Number of visitors on page:

N/A

Azem "Zoti s'qenka shqiptar" as sot: Çun Lajçi

Page Visitors:

N/A

Azem “Zoti s’qenka shqiptar” as sot

Jam çua heret si ti, e po sillem si Kaci rreth Dardhës Ahmatit, tue mendua çka me shkrua, tash, mbasi qeverisë ia thyen pacerrkën!
S’asht si n’kohën tande, me çmua shkrimtarin.
Poetin jo se jo!
E mos t’flasim për aktorin!
M’kujtohet si sot, sa bujë t’madhe bani ajo letra jote “Zoti s’asht shqiptar”, kur ia shkrove Ibrahimit, e ia çove n’zyrë!
Me muej asht folë për ty, atyne kafiterive të Qafës!
Sot, nëse don me t’lexua dikush, duhesh me prishë zemrën, e gojën me fëlliq, e me i vu n’zjarrëm, këta bedelat, që kamtë zhag po i ngrehin prej që ike ti, e po sundojnë, edhe n’kët kohën time të dergjaftë!
Nëse don, që vargjet me t’shëndritë si ty, atëherë, ke me i lexua veç vet, e ka me t’brejtë dyshimi: Je ti, që s’po din me i shkrua, apo ata, që s’po duen t’i kuptojnë!
Po shkrove për meçkat, që e kanë ushtrua mirë çumjen e kambëve, kanë me t’i pëlqye vargjet ma shumë se lirikat tua!
Po shkrove keq për tuxharët e pushtetit, që vrajnë e prejnë n’emën t’popullit, e s’mërzitën, pse i falin do bjeshkë e ara, ke m’u sha deri n’kercnim me vdekje, prej zagarve, që janë ba brum, tue hangër n’sahanat e tyne!  
S’përtojnë me vjellë n’ty: Pse s’merresh me zanatin tand? Pse e futë hundën n’politikë? Çka po t’intereson ty a shitet a falet ndonji megjë! Sa t’kanë pagu, që herë i shanë herë i lavdon? A je artist i popullit? Trus!
Kështu pështymosën!
E kanë gjetë metodën me na i mbyllë gojët: Mos je anti amerikan?
Po pate taksirat e shkrove për nji mendim ndryshe, për nji çasje t’re, të nji vajze apo djaloshi, kanë me ta ba gjamën, me t’vajtua, ma zi se Ali Podrimja Lumin!
Por, ditirambet i kuptojnë fortë! Bile-bile, po ta dha Zoti me i mbyllë sytë, e me i qëndisë hollë e hollë, tue iu knua lavde, kanë me t’i lexua shronja-shkronja, e kanë me t’thanë: Ti je legjendë! Je ndera e kombit! Lum ne që jetojmë n’kohën tande! Na jetofsh edhe 100 vjet!
Po, por me çka me jetua? Me vargjet e turpit? Me lavde koti?
– Apo me librat që s’shiten, e s’hahen?
Me vargje ditirambi, për presidentin, kryeministrin apo komandantat e hoteleve, m’venë gur mbi gur, si Dionisin, e pi lang rrushi deri n’dehje! T‘harrojnë ty që e ke shkrua, ky thonë qenka ai “E di nji fjalë prej guri”
Po Azem Shkreli!
Këto “t’mira” s’më kanë lanë, me t’tregua, se isha n’Calgari të Aida jote. Me mori ngrykë dhe qajti për ty. Iu duk se i dole ti para! Bile m’i bleu këpucat çfare ti i kishe merak. Edhe këmishën!
Kur u ktheva, e lashë, n’prag të derës tue qajtë!
Po nipalan!
– U banë shumë vite që s’erdhe këndej kah Dardania ime, me ato letrat tua n’dorë, e me t’kallxua që edhe Bubulina vdiq, nji vit mbasi e lashë Aidën vetëm.
Edhe Beharja, nusja jote! Edhe Adem Demaçi, që s’të deshti fort, ty as Ibrahimin.
Bile, nji herë iu afrova dhe i thashë: Bac, mos ma shaj ma nipin, se flas diçka keq për ty!
– E çka ke me thanë për mua bacit, m’tha?
Paj që je kanë enverist i tranuem, i thashë! Dhe qeshem me t’madhe!
Hej more poet i Dylit!
Që s’po m’thërret n’telefon, s’po t’idhnohem, se asht dashtë edhe unë me thirrë nipin ndonjiherë!
Bile-bile, me t’thanë, hajde ta blejë nji kafe të “Gurra” e atij vuthjanit, e me t’shti me m’i lexua poezitë e mia, qysh m’shtishe ti për tuat, kur na thërriste avokati, Bajram Kelmendi, mua, ty e Ymer Nezirin, me na qerasë me kafe e bakllava!
Azem Ukani!
Mos qesh, se dua me t’kallxua diçka.
– Mehesape jam ba edhe unë poet, se i kam shkrua 7 libra me poezi e 3 romane! Kështu po m’thotë Buzuku i Abdullahut, e s’po di, a e ka me t’vërtetë, a po luen me mua!
Veç, edhe nipi yt i ka fajet, Jetoni, poet shumë i përkthyem, sepse ai ma botoi me zor t’parën “Zjarr i pashuar” e mua m’hini vetja n’qejf!
P.S
Ademin tand e plaki shumë vdekja e t’birit, Aliut, n’Calgari! E qebesa edhe mua fort Bubulina!

Dardani, 28.03.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles