Number of visitors on page:

N/A

Në diten e Madhe të Gjergjit – poezi nga Jeton KELMENDI

Page Visitors:

N/A

NË DITËN E MADHE TË GJERGJIT
(Lirikë epiko-filozofike për Skënderbeun — 620 vjet pas lindjes)

Sot bëhen gjashtëqind e njëzet pranvera
që lind në Arbëri një dritë në trup njeriu,
i biri i Gjonit — burrit me fjalë të forta,
dhe i Vojsavës — hije fisnike e urtësisë.
Ai që do të bëhej mburoja e një kombi,
flakadan për të gjitha kohërat.

Së pari erdhi Ai —
dhe historia i shkoi pas,
si uji që i hapet shteg një lumi që s’ndalet,
si fryma që kërkon trupin e vet.
Gjergj Kastrioti nuk ishte thjesht lindje,
por kthesë e vetë kohës
që deshi të vishej me dinjitet.

Në Krujë, ku era rrëfen legjenda,
u ngjall flamuri si zgjim i një kombi në gjumë,
dhe në çdo gjak shqiptari
filloi të rrahë një zemër shqiponje.
Nën armët e tij nuk fshiheshin vetëm ushtarë,
por vetë ideja e qytetërimit —
ajo që nuk njeh robëri.

Ai nuk luftoi për hakmarrje,
por për liri që lind nga dashuria për tokën,
për nderin e gjuhës që s’pranon zinxhirë,
dhe emrin që nuk përkulet,
për popullin që meriton të qëndrojë më këmbë
mes perandorive dhe perëndive.

Sot, pas 620 vitesh,
Gjergji është më i gjallë se kurrë,
jo si hije në libër historie,
por si frymë në palcë të kombit,
si kthjelltësi që na thërret në çdo mëngjes.
Ai është kujtesa që s’mund të na vdesë.

O ditë e bardhë që solle në jetë
shpresën e Arbrit,
birin më të ri të Gjon Kastriotit,
lindjen që la gjurmë në vetë diellin,
fatbardhë je si kombi që e rriti atë,
si gjuha që e thërret në emër: Skënderbe!

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,
ai që s’vdiq kurrë,
sepse kur lind një yll i tillë,
koha vetë e ndryshon drejtimin.

Dhe sot, populli yt është fatbardhë,
si kjo ditë që të solli ty,
me emrin tënd që valëvitet
në gjuhë, në zemra dhe në flamur.

Prishtinë me 6 maj 2025.

 

 

New Articles