Number of visitors on page:

N/A

Engjëll I. Berisha “ Heshtja i rrëfehet natës”. Botoi IWA Bogdani

Page Visitors:

N/A

Të jetosh me dhimbjen e poezisë

Poezi, Engjëll I. Berisha “ Heshtja i rrëfehet natës”. Botoi IWA Bogdani, 2020, Prishtinë.

Se sa jemi të ndjeshëm ndaj dukurive që na rrethojnë, varet prej perceptimit që iu qasemi e të bëhemi vëzhgues më të mirë, e më të denjë, sikurse misterin e dashurisë e gjejmë vetëm atëherë kur i futemi brenda dhe bëhemi edhe vetë personazh. Te poeti, këto cilësi nuk janë vetëm parime shënjuese, është një marrëdhënie e ndijimeve që vijnë prej imazheve deri te procesi i mendimeve, sikur din ta bëjë më së miri poeti Engjëll I. Berisha, duke na i servijuar neve lexuesit, këto perceptime të kapshme dhe të bukura. Nga mendimi kritik, ka njw epitet qw ia dedikojnë, duke e quajtur poet i mendimit. Mënyra se si sillemi në jetë, si komunikojmë, kanë një akt prej të cilit dalin dhe më pastaj e krijojnë individualitetin që ne tu japim karakter e kuptim marrëdhënieve me shoqërinë, me ato që i hasim me natyrën e proceset e saj. Këto, i them me qëllim, ngase poezia e E. I. Berishës, ka një ritual që e sjellë botën në kuptimin e saj edhe kur e hyjnizon edhe kur ia vëren dreqosen, hilen e ligësinë, ngase, gjithmonë dikush është kujdestar për ta djallëzuar. Ndonëse arti duhet ti ruhet aktit pa rrëfim, dallimi në mes recituesit të poezisë, dhe rrëfyesit kompozues të saj, bëhet kur e thellojmë karakterin në të bukuren dhe me të harmonishmen me personazh duke i dhënë pamje dhe shije. Këtu qëndron gjerdani krijues i Berishës, i nisur kah vitet e 90-ta kur edhe krijohet brezi i tij që forcon brezin paraprak të viteve 80-ta, duke u liruar nga stereotipat në poezi, dhe këtë e bën që nga vepra e parë të tij “Dita me hënë e me nuse”, deri te libri më i ri i fundit deri me tani “ Heshtja i rrëfehet natës” që doli për lexuesin këtyre ditëve nga Shtëpia Botuese IWA Bogdani.

Shfletimi i përmbledhjeve poetike, tetë origjinale, tri të ribotuara, dhe tri të përkthyera, të ngjan sikur të ngjitesh në degët e një peme, nga dega në degë me plot fruta dhe të përtosh të zbresësh në tokë, ashtu është kur merr veprat e Berishës, poezi dhe rrëfime që i ka botuar në disa shtëpi botuese, në secilën kohë me shenjën e vetë. Nuk e di çfarë elementi që na rrethon në jetë, e që nuk vrojtohet në gjuhën poetike të Berishës, madje e ka bërë edhe në rrëfenja dhe në shkrime publicistike, duke shërbyer në ide edhe kur shfaq çaste imagjinare.

Libri më i ri “Heshtja i rrëfehet natës”, titull mjaft poetik, imagjinar dhe tregues se poeti ka diçka të rrëfyeshme dhe sikur mbetet e padëgjueshme, e pa vëmendje nga ndijimet e jashtme që janë njerëz, akterë që të gjithë brenda një akti, pra akte shoqërore që i jetojmë. Heshtja, është dashuria që ka frikë të ta bëjë dashurinë sikur ia do zemra. Është, fjala që ndrydhet e nuk e lë marrëzia të jetë e zëshme. Libri nisë me poezinë “Cirku”, loja në një tel, sikur duan njerëzit të bëjnë cirk jetën të paçasshme për tjerët. Jo vetëm në këtë libër, por në të gjitha poezitë e tij, Berisha shprehë besimin e tij në virtyte e në Zot Krijuesin, dhe këtë e shfaq në poezitë me motive biblike, si poezitë për mëkatin, sikur thotë , – “Ma veshin mëkatin e huaj”. Pastaj Parajsën. Ferrin, banim të justifikueshëm. Mollën e ndaluar, ne kopshtin e Edenit.

Një rrëfim jo fiktiv, por real të kohës, e paraqet në ciklin poetik “Bota heshti” derisa njerëzimi edhe sot ndjehet i frikësuar, nga epidemia pandemike, poeti e sjell përjetimin e tij, gjendjen spirtuale të atyre që e rrethojnë dhe me vargje që do të bëhen materie argumentuese të një kohe me frikë:“Bota heshti, heshti dhe jeta, të gjithë heshtën, edhe ndjenjat…! Libri ka dhjetë cikle me 100 poezi, që komunikojnë në secilin cikël me vlera dhe me frymë jete. Opusi i poetit Engjëll I. Berisha, po përkthehet në shumë gjuhë botërore, në antologji, sikur është në Amerikë, Kinë, Indi, Itali, Portugali, Suedi, Rumani, etj, derisa deri me tani ka botuar edhe në katër gjuhë botërore përmbledhje me poezi.


Libri heshtja i rrëfehet natës

Mendime për librin e Engjëll I. Berishës

“Poezia e Engjëll I. Berishës ka një shtrirje të një epike urbane ashtu si vetë ngjarjet, që janë ndryshe dhe njëlloj, që sa ç’ndodhin jashtë nesh, ndodhin dhe brenda nesh, edhe atje ku s’jemi. Hapësira mbyllet në fjalë, kurse poeti edhe tani në mbylljen globale prej pandemisë, hapet si përherë në fjalë. Dhe hapja dhe mbyllja janë brenda nesh dhe ndoshta ngjajnë me hapjen dhe mbylljen e një libri, pse jo dhe këtij që kemi ndër duar”.

                     Visar Zhiti

 

Poezi për ta joshur lexuesin

Berisha është një poet, të cilit vitet e tij të rinisë ia përshkuan konflikti ballkanik, duke i parë të gjitha. dëshmitarë i kësaj mizorie. Shpirti i tij u prek nga ngjarjet që i shkaktuan shkatërrimin e shtëpisë së tij dhe vdekjen e më të dashurve. Dhe ruan gjurmë të pashlyeshme për të gjitha këto dhe e ka bërë botën e tij të brendshme një gjoks thesar që nganjëherë hapet si një libër për ta joshur botën të lexojë faqet e saj. Emocionet e shprehura janë të forta dhe ndonjëherë të vështira për t’u kuptuar në të gjithë intensitetin e tyre, sepse, ai zhytet në të kaluarën për ti kapur të gjitha vuajtjet, dhe menjëherë rishfaqet sikur të marrë frymë, ajër të pastër dhe të shëndetshëm:

Leximi i poezive të tij bëhet, pra për lexuesin, një udhëtim i ngadaltë nëpër rrugëtimet labirint të mendjes së tij. Në atdheun e tij kanë lindur shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht si Lulzim Tafa dhe Jeton Kelmendi, duke iu bashkangjitur edhe Berisha. Jam i sigurt se kur poezitë e tij të lexohen nga një numër më i madh i lexuesve, fama e Berishës do të kalojë edhe kufijtë e vendit të tij të bukur dhe do të marrë njohjen që i takon. Ndërsa kaloj nëpër vargje të tij, me kujdes dhe në heshtje, i kapi imazhet e dhimbjes që e shoqërojnë vargun poetikë. Ato janë flakë e një mendje që kapin mijëra çaste në kujtime të skajshme. Dhe unë më tej jam duke hulumtuar të kap edhe mesazhet e fshehura mes linjave.

Duket se poeti përjeton një ndarje të vazhdueshme midis realitetit të tanishëm dhe të kaluarës që ai përpiqet të rikuperojë, por vetëm si imazhe të shpërndara dhe të paqarta. Një cilësi e të shkruarit ose një teknikë e shkrimit që tërheq vëmendjen e lexuesit të ndalet e të reflektojë.

Dr. Maria Miraglia, Itali Poete dhe eseiste.

Labirinti i mendimeve të poezive të autorit Engjëll I. Berisha

Poezitë e tij përfshijnë të gjitha ato elemente jetësore letrare që e lartësojnë fushën e dijes, e zbukurojnë dhe energjizojnë një vepër arti. Më të dukshmet janë mistika, simbolika e metaforës, ngjashmëria, aftësia pikturuese dhe shumë më tepër. Të gjitha këto elemente kontrollohen me kujdes nga imagjinata e tij e fuqishme dhe shprehin qartë ato cilësi që e bëjnë atë një njeri dhe poet të erudicionit të thellë. Veçantia e poetit qëndron në faktin se futë në lojë në të njejtin moment shumë nga lementet letrare. Nga ky harmonizimi i mendimeve me ide të ndryshme, spontanisht i bashkon shkathtësitë duke e krijuar një grup kompakt të artit me përzgjedhje antologjike.

Ai gjithashtu nënvizon një perceptim të thellë, duke depërtuar me intelegjenc në aspkete të shumta të mendjes njerëzore. Leximi i këtyre poezive të përmbledhura, ofron ndjesinë e vizitës në rrugët labirinth të mendjes së pandërgjegjshme, në ndërgjegjen e vetëdijshme të poetit. Stili i përdorur është i guximshëm, i menjëhershëm dhe i thjeshtë, edhe pse ndonjëherë ka nevojë të zgjasë mendimi për t’ia kupuar më thellë fshehtësinë. Përveç cilësive të saj të padiskutueshme lirike, ky koleksion meriton vlerësim të duhur pasi është edhe një kaleidoskop i ideve dhe mendimeve të thella. Sigurisht, kritikët kudo, do t’i njohin cilësitë e brendshme të kësaj vepre dhe do ta tregojnë atë si tërheqëse për lexuesin.

Berisha është një poet i rrallë dhe një gjeni i madh krijues, të cilit duhet t’i shpërblehet dëshira për një sukses të plotë. Puna e tij me siguri do të mbetet në analet e letërsisë.

Dr. Dalip Ketharpal, Indi. Poet, botues, kritikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles