Number of visitors on page:

N/A

DISA FJALË PËR “MENDIMET I NDJEKIN TË DASHURUARIT” Luís Serrano, Portugali

Page Visitors:

N/A

DISA FJALË PËR “MENDIMET I NDJEKIN TË DASHURUARIT”

Luís Serrano, Portugali
Përktheu nga Anglishtja: Alfred Beka

Jeton Kelmendi është një poet shqiptar, i lindur në vitin 1978 në Pejë, Kosovë. Ai është gazetar, poet, profesor universitar dhe analist politik. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka marrë një doktoratë nderi nga Akademia Ukrainase e Shkencave.

Vepra e tij përbehet nga disa libra me poezi dhe libra me hulumtime. Ai është shpërblyer me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare; disa nga librat e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme evropiane. Ai është haptazi krenar për nacionalitetin e tij shqiptaro-kosovar dhe kjo ndjenjë është e dukshme në disa poezi të tij. Në këtë mënyrë, në poezinë Ku jeton fjala dashuri, ai citon, si një epigraf, vargjet pasuese: Vendlindja është vetë dashuria. Në të njëjtën poezi, në shtatë rreshtat e fundit, ai shkruan: Janë tri dashuri:/Ajo për Shqipërinë,/Një për jetën,/dhe tjetra për të dashurën. //Në nëntor, ne festojmë/Dashuria ime.

Nëntori ka një kuptim të veçantë për autorin. Ditëlindja e tij është më 27 nëntor dhe më 28 nëntor vendi feston Pavarësinë e Shqipërisë, e nënshkruar më 28 nëntor të vitit 1912 në qytetin e Vlorës. E tërë vepra e tij e ka si prapavijë shkatërrimin e Jugosllavisë (1990-1992) si shtet, një ndarje që rezultoi me krijimin e shteteve të reja: Kroacia, Sllovenia, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ndërkohë, ra regjimi komunist dhe çështja e Kosovës doli në shesh. Kjo situatë politike nënvizon veprën në fjalë.

Është e vështirë ta kuptojmë mënyrën se si janë ndërtuar aspektet formale, pasi që kemi të bëjmë me dy përkthime: njëri nga shqipja në anglisht nga autori dhe tjetra nga anglishtja në portugalisht. E para është gjuhë sllave, e dyta i takon grupit të gjuhëve gjermanike dhe e treta është gjuhë latine.

Si të tilla, aspektet fonetike, sikurse edhe ato që lidhen me muzikalitetin e gjuhës, me vështirësi mund të ndihen. Deri tani, në shkrimet e Jeton Kelmendit është një freski dhe një hijeshi që përçon një ndjeshmëri të fuqishme dhe një shije të mrekullueshme.

Do të doja të nënvizoja dy poezi: e para, “Peja në pesë të mëngjesit”, që i dedikohet babait të tij dhe poezia e dymbëdhjetë “Fjala nënë”. Këto poezi, që simbolizojnë familjen, janë sinekdotë e vetë vendit, ato janë qelizë e familjes së madhe shqiptare, në këtë rast, kosovare.

I citoj vargjet vijuese nga poezia e pare: Ishte e premte, / dhe babai im / I heshtur si kurrë më parë, I gatshëm në të gjitha ëndrrat e tij / ra në gjumin pa ëndrra, / një atdhe të lirë / e la mbrapa. Vdekja e babait ndodhi më 12 prill, kur pranvera po joshte me ritet e saj të kënaqësisë dhe shpresës, por duke e lënë autorin me një “shije të hidhur” që do t’i lë gjurmë atij përgjithmonë. Nga e njëjta poezi: Më 12 prill, / jo secila ëndërr është e lehtë të tregohet, […] e pash babanë të ikte / në pyll, […] ai gjithmonë do të shkonte në pyll plot gaz, i lumtur me punën e tij, kujton poeti.

Nga poezia e dytë, do t’i citoj vargjet vijuese: Fjala / e para nga të gjitha / fjalët / që i kam mësuar në shqip, / sa bukur ka qenë / kuptimi. // nëna është / fjala më e bukur për të cilën / mund të flitet.

Nëna është gjithmonë, gjithkund dhe në të gjitha gjuhët, personi që i drejtohemi në momentet më të vështira të jetës. Nuk është befasi, kësisoj, që poeti i përdor fjalët me ndjeshmëri të lartë kur i referohet asaj dhe e bën këtë në mënyrë të prekshme.

Duhet të shtojmë poezi të ndryshme të dashurisë ndaj vendit të tij sepse, siç thotë poeti, Atdheu – / dashuria mbi të gjitha dashuritë, (poezia e shtatëmbëdhjetë, Ku jeton fjala dashuri). Dhe në mesin e tyre, mund të citojmë, për shembull, Mitike (poezi e njëzetë), Për të mos u harruar (poezia e njëzetekatër), ku në mënyrë interesante e kemi një “besim të pikëlluar”: Kush mund ta imagjinojë? / ende për të shkuar / në vendlindje / më duhet pasaportë që reflekton tragjedinë e një njeriu që kërkon një vendlindje.

Megjithatë, është një poezi rreth dashurisë për vendlindjen por gjithashtu edhe për dhimbjen e provuar për të qenë në gjendje ta shijosh; është poezia Kur u bëra ushtar (poezia e tridhjetetetë), nga e cila i citoj vargjet në vijim, me një domethënie të dukshme: Ato ditë: / Liria kushton më shumë se jeta, / dhe ne kishim jetën dhe vdekjen / aq afër / madje më afër se vetën time. / vite pas vitesh, ato net të errëta, / ato rrugë të gjata ikin / dhe më braktisin, / e kujtojmë se jeta është bërë lule, / sall e nesërmja ka mbetur pa pyetur. / gjithçka që ka ardhur deri tani: / njëqind e më shumë gënjeshtra, / më pak miq, / asgjë tjetër dhe pikë. // kemi marrë çfarë kemi marrë / dhe jeta u pre nga robëria, / Zoti e ka shkruar; / në shekullin njëzetenjë / Kosova u bë e lirë.

Dashuritë tjera vijnë nëpërmjet faqeve të këtij libri. Do të guxoja të thosha se ato e përbëjnë shumicën: poezitë që ai i ka shkruar në kujtim të grave që i ka dashuruar, si në vendin e tij, ashtu edhe në vendet në të cilat ka udhëtuar. Si shembull, mund t’i citojmë poezitë sikur numrat 40 (Dy të huaj në Vaxjo), 41 (Do të kthehem në vargje), 42 (Natën e kaluar), 43 (Hapësira ime ka kufi), 49 (Dua të vij më afër teje), 51 (Ku rriten bimët e dashurisë) dhe 52 (Në veten tonë e kemi njëri-tjetrin).

Duhet të përmendet, megjithatë, se lufta gjithmonë është e pranishme në poezinë e Jeton Kelmendit, në një mënyrë më diskrete apo në një mënyrë më afirmative. Poezia e 5-të, Dashuri në kohë lufte, na kujton titullin e librit të famshëm të Gabriel Garcia Marquez-it. Në të, Kelmendi shkruan: Dashuria është një luftë tjetër, / është një luftë e pafund, / madje lufta më e gjatë / se çdo luftë tjetër.

Pavarësisht nga të gjitha kundërthëniet që rezultojnë nga ndërveprimet e ndryshme, ato interferojnë dhe është e mundshme të gjenden në të njëjtin vend babai, nëna, miqtë, të dashurat me të dashurit e tyre, vendlindja (përfshirë historinë e saj), kujtime të ndryshme nga fëmijëria deri në moshën madhore, në mënyrë që autori të mund të thotë në poezinë e dytë (Dëshira ime në Çamëri):

Ta mbjellim të ardhmen me shpresë.
Ta mbajmë këtë këshillë në mendje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles