Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Bedri Zyberaj

Page Visitors:

N/A

Bedri Zyberaj ka lindur më 6 maj të vitit 1963 në Drenofc të Rahavecit. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmin në Rahovec. Studimet universitare i ka mbaruar më 1988 në Prishtinë, në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka kryer dhe studimet pasuniversitare. Në vitin 2003 ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull ,,Fenomeni i luftës në veprat Për kë bie Kambana e Ernest Heminguejt dhe Hasta la vista e Petro Markos”. Edhe pse studimet i kishte mbaruar me nota të larta, për shkak të diferencimit të atëhershëm ideopolitik që e kishin vlerësuar se, gjoja, ishte i ngarkuar me nacionalizëm, për pesë vjet ka qenë i pa punë. Më 1993 ka filluar të punojë arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën Fillore ,,Vëllezërit Frashëri” në vendlindje. Gjatë kohës së luftës ka qenë pjesëtar dhe epror i UÇK-së. Prej vitit 1999 deri më 2004 ka qenë epror i lartë i Trupave të Mbrojtjes të Kosovës (TMK). Një kohë prej pesë vjetësh ka qenë këshilltar për medie dhe Marrëdhënie me Publikun në Postë-Telekomin e Kosovës. Në vitin 2014, për një periudhë të shkurtër, ka qenë drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ,,Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Që nga viti 2017 është profesor i angazhuar për ligjërimin e lëndës Kulturë gjuhe në Fakultetin e Shkencave sociale të Kolegjit AAB. Ka qenë Kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave së Kosovës. Përveç këtyre detyrave dhe studimeve, Bedri Zyberaj është marrë dhe vazhdon të merret me shkrime kritike, recensione, studime në fushën e kulturës dhe letërsisë shqiptare, me shkrime publicistike dhe krijime letrare. Ka marrë pjesë në tryeza dhe konferenca shkencore brenda dhe jashtë Kosovës, ku ka paraqitur kumtesa dhe studime për probleme të ndryshme të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në vitin 1998 ka botuar librin me poezi ,,Dromca vitesh”, ndërsa në vitin 2013 librin me studime ,,Në gjurmë të arketipeve”. Libri i tij i tretë, me titull ,,Vdekje më të mirë nuk dua”, është botuar më 2018 nga N. Sh ,,Armagedoni”. Në vitin 2024 ka botuar përmbledhjen me poezi të zgjedhura ,,Vetëm me vetminë” në dy gjuhë: shqip-greqisht. Poezitë e kësaj poërmbledhjeje, në greqisht, i ka përkthyer poeti dhe përkthyesi – Iliaz Bobaj. Studimet dhe krijimet e tij janë përkthyer dhe botuar në gjuhë të ndryshme, si në: anglisht, rumanisht, turqisht, në gjuhën arabe etj. Së bashku me familjen jeton në Prishtinë.

NËNA

Çdo ditë

Në orë të ndryshme

Të gjithë dalim nga banesa

Kush më herët e kush pak më vonë

Dy a tre nisen për punë

vrap

Dy a tre për çerdhe më ngadalë

Dy a tre të tjerë për ta takuar ndonjë mik a shok në ndonjë lokal

për ta mbytur bashkërisht mërzinë e përditshme të jetës në kryeqytet

me ndonjë shishe birrë Peje a me gotë vere të Rahavecit

qoftë edhe me tym cigareje slims

Vetëm nëna ngelet brenda

Jeton me kujtimet e jetës me babanë tim që nuk është më

Ngrohet me shqetësimet tona që kurrë nuk i pushuan

Nganjëherë më duket se dikush rri aty brenda

Bisedon me të

Për vete

Për ne

Për të tjerët

Vetëm me vetminë i qan hallet

Nëna e djegur

Nga zjarri i dëshirave më të mira

E kërrusur

Nga pesha e mendimeve të kobshme për mua

Nëna

Armikja ime e dashur.

DIÇKA SI NË ËNDËRR

 

Tehu i dëshpërimit ka rënë në mishin e  uzdajës

Ashtin e shpirtit shpon

Balonat e besimit

Kalorësit e lirisë po i therin si të ishin qengja

Zogjtë e shpresës

Pa pupla kanë mbetur

Plagët e zgjebosura mëkojnë me kokrrat e kohës

Dielli ftohtësisht nxeh

Dimri

Me vapën e vet

Vret

 

ZOTYNË

Zotynë

Sa të fortë ishim kur shkruanim në gurë

Sa anemikë jemi nën dritat e neoneve

Sa me besë ishim kur patëm shpata në dorë

Sa vëllavrasës u bëmë në udhën e shkronjave

Sa mirë shihnim nga majat e maleve

Sa të verbër jemi pranë llambadarëve

Zotynë

Sa madhështorë qemë kur ishim pak

Sa të vegjël u bëmë kur u bëmë shumë

ANTIJETË

 

Bulëzat e mallit bulëzojnë nga fundbota e shpirtit tim

Krehri i kohës kreh lulet e ditëve të ikura

Në majëbjeshkë guri i Sizifit ka lëshuar rrënjë

S’ka kush e shtyn tatëpjetë

Pemës së diturisë i janë kalbur frytet

Eva edhe po të dojë nuk i ha dot

Këtej e tutje

Adami do të dergjet në Parajsë

S’ka zot që do të kujtohet për të

Vdekja nga vetmia e lumtur do t’i vijë

NËN HIJEN E ZHGËNJIMIT

I kërrusur nga pesha e dinjitetit

Ripërtyp kujtimet e të shkuarës

Kur shpresën kishim ushqim

Tani

Koha kërkon të përkulem

S’e bëj dot

Jo që nuk dua

Por jam asht i pjekur

Harlisem nën hijen e zhgënjimit

SHPËRFYTYRIM

Zemërimit i rrah zemra

Zambakë të marrëzisë kanë hapur petalet

Faqja e zezë doli në sheshnajë pa u skuqur aspak nga e zeza e vet

Zoti ka dhënë shpirt ka kohë

Minjtë e gjirizeve po mbajnë rendin

Tani

Shpërfytyrimi ka pllakosur çdo gjë

Identitet

Askund

Në këtë pus pa fund

JAM

Për t’gjallët

Jam i vdekur

Për të vdekurit

I gjallë jam

 

New Articles