’’ (2019); ,,Freiheit’’ (2020); ,,Barmherzig’’ (2020), revistat ,,Zwischenwelt’’ 2014), ,,Aktuell’’ (2017 dhe 2018), ,,Literarisches Österreich’’ (2017 dhe 2019), ,,Literamus 45’’ (2018) dhe ,,Literamus 46’’ (2019) si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IWA Bogdani, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Words and Worlds‘‘, i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles