Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Anton Marku

Page Visitors:

N/A

Anton Marku     Vjenë, 7 prill 2024

  

BIRI I HUMBUR

 

Një fytyrë
e pështyrë mijëra herë
u shtri mbi një dru të vdekur

Nëpër trup i kishin mbetur
shenjat e ëndrrave

 

Me gishta të zverdhur
shtrydhi sytë
derisa nisi t‘u ngjante
të vdekurve të vetë

Dëshirë të fundit pati
të lehë në botën

Biri i saj i humbur.

 

BABA

 

Kur vdekja thirri
emrin e njërit prej nesh
unë nuk qëllova në shtëpi

Baba kishte fjetur
e nuk dëgjoi gjë

Fqinjët kishin parë
një mace të zezë
duke dalë nga oborri ynë

Kur u ktheva
nuk e gjeta babën

E kishin marrë me vete
ujërat e asaj vjeshte.

 

SHITËSI I FLAMUJVE

 

Me lule të bardha
mbuloi shkronjat e emrit
me të cilin e patën pagëzuar
gjysmë i vdekuri
i lagjes sime

Në qytetin ku lindi
asnjë varr nuk pranoi
t’i bënte vend arkivolit të tij

Gjithçka kishte fituar
nuk i mjaftoi
për një këmishë njeriu.

 

 

LUFTA

 

Gjithçka nis nga një përrallë
e treguar bukur
nga goja e një lahutari

Në luftë shkohet
duke u duartokitur fitoreve
që ende nuk kanë ndodhur

Gjokset mbështjellën me pëlhura
që u ngjajnë flamujve
të huazuar nga legjendat

Atë e humbasin
ata që të parët
ngrehën këmbëzën

Shumë pak prej tyre
mund të zgjedhin vetë
ngjyrën e fytyrës
me të cilën do mbyllin sytë

Të gjallët kthehen të vdekur
të vdekurit i fusin në këngë
pa ua matur trimërinë
apo hapat që bënë
para apo prapa.

Mjafton të kenë rënë
fushëbetejave.

 

FAQJA E FUNDIT E BIBLËS

 

Dita e gjykimit të fundit
nuk do të vij

Toka asnjëherë
nuk do të jetë
e denjë për qiellin.

New Articles