Number of visitors on page:

N/A

FJALA E VËRTETË E POETIT Jeton Kelmendi nga Dante Maffia

Page Visitors:

N/A

FJALA E VËRTETË E POETIT

PARATHËNIE
PËR POEZITË E JETON KELMENDIT ITALISHT 

NGA Dante MAFFIA, Itali
Përktheu nga origjinali
Eda Agaj Zhiti

Jeton Kelmendi ka një personalitet të pasur, interesat e tij janë të shumëfishta dhe si pasojë poezia e tij është e mbushur, aq sa ndonjëherë ke përshtypjen që kemi të bëjmë me magjinë e një kamionçine me zjarr që kalon fushat e rrugët e përhap zjarr në të gjitha drejtimet.

Një metaforë për të fotografuar makutërinë e saj, impulsin e tij që do që ta mbushë me çdo gjë që merr frymë, por mbi të gjitha që do të arrijë në ndërgjegje, thënë më qartësi, jo permes sistemeve maksimale, por përmes lenteve të fëmijërisë, të ngrohtësisë familiare, përmes filigramës së përvetësimeve që adoleshenca i parambledh duke i ngjitur, ashtu siç thoshte Kavafis, shkallët hap pas hapi. Përmes përvojës së drejtpërdrejtë.

Kjo sjell një zgjedhje të temave që mund të japin imazhin e përmbushur, apo thuajse, të itinerarit të tij dhe sjell dhe përkujdesin më të kthjellët e të qetë në tematikat që trajton, sepse Kelmendi nuk do keqtrajtimet e hilet gjuhësorë, filologjike e akrobatike të avanguardave të shtirura a të vërteta dhe vendos interesin e tij në ndjenjat, mbi përditshmërinë, mbi ngjarjet që shoqërojnë njeriun çast pas çasti, edhe ato luftarake, natyrisht duke marrë në kraharor situatat, pa u fshehur pas erëpritëses që refuzon emocionet.

Por nëse ka një gjë tejet evidente, edhe nëse i lexon për herë të parë vargjet e Jeton Kelmendit, gjen se ai i jep rëndësi ekstreme ndjesive, arsyeve tê jetës, ndjenjave, zemrës, domethënieve, mos-eve, kështu-ve, pa rënë kurrë në patetizëm o në ritual, duke mbetur në mënyrë konstante në një diktim të qartë e të freskët metaforash, analogjish, të imazheve që dinë të japin në mënyrë perfekte arsyet e poezisë së tij, që dinë të bëjnë të rijetojë dhimbja, magjepsja, drama, tragjedia, e bukura.

Por të shohim nga afër si ai dizenjon me dorën e sigurt e të lehtë vajtje-ardhjet nga vetë qenia e tij deri te arsyet e luftës, të identitetit, pa mënjanuar kurrë futjen në lojë në vetë të parë, duke rrezikuar mbytjen leopardiane, si në “Pagëzimin e shpirtit” për të bërë një shembull, apo për të kërkuar reagimet e të tashmes në shtratin parak të qenies njerëzore, si në “Kthim në burime” dhe në “Moshë mitike”.

Shqetësimi i Jeton Kelmendit nuk ka pushim, mjaft të shohësh vendet ku ka ndaluar të shkruajë vargjet (Prishtinë, Volos, Lubjanë, Bruksel, Tiranë, Milano, Budapest…) apo të vësh re emrat e përmendur që shkojnë nga Ernesto Sabato te Murakami Hururi, nga Albert Kamy tek Odisea Elitis për të kuptuar që ka nevojë të mbështetet në troje kulturore solide që të mund të përhapet në total e për të mundur të lëvizë në drejtime të ndryshme me kapjen surreale të tij që ia del të ndalë fluksin e bukurisë e të dhimbjes që e shporojnë, por që i japin dhe mundësinë “të gjejë” fjalët që trashin e mbushin spërkatjet fatale të sensit e të nonsensit.

“E vërteta përhapet në ëndërr”, thotë në një pikë të caktuar, e kur, me ekuilibër e forcë, bashkon poezinë qytetare me atë dashurore, Kelmendi gjen thekse rigorozisht të arrira, poezi të lartë, do të thosha dhe solemne, nëse nuk rrezikon të rilidhet me një të shkuar që bën pjesë si një rezervuar, nga i cili do t’i duhet për t’u mbushur me emocione, referenca, stimuj.

“Me ty kam ecur në teh të botës
Me dashuritë në lojën tonë tokësore.
Në takimet tona lindëte drita…”

Është mjaft bukur kur Jetoni prek ezoterizmin pa u ngopur nga hijeshia e së pa parashikueshmes; shumë bukur kur vena e tij surreale gjen shifrën e përshtatshme për të treguar pastërtinë e fantazisë së tij dhe e vendos brenda qarqeve të shkurtëra aderimet ideale, fermentet e shpirtit, dëshirat.

Një poet që ka ditur të rrijë genuin e i freskët në mënyrë që të shprehë cilësitë e tij pa patur nevojë të përdorë forcën e ndonjë kolektivi, ashtu siç ndodh shpesh kohët e fundit ndodh. Ai zotëron botën e tij, mënyrën e tij të deshifrimit dhe zbatimit të ngjarjeve poetike dhe për këtë arsye edhe kur, për shembull, i referohet në mënyrë specifike moduleve që tashmë përdoren si titulli “Dashuria në kohë lufte”, duke iu referuar qartë një libri të famshëm të Gabriel Garcia Marquez-it, gjithmonë arrin të krijojë me origjinalitet dhe arsyeja është e thjeshtë: të zotërurarit e “thellësisë”, siç ka thënë më se një herë dhe e zotëron për të paralajmëruar peshën e njohjes, jo që të distancohet nga realiteti.

Është plotësisht e vërtetë,

“Mes të tashmes e të shkuarës
Nuk ka veçse një presje
Së cilës i drejtohet fjala”.

Dhe ajo e Jeton Kelmendit është një fjalë autentike, pa zvarritje dhe tejkalime letrare, të farkëtuara nga zjarri i së përditshmes, të përjetuar gjatë udhëtimeve, gjatë leximeve, gjatë spazmave të dashurisë.

 

______________________

*) Dante Maffia është poet, shkrimtar dhe kritik letrar Italian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles