Number of visitors on page:

N/A

Muharrem Kurti boton librin e ri me tregime "RRËFIMTARI QË DARAVIT MJEGULLAT"

Page Visitors:

N/A

RRËFIMTARI QË DARAVIT MJEGULLAT
Nga Qazim Shehu

Poeti dhe prozatori Muharrem Kurti, me nervin e tij tregimtar plot sharm, me rrjedhën e narrativës impulsante, vjen sërish me një vëllim me tregime, të cilat, për nga
subjektet dhe personazhet e mbi të gjitha, për nga shqetësime e problematika, përbën një ngjitje në krijimtarinë e tij, si dhe një arritje e shprehje të këmbënguljes artistike për ta përsosur mënyrën e rrëfimit. Pas disa romaneve të suksesshme me temë Kosovën e
luftës dhe të paqes, autori është edhe po në këtë libër, në këtë vijimësi shqetësimesh e trajtesash plot sharm. Në prozën e tij mund të lexosh fatin historik të një populli të martirizuar, të individit që ndodhet në morsën e rrethanave ngushtuese deri në zgrip ekzistencial. Ka gjithmonë një zymti e cila është zymti e kohës, dalin në
pah mjaft dilema dhe këmbëngulje, përvijohet koha dramatike pasqyruar me një realizëm të thekur. Kjo, se rrëfimtari është dëshmitari i atyre kohërave dramatiketragjike, por edhe heroike. Ai vetë e ka vuajtur burgun serbosllav, luftën, mbresat janë shkëndijuar në kujtesën e tij emocionale si gjithëherë si e pashuar, që nuk është e largët, ende jehojnë në të klithmat e të vuajturve, e të përzënëve, e të plagosurve dhe e të vrarëve.
Duke qenë një kronikan i vëmendshëm e vëzhgues aktiv, ai nuk mbetet deri në këtë cak, që ç`është e vërteta e përmbush, por edhe e zgjeron më tej optikën e shikimit,
kur jetën e transfiguron në materie artistike dhe teksa e lexojmë prozën e tij, ne sikur ndodhemi në ato mjedise burgjesh, rrugësh e sheshesh, të cilat vijnë përmes imagjinatës artistike të autorit aq të gjalla dhe të larmishme.
Populli i Kosovës i theu shigjetat e synimeve asimiluese të armikut me parzmoren e gjoksit të tij, ai mbajti të gjallë flakën patriotike të të qenit kombëtar, por syri i artistit depërton më thellë, pikërisht tek ata njerëz që u thyen, që u bënë puthadorë, ose tek ata njerëz që gjetën një mënyrë të hakmerreshin në çfarëdolloj forme.
Vështrimi realiast i autorit shkon në të gjitha pamjet e shoqërisë, psikologjisë, evidenton dhe konkludon. Është meritë e autorit të krijojë një hero kolektiv, ku gjejmë tiparet më të mira të qëndresës, solidaritetit, të etnisë së një populli dhe kjo, në pak faqe, sepse proza e
Kurtit është mjaft sintetike dhe domethënëse. Brenda kësaj ideje dhe teknike të rrëfim –përshkrimit, gjejmë edhe alteregon e autorit, njëjtësimin e tij me fatet e një mase të
gjerë njerëzish që u ndodhën në syrin e ciklonit të përbindshit shovinist.
Tregimet me subjekt në këtë libër janë mjaft interesante. I ndërtuar me një teknikë të tillë si tek “Dekameroni” i Bokaçios, ku një grup shkokësh për t`i shpëtruar murtajës largohen nga Firence dhe për ta risjellë jetën fillojnë e tregojnë nga një rrëfenjë, edhe autori
Kurti i thur në disa tregime të tij disa fabula mjaft interesante. Të ndodhur në burgjet serbosllave, shokët e qelisë për t`u lidhur me jetën fillojnë e tregojnë ngjarje e
ndodhi të ndryshme. Pikërisht, atëherë kur jeta mungon, ajo bëhet më e shtrenjtë, më e vlefshme. Një nga tregimet më të bukura (antologjik) është tregimi “Sherrmiri”.
Leximi i këtij tregimi ta sjell vetiu humorin, ambientin etnografik, gjuhën e gjallë të popullit, konvencën dhe metaforën e jetës, bukurinë që, edhe pse rri në kujtesë, ajo duket se është aty dhe përjetohet prej teje. Tregimi, i ndërtuar me teknikën bokaçiane (kjo një koinçidencë), mbart notat e humorit dhe të sensualitetit, të nëntekstit, të
befasisë dhe ngrohtësisë. Ndërsa tregimi tjetër:
”Hakmarrje prej dashurisë”, i ndërtuar po me të njëjtën teknikë, është po kaq i qëlluar, por veçse i ndërtuar dhe i shtrirë përmes një satire të mprehtë, ku personazhi tregon
sesi u hakmor ndaj tradhtarit, syqenit-spiun, Soron Gora, duke i shtënë në dorë gruan. Ky tregim me nota të theksuara natyraliste e shpreh bukur idenë se janë disa
njerëz impotentë që, për të kompesuar atë çka natyra u lë si mangësi, bëhen të ligj dhe mangësitë i mbushin me prapësi e poshtërsi të neveritshme. Nota humori dhe satire
mbart edhe tregimi “Memecëritë e të akuzuarit”, ndërsa rastet nga jeta mblidhen e seliten nga përvoja e mençuria popullore, ashtu si edhe tregimi: ”Nipi i Ramë Zeqirit
qenke?”, ku autori me autencitet rrëfimi na jep një kohë të burrave të mire, që dinin të jepnin vetëm paqe dashuri dhe ngrohtësi.
Subjektet e qëmtuara me kujdes, të organizuara me zgjuarsi dhe duke ruajtur masën e rrëfimit, dhe lidhjen organike të episodeve, janë një tjetër veçori e pjekurisë
rrëfimtare të këtij prozatori të pjekur dhe me përvojë të gjatë pas disa romaneve që sjellin tablo të gjera. Edhe pse të shkurtra, ato mbartin një dendësi të madhe të mundësisë
së shprehjes e rrezatojnë me një ngrohtësi lirike të admirueshme.
Po ashtu, autori ndërton aq bukur tregimin me nuanca pamfletiste, tregimin filozofiko-satirik, tregimin e shprehjes me nota të forta evokative. Këto janë tregime
idesh, tregime të forcës së fjalës dhe të shtrirjeve mesazhore, të organizuara jo mbi bazën e ngjarjes, po më shumë mbi rrjedhën e mendimit. Tregimet:
”Shkombëtarizimi”,”Përralla e bregdetit të Durrësit”,”Manipuluesit”,”Tjetërsimi i Artit”,”Letra
mërgimtarësh”,”Policia e robërisë dhe e lirisë” etj, janë tregime-ide, përcjellin kumte dhe pamje të gjera të realiteteve të ndryshme. Vëzhgimet e zgjuara të autorit na
japin mjaft pamje të shumëfishuara të realiteteve konkretekombëtare, të robërisë, lirisë, të anarkisë, korrupsionit, dhunës, shtetësisë dhe ndërgjegjësimit të amullt për një
standard modern. Me një penë të mprehtë koniciane, me zhdërvjelltësi fraze dhe elokuencë mendimi, autori duket se është një njohës i mirë i realiteteve soc-psikike-politike
të mendësisë së sotme. Këto janë tregime konvencionale, shenjojnë dhe përcjellin një atmosferë të mpirë, të mjegullt, që herë dendësohet e herë shpërndahet dhe
mblidhet sërish si në një lojë.
Në këto tregime të shkurtra, autori përcjell ndjesi intelektualiste, mendime të thekshme, ironizon, satirizon, moralizon pa një moral artificial e bajat, duke i bërë
thirrje shoqërisë shqiptare që të shkundet nga mendësitë e vjetra e të kapë trenin e modernitetit, të sinqeritetit, të jetë më syçelët ndaj hajnave dhe kameleonëve politikë, të
njohë vetveten dhe të kuptojë se realizimi i saj si shoqëri nuk mund të arrihet vetëm se nëpërmjet rrugës të së vërtetës, të besimit dhe duke u përjekur t`i zhbëjë rriqnat,
ushunjëzat e klasave politike të korruptuara e duke zgjedhur në vend të tyre elita të pastra e të afta. Idetë që përcillen në këto tregime përmes materies artistike të tyre
ta kujtojnë “Studentin në shtëpi” të Migjenit, novelën e famshme, ku, në fund të tregimit personazhi, thotë”. Prandaj shoqëri, në do të ecësh përpara, hiqi bragashat
(maskat)”. Liria nganjëherë bëhet një barrë edhe kur ajo nuk është e tillë, sa herë që vlerat e saj përdhosen prej veseve dhe hendeqeve sociale, sa herë që ajo shkon në anarki,
babëzi apo justifikime e gënjeshtra të tjera, duke e shkërmoqur institucionin e saj, që është ndershmëria, drejtësia dhe puna, dhe jo hajnia, mashtrimi e pervesiteti.
Këto janë tregime ku personazhi konvencional e shkrin unin e tij dhe bëhet përfaqësues. Ai është një personazh shënues. Në tregimin “Përralla e bregdetit të
Durrësit” autori bën një prerje dhe një piktakim midis dy kohëve: koha diktatoriale dhe ajo postdiktatoriale, kohën e kufizimit dhe të shpërdorimit pa kufizim. Është një tregim
i shkruar me njohje të thellë të dy epokave, që përcjell në detaje gjithë atë marrëzi të survejimit komunist dhe anarshi të lirisë së shpërdorimit. E po kështu, në tregime të
tjera të këtij formati konceptual që përcillen përmes një gjuhe të rrjedhshme rrëfimtare, e shohim dhe e kuptojmë më së miri këtë njohje, gjë që dëshmon faktin se kur njihet
mirë realiteti, atëherë edhe vepra lind pa vështirësi.
Autori daravit (shpërndan) mjegullat e kohërave, të cilat kanë qëndruar mbi rrafshnaltat e ndërgjegjes kombëtare herë si shtëllunga të mllefeve shoviniste, herë
si tymra luftërash ku nuk të kanë dhënë mundësinë as të numërosh të vrarët, herë si perde dramash të mëdha. Si i daravit? Prej dramash të mëdha, ai nxjerr thelbin e
mësimeve, që është të kuptuarit e jetës vetëm prej qenësisë kombëtare, prej traditës, prej modernitetit evropian e prej së mirës e së bukurës, larg të shëmtuarës, hajnisë,
antikombëtares dhe veseve të ulëta që domosdo e shpien shoqërinë në rrënim. Shoqëria shqiptare këtej e andej Drinit, ka nevojë të nxjerrë mësime prej historisë që s`ka
qenë përkëdhelëse për të, prej vetvetes, dhe të ringrihet me vlerat më të mira të trashëguara e duke parë nga e ardhmja evropiane.
Tregimet e Muharrem Kurtit krijonë një befasi të këndshme për shkurtësinë lakonizmin dhe forcën e ndjenjës. Ato burojnë dhe rrjedhin përmes një rrëfimi të qartë, prej një frymëzimi gati poetik dhe ndërtojnë e frymojnë një poetikë të botës ndiesore më të mirë të
individit shqiptar. Këto tregime, edhe pse realizohen e shprehin një kohë të zymtë, nuk janë të zymta, por me dritë dhe me ngrohtësi sepse ngërthejnë dashurinë për
lirinë, për jetën, për të mirën e të bukurën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles