Foto: Gëzim Kruja, Margarita Xhepa dhe Jeton Kelmendi, Tiranë 2009
PSE IKE PA NA THËNË LAMTUMIRË, MIKE
(Kushtuar aktotres se madhe Margarita Xhepa)
Pse ike, pa na thënë lamtumirë,
si një hije e dritës që tretet në skenë,
si një fjalë e pathënë, që rri pezull
në ajrin e rëndë të kujtesës?
Ti, që fjalët i bëje të gjalla,
që trishtimin e mbaje në pëllëmbë
dhe e shndërroje në art,
pse ike, pa e lënë as zërin tënd
të venitej ngadalë në heshtje?
A mos vallë skena e përjetësisë
të thirri më shpejt se duhej,
a mos e dinte ajo çka ne s’e dimë,
se shpirti yt nuk mund të vdesë,
se yjet nuk bien, por vezullojnë lart?
Ende të kërkojmë në hije të roleve,
në buzëqeshjen e hidhur të tragjedisë,
në sytë që shpojnë errësirën e kohës,
në një dorë që shtrin kujtesën,
në një fjalë që ende kumbon.
Ti ishe më shumë se një aktore, artiste
ishe një zemër që rrihte në çdo skenë,
një shpirt që digjej e ndriçonte,
një zonjë e madhe që mbante në sy
peshën e shekujve,
zërin e dhembjes dhe të dashurisë.
Në çdo rol tëndin kishte diçka hyjnore,
diçka që sfidonte kohën,
një shpirt që ngjitej mbi skenë
si një rrufe që ndriçonte errësirën.
Pse ike pa na thënë lamtumirë?
Apo e dije që arti yt
s’ka nevojë për fjalë të fundit,
se është ai që kurrë nuk mbyll perden?
Sot vetëm dole nga rolet e tua
për të vazhduar një rol tjetër në përjetësi.