Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Adnan Mehmeti, ShBA

Page Visitors:

N/A

Adnan Mehmeti u lind në Luginën e Preshevës më 1964. Pas diplomimit në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik më 1989 vendoset në Zvicër, ku punoi mësues i gjuhës shqipe. Veprat e tij të para letrare i botoi në Tiranë. Në vitin 1995 emigroi në Shteter e Bashkuara të Amerikës, ku vijon të merret me krijimtari letrare. Është autor i librave me poezi, kritikë dhe publicistikë.

Adnan Mehmeti është president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, kryeredaktor i revistës letrare “Pena” dhe themelues i shtëpisë botuese “Adriatic Press”.

Me kuajt e erës përtej detit

 

Merreni dashurinë
Çojeni përtej detit
Për të murosur në vendlindje.
Nuk do të vonohet shumë për trupin tim,
Ndoshta njëqind vjet,
Ndoshta një mijë vjet…

Trupi im, nga vonesa
I gjysmëmbetur rrugëve të botës,
Baladë e heshtur,
Do të qëndiset në pëlhurën e hijes sime
Për të ardhur me kuajt e erës
Përtej shtatë maleve,
Përtej shtatë deteve,
Përtej shtatë kontinenteve.

Dashuria ime
Është bar i gjelbër
Mbin aty ku nuk shkelet.

Houston

 

Takim me një arbëresh në Nju Jork

 

Gjashtëqind vjet më i vjetër se unë,
Mbi flokë kishe thinja,
Sytë të ishin lodhur,
Duke shikuar përtej detit.

Gjashtëqind vjet më i vjetër se unë,
Në Nju Jork
Nuk kemi nevojë për diplomatë,
As për përkthyes.

Gjashtëqind vjet më i vjetër se unë,
Në Nju Jork,
Binte dëborë.
Por gjurmët nuk u mbuluan.

Nju Jork

 

Zgjedhja e vendlindjes 

(Tea ka lindur në Zvicër, ndërsa Andi në Teksas)

Fëmijëve të mi
Ua zgjodha nga një vendlindje,
Si të ishin mollë në kopshtin me fruta.

Sa herë zihen, vënë bast,
Shkëmbejnë territore, qytete,
Gati i hedhin nga dera.

Unë ua zgjodha vendlindjen
Por Shqipëria – Ylli Polar
Mall që nuk shuhet kurrë.

 

Në largimin nga aeroporti i Prishtinës

 

E kërkova me sy deri te retë
Kosovën,
Diellit ia lashë amanet.

Prishtinë

 

Të qeshurat e vajzave

 

Vajzat bionde, me flokë të gjatë,
Të shkujdesura hedhin rrobat mbi rërë,
Mbulojnë trupin e zbuluar
Me valët e detit.

Vajzave bionde me flokë të gjatë,
Peshqiri, bandilli i tyre;
Ua thanë pikat e fundit të ujit.
Gjokset e tyre
Ulen e ngrihen
Si valë deti.
Dielli, i turpëruar
Ul sytë
Dhe fshihet pas horizontit.

Muzgu, ky dëshmitar ziliqar,
Dëgjon të qeshurat e vajzave bionde,
E vaizave me flokë të gjatë,
Që nuk pushojnë deri natën vonë…

Pensakolla, Florida

Udhë e mbarë, Kostandin!
(Kthimi i eshtrave të Faik Konicës në atdhe)

 

Nuk mbaje pasaportë,
As biletë udhëtimi….
Mbështjellë me flamurin kuqezi në heshtje,
I tretur për Shqipërinë…

Nuk mbaje pasaportë,
As biletë udhëtimi.
Nuk të premtonte koha
Për debate nëpër kancelaritë diplomatike.
As për botimin e numrit të fundit të “Albania”.
– U vonova, pëshpërite duke shpejtuar.
Asgjë në jetë nuk vlen
Sa amaneti i dhënë të dashurës Nënë:

Udhë e mbarë, Kostandin!

Houston

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles