Number of visitors on page:

N/A

Albert V. Nikolla

Page Visitors:

N/A

ALBERT V. NIKOLLA

Shkëputur nga vëllimi “Alkimia e Zemres

RREZIMI I HENES

Oh qyteti ishte përballë nesh i zhveshur!

Ne, shikonim të përhumbur mjegullën e dendur,

Teksa hante dritat e zbehta, në terrin e rrëqethur

Të neoneve të fjetura, pa energjinë e mençur

Tymosnin kokat e thinjura të shtëpive të vjetra!

Kush duhet të transformohet në ujk, -klitha-,

Për të shqyer e rrjepur delet e mbetura,

Askush nuk e pranon rolin! Ndaj nga sytë këmbët ika,

Po, jam UN regjisori i dështimit të heshtur!

Teatri antik u boshatis, dhe në prapaskena

Ja behën kolonitë e qenve, në skarmijë!

Hëna e dashur mu rrëzua mbi lugjet e Nemura,

Me rrokullisje nisi të shkërmoqet shpateve të djegura!

Ardhtë një diell që shpirtrat të na i shkrijë!

Tiranë, korrik 1996

HESHTJA E BRITJES VRET…..

Kam britur ; lojë në mos qoftë… në gjëmë,

Që kur klith lind e vdes… nëse jemi të gjithë të lënë

Duke u dëshpëruar se asgjë nuk kam thënë… !

Oh ç ‘dhembje….Pse më bëre kot moj Nënë

Sferat e mia ! unë ….pa vlerë, flushka në erë

Që kur lë botën të ma punojë, fjalët bëhen skëterrë,

Qime derri si para në xhep, që shpojnë pa sebep…

hamë qull si pleq! Shikohemi dhe vjellim vrerë

Flluskë që shpërthen ; sapun që erë të mirë bjen,

Parfumi, – një fshehje e erës së kukudhit…

rrokopujë…Çmendje pa bujë… shuj motra shuj..

kurr-ni gja….Mbytje në një lugë ujë…

Mund të themi : « po nëse jemi… »

Por sekondat dhe vitet ikin… asgjë ariale e re….

shkencërisht skyzo-fren…përmbi re….

Shkatërrova gjithçka ; ju bëj be!

unë, « nuk është një britje më shumë »!

Kur Ofelia është e artë në shtrat :

pse ne presim çdo ditë atë që s’ndodh!

Tjetri, (I kthyer  në mashtrues proverbial»):

“Pse të rrezikoj kokënja mbath me galot,

Ndërkohë që ndryshe duhej të ishte realiteti,

Rekuiemi i shkretë…Mbyllur në shishe sekreti,

në një oqean mbi i universialitet idiot!

Një vit, që duket si në film, plot vrer

Një jetë, dy sy të hapura gjer ne tmerr…

Po e le botën të (sh)bëhet në skëterrë !

Në kampingje stilesh, i rritur por i papjekur,

Me stilolaps të ngrehur, në deformim të çjerrur,

lindje pa bindje, pa bosht, pa farë,

Dhe të tjerët, në përpjekje për të kuptuar sesi

Një çift formohet nga një materieje në potere,

Varg si larg, si afër dhe si lart, – paradë,

Art përmbi art, heshtja e britjes Vret,

çjerr fytyrën në siklet… mrekullia e shtatë

Durrës, më 27 korrik 1998

MARMALATE LIRIE

Ju blini tre tonelata kohë në axhensinë e shpërdorimit,

Kjo ju bën interesant para patave të universitetit të Yale,

Në kërkim të heshtjes, ju keni mbyllur fjalët në magazina,

Dhe ëndrrat i keni shkërmoqur e përpunuar në uzinë si mbetje…

Luaj një lojë, që do të jetë e fundit qejf-mbetje….

bassic-fitnes, shkohet si në një ceremoni mortore,

Megjithëse askush ska vdekur kjo shihet në nxehje,

Parodia teatrale e shikime bëhet dhe më snobë,

Dëshirat seksuale përzien me djerse, përdredhje dhe zhele,

Në pasthirrmat e sforcimit për të ngritur peshën X

Fshihet seksizmii vulgar për tri kolona në disk

Vë bast me 300 kalori dhe një shishe uji, diku ne jemi parë…

Në diskotekën « Bradhers », me shampanjë shpërlarë… ,

Të gjitha ikjet nuk janë të pranueshme për memorien tonë,

Hap flatrat e shpirtit e fluturo sa nuk është vonë…

Le ta zhubrosim fushën e vikingëve që të bëhet me kodra,

Dhe ta fusim autostradën që shkon drejt detin në një thes,

Lopët e mëdha që pa vetëdije në fusha me barë kullosin,

ti transformojmë në anije kozmike për udhëtim kompleks,

universi do të mbushet me buallitje kafshësh dështake,

dhe koha do të ndalet në epiqendër të misterit Sussex.

fije e hollë kuptimi, që mban aksin e karuselit nën pretekst,

është kënga jote, teksa ecën në rrugën e biçikletave me kravatë,

koha është si mollët që nëna ime i bëri marmelatë….

Tiranë , 21 maj 2000

KRIJIM KAPILAR

Ushtria e mendimeve të mia nisi marshimin drejt heshtjes,

S’e ngritën dot flamurin e fitores në kalanë e shenjtë

Të gjithë komandantët nënshkruan aktin e shëmtuar të tërheqjes,

Pa mundur ta pushtojnë qytetin e madhërishëm të mendjes,

Pas këtyre u panë gratë e lodhura të instinkteve dhe veseve,

Tek dilnin në rrugë të shëtisnin të lira nga logjika njerëzore,

Mbret i dëshpëruar, vendosa të vetëvritem me vargje,

Në ishullin e maceve të plagosura nga kobrat e Tebes.

Në Athinë Zbriti Zeusi nga një avion amerikan “Herkules”,

Dhe shkoi drejt qendrës me autobusin e linjës urbane,

Kërkonte dëshpërimit të blinte rrufetë e tij goditëse,

Në Olimp kriza e nektarit dhe armaturave po arrinte kulmin,

Pyeste kalimtarët e rrugës në gjuhën e vjetër mikenase,

“Në cilin stacion duhet të ndalem që të shkoj në Akropolis

Askush se merrte seriozisht, grekët e rinj qeshnin me Zotin antik,

Mendonin se ish një aktor komedish ardhur nga Las-Vegas

Dy akademikë e panë, e kuptuan dhe nisën të qajnë me dënesje,

U ulën ti puthnin këmbët plot dashuri dhe mirësjellje,

Për këtë u arrestuan dhe u dërguan në burgun e helmët,

Të ndërgjegjes Turko-Osmane ndërtuar nga një fuqi e errët.

Mbi britmat e urrejtjes ardhur nga shkretëtirat mongole,

Mëngjeseve këndon gjeli spartan i mendimeve të mia rebele,

Duke riorganizuar zonat e trurit të për të patur përshkënditje,

Tentoj t’ia prodhoj Zeusit të gjitha sasitë e rrufeve,

Por jeta disa vite nga thellësia e zemrës sime mi ka vjedhur,

Dhe tik-taket e orës së vjetër nuk janë regëtima për skeptër,

Fjalët e vjetra të gjuhës Gege më bëjnë të shëndetshëm,

Në labirintet e shfaqet dhia Amaltea, dhe kënge e epërme,

Dua një lahutë, ta këndoj eposin e vjetër të Homerit…

Ta vajtoj Akilin, të mirin e mirmidonëve të mi të shenjtë,

Po perdja befas bie, dhe gjithë salla zhytet në heshtje…

Armata e ndjenjave të mia nisi udhëtimin drejt jetës,

Në gadishullin e luanëve që shqyenin gjarpërinjtë e Tebes.

Në Olimpin e rrethuar, Hefesti po skalit shpatat e betejës

Strategët e mashtrimit po rrëzohen në aksin e humnerës,

Hordhitë mongole, terrorizojnë zanat e maleve të Peloponezit,

Në ikjen e tyre të çorientuar drejt portave të Hades-Ferrit,

Fonemat e vjetra të gjuhës mikene më bëjnë të shëndetshëm

gjeta një lahutë, dhe nisa të këndoj “Odisenë” e Homerit

Po perdja i gris papritur dhe Zeusi nisi të na gjuajë me rrufera…

Për sa kohë o njerëzit e Yllit do të jeni skllevër të heshtur,

Sdo të ketë paqe në këtë epiqendër të krijimit kapilar,

Bijtë e Akilit janë gjallë, ende nuk kanë vdekur!…

Tiranë, më 25 dhejtor  1999

LIRIKA NEN SHI

Kushtuar Poetit Kosovar Azem Shkreli

Lirikat në shi, tuj u shkri si mjalti i moçëm i Maleve të Rugovës,

Shkojshin Drinit të bardhë e Pejën e veshën me mjaltinë të artë,

Dëgjohej kënga e vashave në vreshtat e mollëve të dardhave,

Dhe pena që griste qiellin në vajën e kobshme pas mesnate,

Atdhe , Kosovë ne të japin profetin e lirisë dhe poetin e pastër,

Ne të japim frymën e Zotit të madh dhe fjalën thellësisht të kaltër,

Ibrahim Rugoven e urtësisë dhe Azem Shkrelin e Shpirtit ….

« Bari i egër », ka mbirë në trojet tona të vrara nën britmat e tamthit,

Ju kam ende brenda shpirtit brezat e gjatë të ikjeve që trishta,

« A Kon » nji ditë e lume kur mbi bjeshkë ka zbardhun grigja,

Dhe plisat e bardhë të motmotit janë mbledhur nën hanë,

Janë lut zanave të vendit dhe yjeve të qiellit të hijshëm si krojet,

A ka liri për këtë tokë ku dielli ilir ka mbretërue që prej motmotit,

Apo nën diellin e sfumuar të robërisë do dergjet toka,

E ti Azem Poeti e ke ditur se bota nuk çlirohet nën injorancën e çallmave,

Ke kap kap vargun e ke tjerrun si filozofi i tokës së Lotit,

Me dritë liria vjen e jo me idioma të shpirtit në ideologji prangosur,

« Katër këshilla vetes »- ka ke dhanë teksa rrugën ka marrë ,

Drejt jetës së pasosur të panteonit kombëtar…

Ty të vjen të zbresësh në fund të fundit, të vdesësh i gjelbërt,

Si paqja e zotit që me të jeshiltë tokën e Kosovës e vesh ,

ti shkon në Shën Naum dhe puth krahun kokën tjetër të shqiponjës,

Atje ku Drini i zi buron dhe drejt Drinit të bardhë rrugën e gjatë e merr,

Kënga malli nga struka mbi djepet e Rugovës dhe takimi në Prizren,

Vdekja e malësorit do të vihet në skenën e Teatrit të Kosovës

Plisi i bardhë do të merret nga djemtë e lirisë mbi kokë si amanet,

Azem poeti, ku e dije ti se Malësori , Baca Adem do të ikte si hero i lashtë dardan,

Dhe se plisi me plumbash e bombash shkiatane do vihej në kokë,

Të Gjergjit tonë të shenjtë , që gjakun na e bëri të ndritshëm për botën e dritës ?

« Tash sa kohe – po don te gdhije -e s’po mundet.“

Gdhiu i madhi Azem Shkreli, po mbi Kosovë vërshuan hajdutët,

Lirinë po e shesin nga pak e përditë, për pak pare, për pak pushtet,

ti ikën qiellit e mallkon tradhtarët që nginjen me gjakun e popullit që vuan…

ata, do të harrohen, ti do të mbetesh i përjetshëm,

fati e ka thënë nën shkulmat e Drinit të Bardhe: Vëllai im Poet.

.DHE KETU FILLON MISTERI….

Në mes dy refleksioneve të arta kur dielli më përskuq,

Mbi Kurrizin e ëndrrave të mia ku nuk njeh kufij eteri,

Marr guximin të lexoj një poezi dhe ëmbël nis të puth,

Gjer sa ti shkrihesh krejt,…dhe këtu fillon misteri…

Të gjitha netët i ndriçoj me mendime të bukura për ty,

Të gjitha mëngjeset mi bekon prezenca jote ëmbëloshe,

Duke dëgjuar zërin tënd unë shkrihem ngjyrash në sy,

Si parfum rrethoj gushën tënde të bardhë e gjatoshe.

Ka gjithmonë zgjime të bukura në peizazhe anonime,

Që vetëm parajsa mund ti fshehë në brendësi të saj,

Një kryevepër natyre s’mund të futet në vargje poezie,

Jam drenush lirie që të ndjek nëpër hapësirat pa skaj.

Shtati yt, qiparis mes vreshtit më mbeti peng ne zemër,

Më mbushi gjoksin me dëshira për tu ngjitur lart e lart,

Vrapova rrugicave me galopin e një demi të egër,

Për të rrëmbyer me dashuri e për të derdhur në art…

Në mes dy dëshirave të arta kur dielli u përgjak,

Mbi Kurrizin e ëndrrave të mia ku nuk njeh kufij liria,

Marr guximin të-të puth në cep të buzës sadopak,

Gjer sa ti jepesh krejt,…dhe këtu përflaket dashuria…

Tiranë, më 27 prill 1988

HEMISFERE VERIU

Duke vrapuar me kërcime mbi petale lulesh të gjalla,

Trajektorja është një firmë e shkruar këmbërisht me gishtërinj,

Të gjitha pistilat janë tentakula yjesh në shpërthim,

Midis dy distancave ka një trishtim premtimesh të pambajtura!

A smë thua ti, që vend nuk ke mes të gjallëve,

Cili është sekreti i kremtimit të ikjeve pa kthim,

Duke menduar për bujtësin e natës që nuk ishte,

Marr pozat e një faraoni dhe bie në pendim…

Hemisfera e veriut, është atdheu im,

vendi i pushimeve që po vijnë është Hemisfera e Jugut…

Gjersa pikat e vesës të pushtojnë gjithë horizontet e lulëshme,

Do të notojmë brenda gjumit, si të ishim delfinë,

Pastaj do arkëtojmë ëndrrat në gjiret e padukshme,

Dhe do përgatitemi të kthejmë në jetë batërdinë…

Mëngjeset kur ti hamë, nuk do jemi të djeshmit,

Qumështin kur ta pimë do të ndjehemi bebe,

Bukën me dhëmbë kur ta krrokatim sdo kemi mëshirë,

Për minuat që ikin dhe për jetën e vdekshme…

Në Bluarjen e kokrrave të grurit në mullirin e mendjes,

Do pjellim tym të bardhë mielli në horizontet e botës,

Të habitur nga kompozimi i reve që shkojnë drejt fjordeve,

blejmë çadra që të trembim shiun e strotës

Atje ku fryn era, ka ajër që ne nuk e shohim,

Ka rreze drite që na shporrin terrin,

Duke mbyllur derën e shtëpisë, më e madhe bëhet bota,

Në shëtitjen tonë të pafundme, trazojmë me trup eterin…

Mbulesa e gjërave që kanë ikur është nostalgjia,

Gjerat që do vijmë, nuk arrin ti rrokë me krahë fantazia,

Dy zogj duke u zënë për dominim në qiellin e pafund,

U shembën përtokë dhe i rrëmbeu macja e komshiut tim,

Të gjitha gardhet e shtëpive janë një kornizimim absurd,

I hapësirave tona ku mbretëron vetmia….

Gishtërinjtë e mi përkëdhelin kokat e luleve të vjeshtës,

Teksa mizëria e gjetheve pushton hemisferën e veriut,

Në dimrin që pritet do të mbledh pasurinë e fletëve,

Do të shkruaj me laps baladat e një fëmijërie të tretur,

Në cep të rrugës mbërriti klouni me hundë të kuqe,

Me tullumbace të fryra dhe me tambur të shpuar,

Nuk di se ç’valle të kërcej në sheshin e meduzës…

Jeta është një lum i gjatë nga kapriçiot e stinëve trazuar…

21 Shtator 1977, hotel Rogner, Tiranë

ASTEROID AKULLI ME KTHETRA

Pasdite nisa të shkruaj një roman me fije spageti,

Mbi trungun e një peme të rrëzuar larg në një pyll,

Ti thaje notat e muzikës në gjatësinë e vjeshtës,

Dhe merreshe me thashetheme zogjsh të çmendur,

Që fluturonin mbi kokat e disa buallicave,

Llumit të kënetës…

Pas çdo faqeje të shkruar, romanin tim e hanin minjtë,

Dhe minjtë haheshin nga macet e egra,

Vetëm kujtimi i kujtimeve më mbetej në dritare,

Shumë harresa, disa ftesa dhe lakore plot kthesa,

Pushtimi i hapësirave ishte i vështirë për shkak të erërave,

Asgjë nuk duhet lexuar, veçse kapaku, poshtë vepra,

Në kthina të largëta, fshihej e trembur vlera,

Mbaj shenjë, qëlloj, dhe bris nga dëshpërimi

Unë s’jam , me ka vjedhur era…

Ti vazhdoje të thaje notat e muzikën me përkushtim

në vreshtin ku hardhiat nuk kanë asnjë veshul rrushi,

Të kapura me kapëse në horizontale me pesë tela,

Ato tunden, valëviten si flamuj të pazbuluar

Mendimet e mia po shuhen nga qejf-mbetja,

Çpo më digjet si diell i ri marramendja,

Në të gjitha ovalet planetare të kam dashuruar,

Po ti je thjesht një asteroid akulli me kthetra….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles