Number of visitors on page:

N/A

Peja në Pesë të Mëngjesit: Poezie kushtuar babait nga Jeton Kelmendi

Page Visitors:

N/A

Peja në Pesë të Mëngjesit
Për babin tim

Qyteti në gjumë;
Nata dhe njerëzit po flinin,
Heshtja po pushonte
Nga lodhja e ditës së djeshme;
Kështu nisi të zbardhë dita në Pejë,
Qyteti po mbërrinte në pesë të mëngjesit.

Më 12 Prill
Jo çdo ëndërr kallëzohet lehtë.
Dikush ëndërron pranverën,
E dikush tjetër po i mbyllte të gjitha
Kallëzimet, dëshirat për veten,
Për të bërë këtu e tutje gjumin pa ëndrra.

Edhe unë kam qenë fjetur
Dhe në ëndërr,
Paskam parë babin duke shkuar
Në bjeshkë,
Edhe pse herët ishte për bjeshkë.
Babai,
Gjithmonë ka qenë i hershëm
Por kësaj radhe tepër herët
Ishte zgjuar,
Për të kaluar Urën që lidh
Këtë botë me atë tjetrën.

Në Rugovë
Burrat vdesin hijshëm
Se ashtu i mëson natyra,

Kështu thoshte baba,
Kur fliste për fistarët e fisit vet.
Ata i kryenin punët
E jetës,
Pastaj parakalonin nëpër zemra
Dhe bëheshin amshim.

Mbaj mend babin,
Sa herë i kryente obligimet
Që ia jepte vetes,
Gëzohej
Dhe i gëzueshëm tërë ditën
Kalonte.

E premte qëlloi atë ditë,
Ndërsa baba
I heshtur si kurrë më parë,
Dorëzoi të gjitha ëndrrat,
Ra në gjumin pa ëndrra,
Atdheun të lirë
Deri diku e la,
Edhe pse me njëqind ankime.
Bijtë pranë vetes:
Kështu i ka mbyllur sytë,
Pa i parë gjelbërimet e pranverës
Baba.

Ah, pranvera
Kjo sitë e bukur,
Shpesh ia merr kuptimin kumtit,
Por kësaj radhe e mori
Babën tim.

Tani e tutje do të kemi
Më shumë mall,
Më shumë kujtime, rrëfime
Çdo gjë më shumë,
Vetëm këshilla më pak
Sepse babë s’kemi më.

12 qershor 2013, Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles