Number of visitors on page:

N/A

Liber I ri nga Prend Buzhala

Page Visitors:

N/A

Ju paraqesim botimet e reja:

Nga Jeton KELMENDI

SECILI NJERI E BART ME VETE MURIN E VET TË MUNDIMEVE

Këto ditë doli nga shtypi libri poetik i autorit Prend Buzhala, me titullin “Muri yt i mundimeve”, në botim të Lena graphic, Prishtinë. Autor i mbi 50 vëllimeve me kritika letrare, studime, monografi letrare e ese, autor i trembëdhjetë librave me poezi, i tetë librave me tregime e romane, i tre librave publicistikë-dokumentarë dhe i pesëmbëdhjetë librave që i ka përgatitur për botim; Prend Buzhala vjen me këtë vëllim serioz poetik, tashmë pas një përvoje të gjatë e të pasur krijuese në shumë fusha të krijimtarisë e të shkrimit. Nuk është e rastit, përse, duke u marrë me shumë forma të shkrimit letrar e diskursiv, ai në poezinë e tij e materializon edhe enciklopedizmin e tij letrar e studimor në poezi.

1. Dashuria shemb mure

Zaten, këtë a sugjeron edhe titulli i librit, si asociacion biblik i Murit të Vajtimeve, simbol vuajtjesh, pelegrinazhesh te vendi i shenjtë a te memories historike. Këtë e ka secili njeri, si qenie më vete dhe secili komb. Secili njeri e ka murin e tij të papërvojave të dhimbjes e vuajtjes. Te ai Mur ai ndalon, lutet, shpreh psherëtimat e kërkesat e tij, nderimet e blatat e tij. 

Por ndryshe e kanë edhe shqiptarët këtë Mur, mur të gjallë. Së këndejmi, edhe lirika e këtij vëllimi, është një kronikë e gjatë vajtimesh që nga kohët e Ilirisë. Por autori thotë:

Nuk ke kohë të meditosh thellë

përballë një horizonti të errët.

As të shenjtërosh s’ke kohë:

iu prin vetmitarëve, më të madhes kolonë në botë.

Mund të gjesh një çast

vetëm ta dhurosh murin tënd të mundimeve.

Për ta shembur sërishmi për tokë,

sepse dashuria shemb mure.

Është cikli i pestë që e mban këtë titull, sipas poezisë me të njëjtin emërtim.

2. Struktura e librit: temat, idetë e motivet

Këto shtatë cikle poetike, sa ka libri me rreth 260 faqe, mbajnë edhe një referencë lirike-estetike: cikli i parë “JEZUSI NUK ËSHTË KËTU T’I QORTOJË GURËHEDHËSIT (Çaste lirike me rishkrimin e Librit të Mëkateve)”, ngërthen lirikat me një tension dramatik të jetës së individit nëpër rropatjet personale, të ekzistencës, të historisë dhe të përplasjeve me ndeshtrashat e jetës së sotme. Cikli i dytë “VARRET QË LËVIZIN (Çast lirike me pusin e këngës  pranë monumentit të Fishtës në Shkodër)”, janë lirika të poezisë mbi poezinë, mbi aktin e frymëzimit, mbi aktin krijues e semantik të fjalës, apo, siç thuhet ndryshe, ky është zhanër i metalirikës. Sipas shembëllesës së lashtë, askush më mirë se sa vetë vargu poetik nuk mund ta shqiptojë t’i qaset fenomenit të frymëzimit e të këngës, se sa vetë poezia për vetveten:

Kur muza ta heq tepen e kresë

thotë: kjo është poezi.

Është qenie që lind te ti njëherë

e mandej merr forcë

për të mos vdekur kurrë.

Këtë fenomen e shqipton më thellueshëm poezia “Pusi i këngës”, e thuru me ritme e rimë dinamike, lëvizëse:

Pas Fjalës duke vrapuar

e zura atë mes Tokës e Qiellit

të kryqëzuar e të stërmunduar

nga vetëtimat

e bubullimat,

mes jetëve

të pjekura

në varre,

mes jetëve të djegura

nëpër zjarre,

jetëve të plagosura

e të brengosura.

E, në fund, mu ankua Fjala:

pse më dorëzove

në poezi?

Je ti ai

që më tradhtove.

Nuk e mora vesh

a u shndërrua fjala në pikë të lotit

a në pikë shiu,

a u bë Lot i Zotit

si pikat ngushëlluese të brengës:

që pika-pika

të mbushet ky Pus i Këngës.

Të këtij orkestrimi metalirik, janë poezitë e ngjashme si NË ZEMRËN E FJALËS (Çast lirik për përjetësinë e poetit), VARRET E POETËVE TË VDEKUR (Çast lirik pranë monumentit të Fishtës në Shkodër), FJALA SHQIPE, MBROJTJA E SHPIRTIT, KËNGA E TEJ-KOHËSISË, BOTA E NGRITUR NGA DUART E PËRGJAKURA, (Poezi që fsheh Zërin e Autorit), POETI DHE PLAGA E FJALËS etj.

Cikli i tretë “KTHIMI I LUFTËTARIT TË VJETËR (Çaste me vallëzimet buzë vullkanit)” janë poezi që dalin jashtë intimes së folësit lirik dhe rendin nëpër panoramën e gjerë të jetës, sidomos të atdhesisë, historisë, po edhe të kohës sonë. Ja disa tituj poezish që e zgjojnë këtë frymë lartësuese, po edhe esenciale, me thelbin identitetit tonë: “LUTJA E SHËN JERONIMIT NË SHKRETËTIRËN E KALKIDISË PËR TRE VJET RRESHT (Çast i përshpirtshëm lirik)”, “PËRFALJA E GJERGJIT”, “ABETARJA E GURIT (Orfeum zymian në hiret arkeologjike të Atë Shtjefën Gjeçovit)”, “GUR QË VALLËZON BUZË VULLKANI”, “DRITË E PASOSUN (Vargje për Republikën)”, “KOSOVË E ZGJUAR JASHTË KALENDARIT”, “ME KOSOVËT E SERTA (Çast i pezmit lirik)”, “PORTAT E VJENËS (Çast lirik me një skeptër të pluhurosur)”, “KTHIMI I LUFTËTARIT TË VJETËR”, “KOHË SHTATZËNË ME FLAMUR”, “DERDHJE E FRYMËS HYJNORE NGA DARDANIA SACRA (Çast lirik, kur shpirtin e ke armë për ta shembur armikun)” apo “DERI NË FLETËN E FUNDIT”. Këtu bën pjesë edhe poezia “VAJI I PËRTEJQIELLIT” që përafrohet me idenë e përgjithshme të librit e që përfigurohet si poezi e motiveve që u përmendën në fillim të këtij shkrimi prezantues.

Cikli i katërt “RITMI I ÇMENDUR (Çast me religjionin e zilisë së bukur)”, janë lirika që për unitet stilistik, ideor e motivor kanë përsiatjet në përballje me realitetin, të thurura me rimë e ritëm karakteristik, me vargje të shkurta, pothuajse me ritëm orkestrimi, kurse cikli i pestë “Muri yt i mundimeve (Çaste me kipcin e padukshëm të qenies)” është qendrori e që e përnendmë në fillim.

Cikli i gjashtë “NJË TJETËR BOTË NË KAFKË (Çaste me transkriptin e kodesh të lashta për pengjet e së ardhmes)” është karakteristik, i veçantë, me tematizimet poetike-filozofike të kategorive të realitetit, botës së dijes, botës njerëzore, botës së arteve, profesioneve e prirjeve etj. Janë refleksione e përsiatje të thella lirike, që afrohen edhe me një diskurs eseistik-lirik e sidomos meditativ, me përpjekjen për të depërtuar në thellësitë e poret e universit njerëzor, sidomos të atyre karaktereve e shëmbëlltyrave që i japin vulë secilës kohë apo që e çojnë botën përpara, gjithnjë drejt vertikaleve të përparimit, zhvillimit, artit, dijes, drejt majave të vlerave etj. Ja titujt e këtyre peozive: SHNDËRRIMET, BREDHJET, TË RËNËT, SPASTRIMET, FATET, MIQTË, TË DËNUARIT, GJUHËT, DËSHMITARËT, PYETJET, DHIMBJET (Ose çast lirik me shembjet e dhimbjes në brigjet e shpirtit), HERONJTË, SHKENCËTARËT, HERETIKËT, FILOZOFËT, PROFETËT, GJENITË dhe AKTORËT.

Cikli i shtatë dhe i fundit, me titullin “ARS POETICA NË KOHËN E CORONA VIRUS-it (Çaste elegjiake për njerëzit e lidhur me rrip sanitar)“, ashtu sikundër jepen edhe referencat autoriale, kanë poezi të shkruara gjatë një viti pandemie, me gjithë peshën e tragjikes e ngarkesat kuptimore dendësohen marrin karakter polifonik, për t’u shtrirë në thellësitë e qenies njerëzore e të realitetit të sotëm me përmasa planetare.  

3. Sistemi lirik: kërkimi i harmonisë së përsosur, i shenjtërisë së vlerave

Siç e pamë, autori mëton të sendërtojë një realitet unik artistik, një sistem unik të botës artistike, semantike dhe semiologjike, d.m.th. ku secili kapitull-cikël bart një dimension të realitetit. Shtatëshi është numër simbolik i përplotësimit, i krijimit, harmonisë së përsosur, mu si ditët e javës që e kanë plotninë e vet. Kështu, secila poezi, prandaj, ka edhe datën e vet të krijimit. Data, muaj e vite që shkrihen në një tërësi prej shtatë rrathësh. Do të thotë që, mu ashtu si vetë arti poetik, kërkohet që edhe mënyra e sjelljes sonë të jetë e tillë: e harmonizuar, e përplotësuar, që synon përsosmërinë, idealitetin, si sjellje personale, planetare dhe mbinatyrore.

Këtë numër e marrin për simbol karakteristik edhe vetë religjionet, mitet, dhe civilizimet a kulturat botërore, siç janë shtatë yjet e vedave indiane, apo shtatë kontinentet koncentrike, apo të ndërtimit të Romës mbi shatë kodra etj. Është numër që shënjon shenjtërinë e kërkuar të jetës, shenjtërinë e vlerave. Secili kapitull është një kërkim i tillë i vlerave të qenies sonë.

Kurse rrjeti i gjerë figurativ, simbolik e stilistik, po ashtu përbën realitet artistik më vete, të thurur e të krijuar me përkushtim.

Mars 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles