Number of visitors on page:

N/A

Cikel poezishe nga Baki Ymeri

Page Visitors:

N/A

KËNGË

 

Më thuaj moj vllahinkë,

Çfarë qumshti të ka dhënë nëna jote

Dhe në çfarë dhomash të ka ngujuar

Që po të vjen kaq era e bukur

Si një trup i përkundur

Me përkëdhelje të buta?

 

Prej nga e vjedh vallë

Shijen që po ta ndjej

Në gjirin e puthur me afshin

E resë së shpërthekuar

Në këmishën e saj të pambuktë?

 

Buzët tua janë dredhza?

Vaj, moj vllahinkë,

Në mesditë kur krisi vetëtima

Përmbi to shpërtheu erëtima!

 

 

PSALM

 

Kush je ti

Moj bukuri e hidhur?

Prej nga vjen

Dhe nga po ngutesh?

O, Zot!

Stërgjyshërit e mi,

Fqinjët e mi,

Miqte e mi,

Armiqte e mi

Dhe unë mes tyre

Gjith po rendim pas teje:

Të verbër e të cveshur,

Të shurdher e memecë,

Me mijëra vjet

Zvarrnisemi në gjunjë,

Përkulemi me evlavi,

Flijohemi për ty

Dhe ti gjith po na lind

Dhe trembesh prej nesh.

 

 

BESNIKËRI

 

Përse rritet vallë

Vala përmbi peshq?

Një besnikëri kalimtare

Gjithnjë vjen dhe ua mbulon

rrëshqitjen

Ndërmjet shpresës dhe frikës.

 

Në fund të fundit

Edhe peshaqit ankorojnë

Në njëfarë limani

Si cdo anije e vjetër

të cilën vendalinjtë

E shndërrojnë

Në drurë zjarri.

 

Përse rritet vallë

Vala përmbi peshq?

Kjo është pyetja.

Përgjigja –

Edhe ajo është

Vetëm një valë.

 

 

KALTRINA

 

Qe dymijë vjet se po vrapoj

Pas teje

Porsi një mesazher i flatërzuar.

 

Që nga Durrësi e deri në Odesë:

Rumunë, shqiptarë e arumunë

Më ftonin në qëndresë.

Një valë prej mali

Apo fisnikërimi

Më rrethonte me temjan

E vaj të shenjtë

Qe dymijë vjet –

Porsi një mësazher i flatërzuar

Drejt Kështjellës së Bukurisë vrapoj

Që të të gjej.

 

Tani është rradha jote

Të vraposh pas meje

Dhe s’do t’i gjesh flatrat e mia

Ngase aq shpirt kam vënë në to,

Saqë i rrëmbyer nga arti

Për të të përvetësuar,

As që e kam ditur

Se kam depërtuar në vetëdijen tënde

Edhe për dymije vjet.

 

 

MURMURIMË

 

Me shpirtin në buzë

Duhet të jetë qenja

Apo buzët të kërkojnë

Atë shpirt

Që ik prej tyre

Ose shpirti t’i gjejë

Ato buzë

Që do të thonë:

Mos u mërzit se

Ne murmurojmë për ty.

 

 

FRYTI I NDALUAR

 

Kush është ky engjëll

Që po pret në dritare

Dhe në fund të fundit

Prej nga vallë kjo pyetje

Përmbi turmën

E përgjigjeve të heshtura?

 

Derisa qytetet po treten

Nën plehëra,

Fryti i ndaluar lëkundet

Në degë, në Fushë të Mjellmave.

 

Kush është ky engjëll?

E pyeta hënën

Dhe ajo m’u përgjegj:

Më mirë është mos ta dish!

 

 

BUZË TË LULËZUARA

 

Lule e heshtur ti ishe –

Lulet vdesin nëse heshtin!

Filizi yt ç’prej moti e dinte

Se si buzët e mia

I pëshpërisnin puthjet

Derisa edhe ato zaliseshin

Kur ti lulëzoje.

 

Lule e heshtur ti ishe –

E ndjeja mungesën tënde

Madje edhe atëherë kur dashuria jote

Përsëri mbyllej në burbuqe

Dhe vinte ai çast

Prej te cilit trembeshim që të dy.

 

 

DUKE RENDUR PAS BUKURISË

 

Të pëlqen poezia?

Më pyete.

Vaj, çfarë përgjigjeje

Po defilon në bregun e mëngjër

Të lumit tënd të lazdëruar!

Si të mos më pëlqejë erëtima e hidhur

E këtij trëndafili të pamoralshëm?!

 

 

HUMNERA

 

Më kot po pij nga kupa jote –

Qeshjeqarja jote,

Hapat e tu,

Nuk janë vecse:

Parajsë e vdekur,

Ekstaz i pluhurosur.

 

Pasuri të vjedhura,

Zgërdheshje e lazdërim,

Frone të përmbysura –

Të gjitha janë kujtime.

Nga agonitë e shekullit

Vetëm zigzaqet

E Ballkanit

Na tregojnë

Se çfarë të vërtete

Përmban humnera.

 

 

HOMO BALCANICUS

 

E shkuara varroset për së gjalli.

Çdo gjë që mbetet

Si ushqim, është

Vetëm paturpësia.

O, trima,

Çfarë lufte

Po çoni ju

Kundër

Kafshatave!

 

Nga historia, ja,

Duke ulërirë, dëgjohet

Një qen.

Pronari i tij –

Megalomanus Balcanicus

E nxit

Duke ia treguar një asht.

 

(Bukuresht, 1993)

 

 

MEIN GOT!

 

O Zot,

Çfare burrash janë ata

Që gjejnë përkëdhelje më të shënjtë

Në vorbullën e gotës

Se sa mes buzëve të femrës!

 

O, shpirti im!

Loçka ime!

Engjëllushi im!

Jeta bëhet një stacion

Kur Venusi i Milosë

(Ajo pa krahë)

Nuk mund t’i mbajë

Valixhet.

 

O, Zot,

Çfarë burrash janë ata

pinë me burrat

Duke i kyçur gratë në avli!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles