Number of visitors on page:

N/A

Fotoja e errësirës e Umid Najarit Nga Dr. Bujar Tafa

Page Visitors:

N/A


Fotoja e errësirës 
e Umid Najarit

Nga Dr. Bujar Tafa

Nëse poezia kuptohet si një ikje për të gjetur shpëtim nga një realitet i caktuar, atëherë ajo, gjithmonë i kalon kufijtë kohor e kufijtë gjeografik.
Ajo bëhet e përbotshme. Kështu poetët, në atë ikje të supozuar, e gjejnë shpëtimin, e gjejnë një strehë dhe një derë dalëse për atje ku shpresojnë se gjendet
shpëtimi. Kjo ndodh gjithmonë aty ku shkruhet poezia e aty ku jetojnë poetët. Në këtë drejtim poezia e shfaqë atë natyrën e vet fisnike e të mrekullueshme, zotësinë e saj për të mbretëruar mbi çdo gjë që ekziston. Si e tillë poezia del në sipërfaqe sikur një urë lidhëse e si një fushë ku bashkohen të gjitha ato ëndrra dhe shpresa për një botë më të
mirë e për një botë më njerëzore. Shpëtimin në poezi poeti Umid Najjari e gjen herë në fluturimin e zogjve e herë në formën e përsosur të luleve e herë
në pulëbardhat në det. Ai shpëtimin e gjen veçmas në sytë, në sytë që pasqyrojnë shpirtin e që shohin të bukuren. Këto janë kryesisht ato adresat poetike të
cilat poeti shpesh herë i viziton me imagjinatën e tij krijuese. Në rastet kur realiteti jetësor është i mbushur me kundërthënie e me brenga, e që kjo ndodh shpesh, poeti gjen shpresë në to.
Nevoja për një strehë shpirtërore, për një siguri e qetësi njerëzore shprehet në poezi të
ndryshme. Diku ajo theksohet me figura poetike të krijuara mjaft bukur, (Një atdhe i madh sa ombrella) shkruan poeti. Muret jo vetëm si objekte, por muret të
kuptuara figurativisht si tërësi, bëhen opsesion i përhershëm i poetit. Muret, si të tilla, janë të pashmangshme në rrugën e në ëndrrat e poetit. Kjo dramë bëhet më sinjifikative dhe më kuptimplote kur e marrim me mend se mure të tilla në rajonin ku
jeton poeti ka shumë. Kemi parasysh rajone me konflikte të vazhdueshme, konflikte edhe aktive edhe të ngrira. Mure që ndajnë njerëz e që ndërprejnë komunikimet, mure që sjellin fatkeqësi, që pamundësojnë ëndrrat e shpresat e njerëzve në aspiratat e tyre. Mure që i ndërtojnë njerëzit me baza herë ideologjike, herë nacionale, religjioze e çfarëdo
qofshin ato. Mure të dukshme dhe mure të padukshme e që burojnë, herë herë, edhe nga
stereotipet që ndërtohen e shtresohen në mentalitete të kulturave të ndryshme.
Përgjithësisht këto janë ndalesat që nxisin poetin të meditojë e të ëndërrojë për një botë pa mure, pa ndalesa, ashtu siç fluturojnë zogjtë të pakufizuar e të papenguar në qiell.
Këto poezi, në tërësi, bartin në vete motive e shenja tipike për trevën nga vjen poeti. Luftërat, kufijtë e mbyllur, revoltat e kundërshtitë në shoqëritë e atyre rajoneve, në këto poezi, janë motive të zakonshme;
Mungesa e krahëve më bën pa gjumë natën…
Ngrini kapelat tuaja, zhvishni mbulesat tuaja fetare,
Dhe
Para se të harroni, digjni pëlhurat tuaja shumëngjyrëshe,
digjni ato, Për ngrohjen e duarve të fëmijës.
(Një zë nga lumi)
Këtë revoltë poeti e përforcon te poezia tjetër, që ndoshta mund të jetë më emblematikja e këtij konceptimi (Duhet të jetosh) që në fakt, tingëllon si një himn për të bukurën, për shpresën e për dashurinë. E tillë për nga përmasat e ëndërrimit të së
bukurës dhe përplasjes së shpresave e ëndrrave më realitetin ekzistues është edhe poezia Vajza e vogël. Muret, zogjtë, sytë, gjethet, nata, etj., janë fjalë që poeti i përdorë në vazhdimësi. Përmes këtyre fjalëve, që në poezi janë me ngarkesa të
fuqishme figurative, poeti e shtrinë dhe e zgjeron rrëfimin e vet poetik, herë përmes ëndrrave, imagjinatës e herë përmes soditjeve të botës përreth.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles