Number of visitors on page:

N/A

LIBRI “LIRIKË ME SHI”, I AZEM SHKRELIT Nga Petrit Palushi

Page Visitors:

N/A

LIBRI “LIRIKË ME SHI”, I AZEM SHKRELIT T.O

Nga Petrit Palushi

kopertina e librit lirike me shiPërmbledhja poetike “Lirikë me shi” është libri i parafundit i poetit të njohur Azem Shkreli, botuar së pari në Prishtinë dhe ribotuar në Tiranë në fillim të vitit 1997. Në këtë përmbledhje poetike është ruajtur lirshmëria poetike e librave të mëparshëm, madje mund të thuhet se kjo lirshmëri ka mbërritur në kuotën më të lartë. Kjo vjen prej veçantisë që përmbante opusi poetik i Shkrelit, dhe jo vetëm në librin “Lirikë me shi”, por në gjithë krijimtarinë e tij poetike të mëparshme: mendimi aktivizohej lirshëm brenda ndjenjës.

Kësisoj, poezia e Shkrelit, e menduar lirisht dhe shkruar profesionalisht, paraqitet si një nga veçantitë në poezinë moderne shqipe.

Për opusin poetik të Shkrelit, formësuar si shprehje e ndjeshmërisë së lartë, mund të thuhet se prej shenjtërisë poetike të De Radës, është një prej të paktave kapërcime estetike në poezinë shqipe, ku fjala mund të shihet si obsesion, si fuqi kreative. Në këtë pamje, Shkreli (siç do të shprehej A. Podrimja: “… njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore”).

Dy librat e parë me poezi të Shkrelit, “Bulzat” dhe “Engjujt e rrugëve”, qenë një paralajmërim i ndjeshëm se në poezinë shqipe po shfaqej një krijues me frymën e vet të mëvetësishme poetike, sidomos në dendurinë kuptimore dhe artistike si dhe në përdorimin e gjuhës. Ndërsa, prej librit “E di një fjalë prej guri” (1969) e në vazhdim, poezia e Shkrelit klimatizohet sistematikisht si e tillë, dmth., ngrihet në një kuotë të tillë cilësore ku menjëherë mund të hetohet ligjërimi autentik dhe interpretimi poetik. Dhe, interpretimi poetik, merret në këtë rast, jo në kuptimin e interpretimit të një pjese artistike (psh. në fushën e teatrit), por në mundësinë që ofron vetë poezia për t’u hetuar a për t’u observuar nga kënde të ndyshme. Kjo rrjedh se mbresat që rrjedhin nga leximi i tekstit janë të shumta. Por edhe për faktin se teksti përmban shumë gjëra: komunikimin e tejdukshëm artistik, pavarësisht nga denduria e figuracionit, fjalën që formësohet dhe paraqitet në variacione, hapësirën poetike të metaforizuar.

Gjithsesi, poezia e tij është prezantimi më i ndjeshëm i një mëvetësie estetike të rrafshit të epërm, është lodrimi me fjalën në tërësi, si figurë dhe si mendim, është një dremitje e ëmbël nëpër metafora, siç është kompozimi artistik i një jete të plotë njerëzore, të një jete me një përditshmëri mungesash që e trishtojnë dhe e bëjnë të vuajë poetin. Do t’ish e mjaftë vetëm ekzistenca e poezisë së tij “Para elegjisë”, botuar mbi tri dekada më herët, për të dëshmuar se ç’është antologjikja e një poezie, ç’është fryma dhe harmonia poetike që e mban të gjallë atë dhe si mund të funksionojë një poezi si e tërë.

Për sa u parashtrua më sipër, mëvetësia estetike është veçantia më dalluese e poezisë së Shkrelit dhe një gjë e tillë vihet re në krejt poezinë e tij.

Azem Shkreli

Lirshmëria poetike

Në librin “Lirikë me shi”, sidomos në poezitë: “Drita e ndarjes”, “Madërgonë e ferrit”, “Homazh”, “:Fytyra e dytë e gjërave”, “Psalm Për Kosovën”, “Lirikë për lirinë”, etj. krijohet një komunikim estetikisht i pastër dhe gjallërohen nuanca të shumta stilistiko – semantike. Nuancat e tilla i japin kompozimit artistik praninë e ngjyrave që ndërrohen harmonishëm dhe krijojnë imazhe të shumta vezulluese. Natyrisht, imazhet janë vezulluese, por poeti realizon edhe portretin individual e kolektiv të shqiptarit, ku, sipas poetit: “ Kohë e historishme sa herë na vonohet”.

E gjithë lëvizja poetike e librit “Lirikë me shi” mund të kundrohet lehtësisht. Duke qenë poezi e metaforifikuar, metaforifikimi s’e ka penguar lirshmërinë që përmban në vetvete poezia. Ndërsa, kur themi se poezia e Shkrelit në librin “Lirikë me shi”, por jo vetëm në këtë libër të tij, ka mbërritur në kuotën e lartë të lirshmërisë, kjo ka të bëjë me lirshmërinë e vetë tekstit në komunikim me lexuesin. Lirshmëria në këtë rast vjen prej formës së ndërtimit të poezisë, të harmonizimit të mjeteve stilistikore, që mund të thuhet se përbëjnë një ansambël figurash, të këndvështrimit poetik, të fuqisë medituese, të fuqisë shprehëse, etj.

Larmia e modelimeve poetike

Poezia e Shkrelit modelohet përmes vargjeve të çrregullta dhe ato të rimës. Në librin “Lirikë me shi”, poezitë e modelimit të parë përbëjnë pjesën më të madhe të librit, por në të dyja rastet, vërehet përsosja e formës ose tendenca për kah përsosja e vazhdueshme. Kjo do të thotë se konstrukti poetik i librit në fjalë është i përpunuar dhe i latuar deri në imtësi. Si poezi që vjen prej frymës së parë, si poezi e refleksit të atypëratyshëm, ajo shtresohet kryesisht brenda lirshmërisë poetike: harmonia e brendshme aktivizon ndjeshëm rimën, ritmin, tensionin ndërmjet vargjeve dhe i funksionalizon ato në përshtatje me konstruktin e përgjithshëm të poezisë.

Përsa i përket poezisë me varg të çrregullt, përgjithësisht vargu e pëson thyerjen dhe siç është vërejtur më heret nga kritika, vargu i parë shtrihet deri në gjysmën e vargut vijues. Rrjedhimisht, vargu i parë në këtë lloj shtrirje, gjen hapësirë të mjaftueshme deri diku në vargun vijues. Zhvendosja e vargjeve kësisoj nuk kalon pa u vënë re (vargu thyhet, por thyerjen e ndjek pas ritmi), mbasi ritmi i brendshëm merr më tepër fuqi përmes këtij ndërtimi dhe njëkohësisht e shton dendurinë e mendimit edhe në vetë vargun. Për këto arsye, mund të thuhet se poezia është e ndërtuar me vargje rrjedhëse. Kësisoj, e gjithë poezia pëfshihet në rrjedhjen e plotë ose në rrjedhjen pa ndalesa: vargu i parë montohet në vargun vijues, e kështu me radhë, vargjet shpalosen njëri pas tjetrit dhe në lidhje të ndjeshme ndërmjet tyre.

Në anën tjetër, poezitë që përmbajnë vargje të rimës, ose poezitë që u nënshtrohen rregullave që përmban vetë ndërtimi i tillë, mund të thuhet se përmbajnë një ëmbëlsi më produktive. Aty mendimi rrjedh më lirshëm, ritmi i brendshëm poetik merr vijueshmërinë ngjitëse, ndërsa teksti në tërësi është lehtësisht i përceptueshëm. Në këtë libër janë vendosur 13 poezi të ndërtimit strofik dhe, si në këto lloj poezish, ashtu dhe në të tjerat për nga lloji i ndërtimit, është krijuar një labirinth artistik, brenda të cilit formësohet një mendim cilësisht i kultivuar. Psh. mund të marrim një pjesë të poezisë “Madërgonë e ferrit”, ndër krijimet më të spikatura të librit, ku mund të thuhet se poezia modelohet vetëm në shtratin e vetvetes.

“Yjet dhe poetët nuk i tremben zjarrit

Kur përzjarren, kur gugëzojnë si fëmija

Është bar i hidhur, madërgonë e ferrit

Me qumësht të saj ngaherë mëkohet poezia

Me këtë bar poetët mjekojnë nëpër botë

Ka dhe ndonjë sëmundje që ndodh të shërohet

Dikush merr një pikë, dikush merr një gotë

Barërat, mjekët vdesin, jeta jo, jetohet”.

Në vargjet e mësipërme vetvetiu lind hapësira poetike dhe kjo, jo se krijohet prej distancës së jashtme që paraqet vetë poezia (yjet – poetët), por prej gjallërimit të idesë së universializuar: jeta merr frymëmarrje pikërisht në përditshmërinë e saj. Poezia e Shkrelit mbetet e profilizuar tashmë si poezi që vjen prej ngacmimeve të shumta të shpirtit: poeti komunikon natyrshëm përmes mendimit të lirë dhe racional.

Në vrojtimin e poezisë

Poezia e këtij libri do vrojtuar në shumë anë. Është vetë ndërtimi i poezisë që kërkon një mundësi të tillë leximi dhe observimi të shumanshëm: me pak fjalë lind shumëkuptimësia dhe rrjedhimisht mund të lindin edhe përsiatjet e shumta. Në këtë lloj ndërtimi poetik, pa dyshim që duhet vëzhguar teksti dhe nënteksti. Kjo ndodh se vetëm pas leximit lindin apo formësohen imazhet, lind vetvetiu kërkimi shqetësues dhe detyrimisht kërkohet një lexim i dytë, një lexim plotësues. Kjo gjithashtu mund të shpjegohet me mbresat që lë tek lexuesi vetëm poezia që vjen prej natyrshmërisë së krijimit dhe jo prej sforcimeve të jashtme apo prej parapërgatitjeve artificiale për të shkruar poezinë. Në poezi të tilla, do të thonim, mungojnë fjalët e tepërta ose fjalët jashtë poezisë, jashtë tekstit letrar.

Është për t’u shënuar se në librin “Lirikë me shi’, si pjesa më e dukshme prezantohet denduria stilistiko – semantike e tekstit. Me gjithë këtë denduri stilistiko – semantike, teksti mbetet i perceptueshëm dhe gjallëron vazhdimisht aftësinë komunikuese. Lexuesi mund të meditojë ndaj tekstit, por denduria kuptimore dhe kombinimi i shpeshtë i figuracionit prej poezisë në poezi, s’e pengon kurrsesi të përthithë vlerat kumtuese të poezisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles