Number of visitors on page:

N/A

Bardhyl Oseku, cikel poetik

Page Visitors:

N/A

Bardhyl Oseku, anetar I IWA Bogdani 


Bardhyl
Oseku lindi në Gjakovë më 1948. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë,  kurse  fakultetin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe e përfundoi në Prishtinë. 

Dhjetë vjet punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, kurse në SHA”Dukagjini”15 vjet punoi përkthyes-gazetar.

Nga viti 2003 e deri më 2013 e udhëhoqi sektorin e kulturës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjakovë.

Poezinë e parë e botoi në gazetën “Zëri i rinisë” në vitin 1965, kurse disa poezi të tjera i botoi në

gazetat “Koha ditore” dhe “Zëri.”

Përmbledhja e poezive ”Ngarendje” është vepra e parë e autorit.

ÇAST EKZALTIMI

Mos i bëj strehë terrnajës së shpirtit

zemrës hapja të gjitha dyert 

le të shtrihet ylberi i gëzimit në horizontin e paanë

jetës jepja krahët e dallëndyshes

të thurë çerdhe në çdo shtëpi të globit

në kopshtin e zemrave mbill zambakë shprese 

përjetësinë deri më sot asnjeri s’e ka provuar 

gjethe në erë jemi në këtë botë.

       SHI VERE

Përderisa dielli kotej në vapën e mesditës 

retë me shpejtësi dhanë alarmin

me mburoja ngjyrë gri 

u rreshtuan togje – togje.

Me shigjeta flake, gjarpërinj zjarri, 

me krisma, ushtima

si rrokullima e shkëmbinjve nga bjeshka

nisën sulmin për ta pushtuar kalanë e qiellit.

Nuk zgjati shumë 

kalaja ra.

Pikat e nxehta të shiut

ishin lotët e qiellit për betejën e humbur.

NGARENDJA E POEZISË

Poezia nuk ka çati mbi kokë
Është këngë e zogut krahëshkruar
Në syrin e pranverës
Aromë trëndafili
Pas shiut të butë
Puthje me dridhërimë e vashës
Në takimin e parë
Fluturim dallëndysheje
Në kërkim të folesë
Lot që djeg faqen e nënës
Për djalin mërgimtar 
Poezia është dallgë deti
Që shkëmbin e gërryen
Poezia kjo bredharake
Tërë jetën ngarend
Pa i mbyllur sytë

SHTATOR

Vera i mblodhi në valixhe
Të gjitha plaçkat e palara të pushimit
E dërrmuar si në kllapi po ikën

Lumi që më dysh e ndan qytetin
Lirshëm po i zgjeron krahët në shtratin e vet 
Duke bartur me valë zjarrminë e verës

Vjeshta kjo grua hirplotë 
Me hapin ngashënjyes po afrohet 
Për ta shtrirë hijeshinë e saj gjithandej natyrës

KUR TI SHKON

– Rrezes, vajzës sime

Kur të afrohen ditët e kthimit

Dhe nis t’i mbledhësh plaçkat në valixhe

Mua fillon t`më humbë trajta

Bëhem vazo bosh

Pus i shterur

Orë pa akrepa

Pikoj si tubi i ndryshkur i ujit

Bëhem dhè që rrëshqet kodrinës

Shkapërderdhem si puplat e zogut të plagosur 

Të lutem mos u vono

Eja e më kthe në trajtën time

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles