Legjenda: Foto e Ligur Shyti në Konstancë, duke marrë çmimin nga Petrescu.
“REALITETI QË DIGJET NGADALË: TREGIMET E LIGOR SHYTIT SI PASQYRË E SHOQËRISË SHQIPTARE”
Nga Prof. Akad. Jeton Kelmendi PhD
Përmbledhja Tregime dhe novela e Ligor Shytit është një mozaik prozash që vijnë nga realitete të ndryshme shqiptare: mjedise rurale dhe urbane, nëpër kohë të ndryshme historike, përvoja personale, përplasje emocionale, ngjarje kriminale dhe rrëfime të jetës së përditshme. Kjo shumësi ngjyrash tematike i jep librit një karakter të larmishëm, ndërsa mënyra narrative e autorit qëndron e unifikuar: realiste, e drejtpërdrejtë dhe e lidhur fort me jetën. Libri ndërton një univers letrar ku protagonisti shpesh është njeriu i zakonshëm shqiptar, ai që përballet me vështirësi sociale, dilema morale, tundime, dashuri, emigracion, hakmarrje dhe padrejtësi. Çdo tregim hap një dritare drejt psikologjisë së individit shqiptar të pas viteve ’90-ta, një shoqëri në tranzicion, e brishtë dhe e trazuar, por edhe e mbushur me humanizëm të thellë.
Tematika: Jeta shqiptare mes idealizimit dhe realitetit të vështirë
- a) Ferri dhe Parajsa e jetës së përditshme
Shumë tregime hapen me kontraste të forta midis lumturisë dhe ankthit, ëndrrës dhe zgjimit, parajsës dhe ferrit. Në një nga fragmentet më të fuqishme, autori krijon një metaforikë të ndikimit dantesk, duke përshkruar jetën si zbresë në disa rrathë ferri:
“Atje, në Parajsë, ishin gjërat të prekshme, të shijshme, të bukura, ndërsa këtu, janë të paprekshme, imagjinare, të dukshme dhe tepër të dhimbshme…” Kjo ndarje poetike i ngjan përplasjes midis idealit dhe realitetit që përshkon të gjithë librin: jetërat e personazheve janë të mbushura me dëshira të mëdha, por shpesh përplasen me kufizimet materiale, rrethanat e vështira dhe rastësitë e dhimbshme.
- b) Krimi, drejtësia dhe morali shoqëror
Shyti përshkruan shpesh situata ku policia, kriminelët dhe viktimat ndërthuren brenda një sistemi moral të shthurur. Në tregimin ku një grup policësh niset për të kapur një bandë grabitësish refugjatësh, atmosfera është dinamike dhe e tensionuar:
“Një bandë hajdutësh kishte grabitur disa refugjatë…” Tregime të tilla zbërthejnë natyrën e dhunës së re që lindi pas viteve 90 dhe tregojnë frikën, impulsivitetin dhe ndonjëherë edhe profesionalizmin e institucioneve të shtetit. Në një tjetër episod, hetuesit përballen me banditë që nuk pranojnë krimet e tyre, ndërsa skena e dhunës policore vjen e rëndë dhe reale:
“Shefi i krimeve… e mbërtheu prej gryke duke e qëlluar me grushta e shqelma…”
Këto momente nuk janë thjesht narrativa, por dokumentim i një epoke të trazuar.
- c) Migrimi dhe drama njerëzore
Një prej temave më të forta është migrimi, paraqitur si nevojë ekzistenciale dhe shpëtim, por edhe si burim tragjedish. Vëllezërit te tregimi i Pukës, që nisen drejt kufirit me shpresë për një jetë më të mirë, mishërojnë këtë dramë:
“Unë mendoj të shkojmë në emigracion… Nuk kemi as shtëpi dhe as lekë për ta përballuar jetën.” Përshkrimet janë reale, të dhimbshme dhe të ndërtuara me një shqetësim të madh human. Tematika e migrimit thellohet edhe më tej në historinë e Kolës, i cili kërkon të hakmerret për vëllain e vrarë në det nga Guardia di Finanza. Ky rrëfim shton një dimension tragjik, të lidhur me identitetin kombëtar dhe nderin familjar:
“Haku duhet marrë…”
- d) Dashuria, intimiteti dhe marrëdhëniet njerëzore
Pas realitetit të ashpër, libri sjell edhe tregime të buta dhe reflektuese mbi intimitetin njerëzor, takime të rastësishme, kujtime të dashurisë, takime me gra që shfaqen si figura dritëdhënëse në momente të vështira. Për shembull raporti i përzemërt me një punonjëse në një spital, i mbushur me ndjeshmëri, ngjyrë dhe humor të lehtë:
“Ai zë i ëmbël mu duk si zëri i njëmijë nënave të marra së bashku…” Në një tjetër tregim, autori e përshkruan natën me një mike si një përjetim delikat, ku detaji poetik për lulet që i dhuron, shton simbolizëm të ndjenjave:
“I këputa sot në mëngjes, se e di që lulet të pëlqejnë.”
Dashuria e pazëshme, xhelozia dhe zhgënjimi paraqiten te tregimi ku protagonisti sheh miken e tij Anitën në shoqërinë e një tjetri, ku kapërcimi i ndjenjave të brendshme vjen permes një tensioni të qetë dhe analitik:
“Në vend të vajzës bionde… po mendoja Anitën.”
- e) Jeta e përditshme dhe dramaciteti i vogëlsirave
Një grup tregimesh përqendrohen te ankesat dhe vështirësitë ekonomike, te barakat, dyqanet që nuk ecin, qeset me qira, sakrificat prindërore. Këto tregime kanë një patos të fortë social. Shembull është rrëfimi i gjatë i një burri që përpiqet të mbajë familjen dhe të ndihmojë fëmijët e tij në Tiranë:
“Unë, herë punoja, herë s’punoja… Qeraja duhej paguar, kishe apo s’kishe.” Këto fragmente i japin librit autenticitet të lartë social dhe janë një pasqyrë e sinqertë e realitetit shqiptar.
Analiza gjuhësore
- a) Gjuha e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, e gjallë
Stili i Shytit është i natyrshëm, i rrjedhshëm dhe tejet komunikues. Gjuha është e thjeshtë, por e ngarkuar emocionalisht. Dialogu dominon thuajse çdo tregim, duke i dhënë ritëm dhe gjallëri prozës. Autori arrin të krijojë atmosferë me pak fjalë, duke përdorur detaje konkrete, shqip me një gjuhë të pastër dhe figura fjalie popullore. Gjuha shpesh bëhet vizuale dhe kinematike, sidomos në skenat ku përshkruhen ndjekje, tensione policore apo takime emocionale.
- b) Narracioni i brendshëm dhe monologu
Tekste të caktuara përdorin monologun e brendshëm për të zbuluar dilemat, frikërat dhe ankthin e protagonistit. Për shembull, në ndjekjen e një të panjohuri në Tiranë:
“Instikti im ishte kthyer në një detyrë që s’ma kishte ngarkuar askush…” Ky monolog krijon një lloj auto-suspensie dhe e ngre lexuesin në nivelin emocional të personazhit.
- c) Ndërrimi i regjistrave gjuhësorë
Shyti ndërthur gjuhën administrative (në tregime me ngjarje policore), gjuhën e përditshme popullore, dhe një stil poetik-hermetik, sidomos në etydin “Me lejen e Dantes”, i cili përbën një nga pjesët më stilistikisht të veçanta të përmbledhjes.
- d) Humori dhe ironia
Edhe kur trajton tema serioze, autori e ndërpret tekstin me nota humori, shpesh të hidhura. Shembull i mirë është skena e rakisë në çantë, që sjell një lehtësi të bukur dhe njerëzore në rrëfim: “E pabesueshme… nuk e mendoja kurrë se në atë çantë do të mbaje raki.”
Analiza tekstuale dhe strukturore
- a) Ndërtimi i tregimit
Tregimet e Shytit janë zakonisht të ndërtuara mbi tre shtylla:
- Hyrja e drejtpërdrejtë në ngjarje – pa shumë përshkrime hyrëse.
- Konflikti – shpesh dramatik, moral, emocional.
- Mbyllja e hapur – ku lexuesi mbetet me ndjesinë se jeta vazhdon përtej tekstit.
Struktura është dinamike dhe e varur fort te dialogu, që prodhon ritëm dhe tension. Në kontekstin tekstor autori spikat me një qasje impulsive dhe ndërthur ngjarjet me përsonazhet.
- b) Polifonia e personazheve
Libri paraqet personazhe të shumtë, kush më i brishtë e kush më i fortë, por asnjëherë stereotip. Shih në konceptin pulsativ:
- policë, hetues,
- njerëz të thjeshtë fshati,
- emigrantë,
- të dashura, infermiere, mikeshë,
- kriminelë të pasigurt,
- fëmijë,
- tregtarë që luftojnë me borxhet.
Kjo shumësi krijon një hartë të gjerë sociale, duke e bërë librin të ngjasojë me një panoramë të realitetit shqiptar. E meqe ra fjala për realitetin, atëherë nuk mund të mos e potencoj se ky realitet here përfillë e here shpërfillë ngjarjet.
- c) Autenticiteti i kohës dhe vendit
Shumë tregime janë të datuara (p.sh., Dhjetor 1997 në një prej fragmenteve policore), çka e vendos tekstin brenda historisë së Shqipërisë. Po ashtu, lokacionet janë reale: Tirana, Përmeti, Tepelena, Puka, qytete bregdetare, pika kufitare, etj. Ky realizëm e bën tekstin të ndjehet dokumentar dhe jetësor.
Vlerësim estetik
Ligor Shyti shkruan me një sens të fortë të realitetit. Ai nuk idealizon, nuk zbukuron dhe nuk shmang dhimbjen apo kontradiktat morale. Sidoqoftë, brenda këtyre rrëfimeve shpesh ka mbjellë një lloj dritëzim njerëzor: një zë i butë, një kujtim i ngrohtë, një humor i lehtë, një gjest i ndershëm, që e shpëton tekstin nga pesimizmi absolut. Në anën estetike, libri përmblidhet si bashkim i tri tipologjive:
- Prozë realiste social-historike, e fokusuar te vështirësitë e njerëzve.
- Prozë psikologjike, që futet në brendësinë e personazheve.
- Etyde poetike, që dalin nga rregullat klasike të tregimit dhe marrin aromë filozofike.
Dhe krejt për fund pasi që kam lexuar me kujdes “Tregime dhe novela” është një libër që e kap jetën shqiptare në të gjitha nuancat e saj, nga absurdi dhe tragjedia, te bukuria e momenteve të vogla; nga dhuna dhe varfëria e tranzicionit, te nostalgjia dhe ndjeshmëria njerëzore. Autori arrin të gërshetojë realizmin e ashpër me një ton emocionalisht të butë dhe të kujdesshëm. Tregimet lexohen me ritëm, në gjëndjën e vërtetë, dhe mbeten gjatë në mendje, sepse janë të ndërtuara nga vetë materiali i jetës.
Prishtinë me 18 nëntor 2025