Number of visitors on page:

N/A

2 poezi nga Jeton Kelmendi

Page Visitors:

N/A

TË GJITHË MIQTË I GJEJ ME GISHTIN TREGUES

Më janë larguar miq,
dhe kam humbur kolegë,
nga qyteti im ku jetoj, e deri në skajet e botës.
Të gjithë i kërkoj me gishtin tregues,
në fakt, i gjej me të.

Dikur, miqtë i kërkoja me zemër,
duke trokitur në dyert e shtëpive të tyre,
duke pritur nën hijen e një peme,
tek ndjenim aromën e kafesë që pihej shijshëm.
Sot, i kërkoj në një ekran të ndritshëm,
një ekran pa aromë, pa ngrohtësi,
pa frymëmarrje, pa hije të vërteta.

Në telefonin tim ka shumë numra,
emra të renditur pa ndjenja,
pa ngjarje të shkruara pranë njëri-tjetrit,
thjesht shifra të ftohta,
një ekzistencë numerike e atyre që dikur i kisha pranë.
Edhe numrat i gjej po me këtë gisht,
gishtin që tregon, por nuk përqafon,
gishtin që zgjedh, por nuk ndjen.

Me gishtin tregues, unë lexoj lajmet,
mësoj për luftërat që ndodhin, kahëdo ndodhin,
për urinë që shtrin krahët e saj të padukshëm,
për fatkeqësitë që ndodhin afër,
njerëzit që qajnë në anën tjetër të botës,
për ata që qeshin me lot të heshtur,
për jetën që rrjedh mes titujve të përditshëm.

Me gishtin tregues, unë lexoj librat,
por nuk i ndjej faqet tek kthehen,
nuk i ndjej gishtërinjtë të mbajnë peshën e një fjalie,
nuk dëgjoj gërvishtjen e letrës që lëviz mes gishtave të mi.
Me këtë gisht lexoj poezitë,
poezitë e autorëve të panjohur,
të njohur vetëm si emra, si tinguj dixhitalë,
të vendosur në rrjeta, por jo në kujtesë.

Ka ardhur koha e gishtit.
Një kohë ku gjithçka nis dhe mbaron
me një prekje të vogël.
Një botë ku dora e njeriut është tkurrur
në një lëvizje të thjeshtë,
një gjest i vogël që mban universin brenda tij.

Me gishtin tregues, unë blej gjithçka,
blej libra që nuk i prek,
veshje që nuk i provoj,
ushqime që nuk i zgjedh me dorën time.
Me gishtin tregues, unë hap dyer,
jo dyer me çelësa të ftohtë metalikë,
por porta dixhitale,
dyer që s’kanë zhurmë, s’kanë rëndesë,
dyer që nuk mund të përplasen.

Me gishtin tregues, unë vendos fatin e tjetrit,
klikoj “po” ose “jo”,
shkruaj një mesazh që mund të ndryshojë një jetë,
mbyll një bisedë që mund të kishte vazhduar përgjithmonë,
largohem nga një lidhje pa asnjë shpjegim,
me një lëvizje të qetë, pa zë.
Hë pra, kjo është fuqia e gishtit tregues.

Me këtë gisht, unë vendos se çfarë është e rëndësishme,
një “pëlqim”, një “përqafim virtual”,
një ndarje e një kujtimi që nuk ka aromë,
një lajm i ndarë pa e jetuar vetë.
Gjithçka është e lehtë me këtë gisht,
por a është gjithçka e vërtetë?

Dikur, gishtin tregues e përdornim për të drejtuar drejt yjeve,
për të numëruar kohën në qiellin e pafund,
për të shënjuar një rrugë në hartë,
për të shkruar një letër me dorë.
Dikur, ky gisht ishte tregues i dijes,
i mendimit, i zgjedhjes.
Tani, ky gisht është thjesht një portë hyrëse në një botë
ku gjithçka është afër, por asgjë nuk është reale.

Gishtin tim dua ta nderoj.
Dua ta përdor për të prekur një faqe libri të vërtetë,
për të gdhendur një emër në një copë druri,
për të përkëdhelur fytyrën e një fëmije,
për të drejtuar drejt qiellit dhe të them:
“Ja, këtu është pafundësia, jo në këtë ekran!”

Gishtin tim dua ta çoj drejt një dere të vërtetë,
të trokas mbi dru,
ta hap derën, të hyj pa fjalë,
e ta përqafoj një mik apo mike pa ikona,
pa njoftime, pa zhurmë dixhitale.

Sepse bota nuk është në ekran.
Bota është këtu, mes duarve, mes prekjesh të vërteta.
Për mua Bota është në peshën e një dore mbi supe,
në ngrohtësinë e një shtrëngimi,
dhe në dridhjen e një letre që lexohet me duar.

Por koha e gishtit është e fortë,
është e shpejtë, është e pashmangshme.
A mund ta ndaloj?
Jo, jo sepse tashmë është tepër vonë?

Selanik me 20 maj 2024

 

GJYMTYRËT E KUPTIMIT

Në përditshmërinë e hapur si libër,
ku fjalët ecin zbathur mbi pragun e heshtjeve,
gjymtyrët e kuptimit shtrihen ngadalë,
si rrënjë në tokën e mendimeve tua.

Nëse dëshiron që dëshirat të ecin për së mbari,
shiko kah unë, bëhu fjalë e menduar,
sepse unë i orientoj udhët tua
drejt vetes tënde, me kuptim të plotë.

Duart e arsyes lidhen me shpresën,
këmbët e guximit kapërcejnë dyshimet,
sytë e së vërtetës shohin më thellë
kur zemra e ndjen drejtimin e saj.

Nëse kuptimi të mungon sot,
mos u ndal në hijen e zbrazëtisë,
sepse unë jam këtu, dritë në terr,
busullë që të çon te vetja jote.

Jeta nuk është vetëm frymëmarrje,
por lëvizja e gjymtyrëve të kuptimit,
dhe nëse dëshiron të ecësh përpara,
mbaje mend: gjithmonë e ke udhën tek unë.

Bukuresht me 29 mars 2025

New Articles