Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Anton Marku

Page Visitors:

N/A

Anton Marku  Vjenë, 9 korrik 2023

LAVJERRËSI

 

Në një cep të gjithësisë

Koha kërciti gishtat

Fjala iu kap buzëve

 

Jeta lindi

Nga barku i qiellit

 

Në tokë

U mboll njeriu

 

Puna e parë që bëri

Sapo doli nga djepi:

Pështyu përreth

 

E dyta:

Pështyu fytyrën e vet

 

Deri në gjysmë të trupit

U plak

Në prehrin e grave

 

Gjysmën tjetër e fali

Ditën që zbrazi sytë

Në gjoksin e një varrmihësi

 

Zanafillës i mbeti

Një halë në fyt

 

Të zezën e braktisi ngjyra.

 

VIJA E ABELIT

 

Të gjithë profetët e puthën

Atë trup të vdekshëm

Të ngjizur nga pluhuri

 

Lëkura e tij hyri

Në lëkurën e tyre

 

Para tij

Murgeshat njëra-tjetrës i lanë këmbët

 

Deti u bë i gjallë

Mureve të shtratit të vet u ngjit

 

Një dorë e bardhë

Nga retë shkokloi pikat e shiut

 

Edhe një engjëll

U kthye në shtëpi

 

Drita

U dha syve të ngrihej.

 

ËNDRRA BALLKANASE

Ditën që legjendat nxorën gjuhën
E nisën të flasin
Historinë e vuri në litar

Kufijtë i vendosi me grykë të pushkës
Deri aty ku binte hija e arrës
Që rrënjët i kishte në oborrin e saj
E degët në tokën e fqinjëve

Jetën e preu në besë
Për harta të dala boje

Një herë në shtatë dimra
Matë mjekrat në fytyrat e luftëtarëve të rënë
E përqeshë malësorët
Që ende i besojnë fjalës.

 

MËKATARI

 

Jetoi

Pa u bërë emër

 

Mijëra herë

Veten e zuri

Duke ia bërë të huajës me sy

 

Kurrë nuk u mësua

Të dojë diçka

Pa e prekur me dorë

 

Për t’u ngjitur lartë
Qafën e pat e shkurtër

Nata e fundit e zuri
Në një shtëpi pa letra dashurie

Diku
Një macë lëpiu bishtin e saj.

 

KAFSHUESI I MOLLËS

Para se të bëhej murg
Gjahtar fustanesh ishte
Që secilën lule e këpuste
Me prekjen e parë

Një natë
Nga ëndrra u zgjua i djersitur
Iu duk
Sikur dikush ia shkundi njërin bri

Të nesërmen
Dashurinë e trupit e hodhi në ajër

Një tjetër gjeti

Koreve të tokës.

 

NËSE

Nëse një ditë

Toka do të ngjitej në qiell

E qielli do të zbriste në tokë

Athua ku do të kishte më shumë dashuri?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles