Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Anton Marku

Page Visitors:

N/A

BIRI I ASKUJT

 

Në gurë u shndërrua prroji ku lahesha si fëmijë
lagjen ku luaja dikur nuk po e njoh më
një shtresë hiri rrëshqet gishtave të mi të djegur
duke i mbledhur gacat që gjyshi tek pragu m’i la
kam mbetur pikë në kohë, sikur të isha bir i askujt
gojët e vdekura më përqeshin sa herë hapi derën
qafën e lidha me mëkate, krahët i mbusha me fjalë
para se me sy të prekë zemrën që nuk e di nëse rrahë
diçka me thotë se një ditë do ta shpëtoj detin të mos mbytet
deri atëherë botën do ta shikoj nga dritarja jote.

AUTOPSIA E SHIUT

 

Një mëkatar që nuk donte të rrëfehej
në hijen e kryqit zuri në thua
e u rrëzua në arkivolin e vet

nga ëndërra u zgjua
me një të djegur në gjoks

nën këmbet e tij
minjët grryenin murin

majë gjilpëre pushonte krahët
merimangë e vjetër

jashtë dhome
rrugicave të braktisura zbritën
engjujt ngjyrë hiri

zhurma e vdekjes u dëgjua më afër
rrahjet e zemrës më larg

ai ra në gjunjë
mblodhi duart dhe u lut
të bëhej pluhur

kur dera u hap
të gjitha dritaret u mbyllën

frymë njeriu nuk e kaloi pragun
derisa shiut nuk ia bënë autopsinë.

LASHTËSI

 

Arrës në fund të oborrit
i ranë dhëmbët
duke përtypur vetveten

trupi iu mbush me rrudha
degëve ju thanë gishtat

në mes të jetës
u kthye në mesjetë

për të takuar kalorësit
që e mbollën
në këtë tokë pa mullinj.

MESNATÊ

Kur gotat i zbrazim me fund
këmishave tona u bien kopsat
me një të prekur gishti

dhoma zvogëlohet
pa lëvizur muret

vrimave të ajrit
hynë e dalin puthjet

gjumi rrotullon sytë
e shtrihet të flejë
gjithçka tjetër rri zgjuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles