Number of visitors on page:

N/A

Rexhep Hoti, Kosovë

Page Visitors:

N/A

Rexhep Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 12 Janar 1964. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Kosovës për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, ndërsa magjistraturën në shkencat filologjike po në këtë universitet, me temën «Kombi dhe shteti në krijimtarinë e Kadaresë».
Nga viti 2013 është duke ndjekur studimet e doktoratës në Departamentin e Shkencave Politike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.
Hoti ka një biografi të pasur me angazhimet e tij në fushën e medieve, të studimeve, të artit dhe të publicistikës. Si student ka nxjerrë gazetën e parë universitare të shtypur, me titull «Fundamenti» në Fakultetin e SHMN-së në Prishtinë.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, me Ukshin Hotin udhëtojnë në Lubjanë, ku fillimisht ishte Lektor i revistës së njohur «Alternativa» e më pas edhe redaktor i revistës «Demokracia Autentike», ku njëherësh ishte edhe bashkëthemelues me Ukshin Hotin.
Hoti ka themeluar edhe gazetën e përditshme «Infopress», të përditshmen «Tribuna shqiptare», të përditshmen «Sport», revistën «IPmagazinë» etj.
Hoti ka qenë edhe këshilltar politik i kryeministrit Bajram Rexhepi, ka hapur zyrën e parë të Qeverisë së Kosovës në UNMIK dhe ishte njëri prej hartuesve të dokumentit «Standardet për Kosovën», hartues i dokumentit «Strategjia e Bashkëpunimit Qeveri-UNMIK», koordinator i Zyrës Ndërlidhëse Qeveri-UNMIK, deputet i Kuvendit të Kosovës, Drejtor i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Zyra Rajonale Kosovë, Zëvendësministër në MKRS-së etj.
Hoti është autor i disa librave, i shumë punimeve shkencore si dhe pjesëmarrës në mjaft Seminare dhe Konferenca Ndërkombëtare. Librat e tij më të njohur janë: «Visore të shthurura», «Nata e Kosovës», «Tempulli i fjalës», «Kosova përballë vetvetes», «Pesha e konsensusit», «Përzierje e trishtë», «Gjenitë dhe drama e Kosovës», «Flirti civil dhe ambasadori», «Ndëshkimi i kujtimeve» etj.
Është i martuar, ka tre fëmijë, jeton në Prishtinë.

Poezi

Shpërthekoje dashurinë

Shpërthekoje dashurinë në hapësirat e paprekura,
Ta shijoj copëzimin tim në mijëra grimca,
Si thotë poeti, ah, në atë vend;
Fanarët e rrugëve lë të ndriçohen prej ndjenjave;
Rënkimi i frymëmarrjes sate më le pa mend.
Besoj në shikimin e dashuruar,
S’ka rrëfim ku s’të bëj të pavdekshme;
Si farkëtari i moçëm që i jep hekurit ujë nëpër zjarr,
I shuaj etjen çdo qelize në shpirtin tënd.
E bëra diellin të lindte më herët për ty,
Të besoj natyrshëm e s’e di përse;
E zgjidh konfliktin e stinëve për kufijtë,
Për ty bëhem vagabond, Shën Terezë e Skënderbe!
Dhe kur shtigjet të mos kenë shpresë,
Besim do t’u fal njerëzve udhëtarë;
Do të shfaqem mbi kupolën qiellore për ty,
T’i drejtoj të humburit e dashuruar unë si Ylli Polar!

Tiranë-Prishtinë, Dimër pas Vitit të Ri, 2018

Kthimi i poetit

Liqeni valëzohet qetë në vallëzim me vetveten.
Sapo ujin prek më vijnë ëndrrat lasgushiane;
Syprina e përkund vetminë të dremis nëpër vargje;
Koranët notojnë me krekosje për misione marsiane!
Retë më përkulen nga lart me serenatat korçare,
Fluturimet vringëllojnë si shpatat në dyluftim;
Mjeshtri i fjalës po kthehet me mallin e ndëshkuar,
Liqeni i hap portat me druajtje të ankoroj shpirtit im.
Nata në sosje prarohet qetë në të përhiturën
E marr ngadalë diellin, e kapa për dore si fëmijë,
Rrezohet gjithçka në ledhatime prej Yllit të Zemrës,
Të mos ketë frikë drita, gjersa zhytet thellë nëpër sy!

Pogradec – Prishtinë, Dimër pas Viti të Ri, 2018

Më mjafton aroma…

Nuk e ndërroj me puthje!
Më jep vetëm atë përqafim me shkronja.
Gjithçka rreth meje po shpërfytyrohet,
Drita e pamjes sate me bie nga mendja.
Të marr aromën e trupit tënd;
Të marr shpirtin në gji,
Të mbjell fort shtrëngimin në bel
Kaq dua,
Jo më shumë;
Përqafim!
Zoti të dhashtë…, si thotë Migjeni ynë!
O, më shkruaj në njëjës, të lutem!
Më “ju” s’arrij kurrë te gjoksi yt;
Vetëm kështu vitet do ta humbin kuptimin
E numrave midis nesh,
Stinët nuk do të kenë moshë,
Ngjyrat do të jenë plotë erë
E ne do të bëhemi
Një në përqafim.

Prishtinë, Dimër, janar 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles