Number of visitors on page:

N/A

Anila Dahriu boton librin me tregime "TË MË FALËSH NËNË"

Page Visitors:

N/A

DYKOHËSIA E PASHMANGSHME E JETËS

 Nga Arjan Kallço
Sekretar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” Korçë, 28-29 nëntor 2022 

Libri më i ri i autores Anila Dahriut me titull shumë kuptimplotë, “Të më falësh nënë”, është një monument për nënën dhe të gjithë nënat tona në botë. Nëna është një dhe e vetme, të ka dhënë gjënë më të bukur që askush tjetër nuk mund të ta dhurojë: Jetën. Prandaj mendimi për të është si një alfabet që kurrë nuk mbaron, nga A në Z. Çdo shkronjë është baras me një jetë dhe çdo jetë e ka gjithmonë një fillesë, Ajo që është fillimi dhe fundi i mirësisë, i vetëmohimit, i sakrificës, i përpjekjeve titanike për të sjellë në jetë një Dritë, ku të shohë veten dhe të ndriçojë më pas në breza. Pra, Nëna është mohim-pohimi i vazhdimësisë në misionin e vet sublim që i ka dhënë natyra njerëzore. Sa shumë fjalë, vargje, faqe, libra i janë kushtuar Asaj, njëri më i bukur se tjetri, njëri më origjinal se paraardhësit. Të tilla janë nënat, të ngjashme, por asnjëherë të barabarta. Shprehja se “nëna ime është më e mira në botë”, është përmbledhja e të gjitha ndjesive më të madhërishme dhe emocioneve më të thella që jeta na rezervon. Dashuri pa kushte.

“S’ka në botë më të mirë/ sesa ti, o nëna ime…; apo, ja e para fjalë/ erdhi nëna…; O nënë/ perëndesha e jetës…; Vij nga rrugë e gjatë/ti më pret e para…”.

Mjafton të kujtojmë këto këngët tona më të arrira dhe vështrimet do të ndalen mbi secilën nënë, në një mesazh të përjetshëm të Maya Angelou: “Ta përshkruash nënën time, do të thotë të flasësh për një uragan në të gjithë fuqinë e saj”.

Por titulli i këtij libri shkon edhe më larg, në përulësinë e bijës së vet, që është e ndërgjegjshme se në jetë do të duhej që mbrëmjeve të kulmonin me ndjenjën falënderuese, si një venerim plotësisht të merituar, se nëna është zoti i saj, i atij akti fatlumë që kurorëzohet me lindjen. Me përkujdesen e rritjes, me dashurinë e pakufizuar si bijë që e tillë do të mbetet gjithmonë. Por jeta është shumë më e komplikuar, një metamorfozë e jashtëzakonshme, me ulje-ngritjet e veta, me largim-kthimet, me zënka-pajtimet, që për shumë arsye na vë përpara prova të vështira zgjidhjesh, por edhe sikur me lëndimet të mos gjejmë kurajon të kërkojmë ndjesë, nëna është zemërmadhe dhe gjithmonë na kupton. Nuk ka si nëna, është mikja dhe shoqja më e mirë. E në këtë lidhje kaq të lashtë dhe solidaritet brezash, kohët moderne duket se janë ndarëse, mospërfillëse të traditës së shkuar. Lindin konflikte brezash nga një lloj natyre që të rinjtë e quajnë moskuptuese. Shprehja “kohët kanë ndryshuar”, apo “keni mbetur prapa”, përbëjnë thelbin e këtyre raporteve shoqërore tepër të vështira, acaruese, përkeqësuese deri dhe të një ndarjeje përfundimtare. Dhe fillimi i viteve ’90, edhe pse nënat e bëjnë zemrën gur, u japin bekimin për ta kërkuar fatin diku në një vend që prej shekujsh gjendet përballë, por pa asnjë siguri, shënojnë shthurjen e madhe të asaj lidhje që bëhet plagë për të gjitha nënat.

Libri fillon me një ngjarje që bijën e vë në pozitën më të vështirë si “nënë”, me engjëllin që “arratiset” drejt qiellit dhe sot ndriçon diku në parajsën e madhe, ku ata prehen. Provë e dhimbshme e mbijetesës kur jeta të godet me dhunën më të pamëshirshme. E megjithatë jeta vazhdon. Banorët e Parajsës përsëri jetojnë në shpirtin tonë, jetojnë në mendjen dhe përditshmërinë tonë. Jetojnë në kujtime që, si ky, shndërrohen në pavdekësi. Në mendjen e saj gruaja-nënë ka qartësinë dhe kthjelltësinë që ngjarjet shpesh janë fati i mbrapshtë, i kurdisur diku, pa marrë parasysh lutjet e nënës, e shpesh edhe vetë “zoti” nuk dëgjon. Ngushëllimi te vazhdimësia e jetës është forca për të mos u dorëzuar para fatit.

Në tregime të tjera autorja me copëza kujtimesh nga vitet e mbrapshta të historisë sonë të tri dekadave të fundit, ku dhimbja nuk është e vetme, por kapërcen pragun dhe merr natyrë tragjike për një qytet dhe për një popull. Ndoshta e shkuara jonë nga pothuaj mesi i shekullit të kaluar, me gjithë mëkatet që mbart mbi vete, do të ndihej disi më e qetë. Nuk ka asnjë shfajësim dhimbja për ata që e vuajtën kohën, në kufijtë e një pabesueshmërie që na gjente ne shqiptarëve sërish brenda në vatrën tonë. Duket se historia nuk na kishte mësuar asnjë shkronjë. Duket se akoma mallkimi nuk po na shqitet dhe se duket se do të bashkëjetojmë me të në mënyrë të pashmangshme, pavarësisht se nuk e dëshirojmë. Kthimi në vendlindje, herë fizik, herë me mendje shpreh keqardhjen, trishtimin, hidhërimin që nuk do na shqitet kurrë, nëse nuk do të bëhemi promotorë të një jete tjetër, në respektim të të gjitha vlera pozitive që kemi krijuar në shekuj. Kujtimet nuk janë të lehta, por harresa do të ishte ankthi dhe paqetësia që do të na brente gjithmonë.

Ka një kohë për t’iu përvjedhur jetës, për t’iu fshehur, për të mos e marrë në konsideratë, për ta përqeshur se je i ri dhe nuk mund të të mëshirojë, por ka dhe një kohë të dytë, ajo e gjyqit me vetveten. Ndoshta është koha më e rëndë, më delikate, më e e pamëshirshme. Të qenët jo subjektiv dhe i paanshëm, është pamundësia që do të doje të ishte mundësi. Ta kryqëzosh veten është ndëshkimi më i madh që mund t’i bësh ekzistencës, por ta falësh më pas është virtyt. Tek e fundit nuk je i/e detyruar t’i japësh llogari askujt, vetëm ndërgjegjes tënde. Ngushëllimi është miku më i mirë në këto raste. Triumfon gjithmonë një justifikim, edhe pse më, absurdi që mund të mos e kesh menduar kurrë.

I gjithë rrëfimi i autores përshkruhet me nota të qarta dhimbjesh prej tronditjeve të jetës, kjo lexohen në të gjitha tregimet, por nuk është “manual” pesimizmi. Ai ngrihet mbi vetë tronditjeve për të theksuar natyrën njerëzore: jemi më të fortë se vetë dhimbjet. Edhe pse në plan të parë duket se jeta na zhgënjeu, na shkërmoqi, na përkuli, përsëri ka gjithmonë një ringritje, një rilindje në emër të vetë jetës për pasardhësit, në emër të së ardhmes. Një rrëfim naiv, me një gjuhë tepër të kuptueshme, të thjeshtë, por me peshë të fortë meditimi që e bën të rrjedhshëm në lexim. Tashmë u takon lexuesve ta marrin në dorë dhe ta shijojnë, sepse shumë prej tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, do ta gjejnë veten. Besoj se në vend të dhimbjeve të jetës do të lexojnë forcën për t’ia dalë mbanë në çdo situatë që do t’u paraqitë jeta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles