Number of visitors on page:

N/A

NËSE ÇDO GJË KA EMËR, PSE MUNGESA KA VETËM NDJENJË? Jeton Kelmendi

Page Visitors:

N/A

NËSE ÇDO GJË KA EMËR,
PSE MUNGESA KA VETËM NDJENJË?

Në fillim njeriu u dha emër gjërave:
Tokës – për ta pushtuar,
Qiellit – për ta ëndërruar,
Ujit – për ta pirë,
Zjarrit – për t’u ngrohur.

Ujërat i ndamë në dete,
Dritën në agime e perëndime,
Edhe dashurinë e shndërruam në fjalë,
të thjeshtë si “të dua” e “më mungon”.

Por…
kur ikën dikush,
kur hesht diçka,
kur ndalet koha në një dhomë të zbrazët,
çfarë emri ka ajo ndjesi që mbetet?

Mungesa s’ka emër.
Vetëm ndjenjë.
Një zbrazëti që flet me gjuhën e trupit,
me një rrahje zemre më tepër
ose më pak.

Këto dukuri s’kanë trajtë:
Nuk janë tavolinë, as libër,
as hënë që mund ta quash “e plotë”.
Janë veç ndjenja
pa zë,
pa formë,
pa strehë.

Dhe unë,
në këtë përpjekje për të mos humbur,
kam ngritur një ushtri mendimesh:
një për çdo kujtim,
ca për çdo fjalë të pathënë,
një për çdo natë që më kthehet në pyetje.

Por edhe ato lodhen,
edhe ato më lënë vetëm,
përballë një mungese pa emër,
që më njeh më mirë se vetja ime.

Nëse çdo gjë ka emër,
atëherë pse mungesa
më thërret vetëm me ndjenjë?

Ndoshta sepse mungesa
është fjala që s’kemi arritur kurrë ta shpikim.
Sepse ajo nuk thuhet,
vetëm jetohet.

Salamina, Greqi me 2 nentor 2025

New Articles