Number of visitors on page:

N/A

Poezi nga Dije Demiri-Frangu

Page Visitors:

N/A

Dije Demiri- Frangu, është autore e 12 librave. Shkruan për fëmijë, për të rritur dhe kritikë letrare. Është profesoreshë në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, në UP “Hasan Prishtina”.

 

GËRSHËRËT I SHTYJ MATANË

më heq pak vdekje nga trupi im i gjallë floktarja

ju fut gërshërët flokëve të mi

ato shelgje të tharë bien në dysheme

vera e vjeshta e dimri që i kishin rritur bien

si cunga të djegur

bien erërat e motit që i kishin shpupuritur

vetëm që të krijonin bukuri

dhe përkëdheljet tua  mbi to, bien

si bubullimë i ndijë

pa një pa dy edhe duart e tua ranë

floktares  gërshërët ia shtyj matanë

 

Ishte shterë ajri

 

Ishte verë ishte shterë ajri

Oksigjeni ish rrallu si mendtë e plakut

Gjetheve hënës zogjve ju kish rënë tensioni

Ikona romantizmi ishin bërë

Lodhshëm unë sillja sytë  qiellit

Zhegu orkestronte turrecët

Që sitnin gjumin mbi fytyrën time

Vrastarët e vetëm të vapës

Trimat këngëtarë

Derisa  qielli hapi sytë

E re ti i veshur me shiun

E shërove ajrin shërove  sytë e mi

 

 

Gabimi i shqisave

 

shqisat gabojnë

si fëmijët

që ndërtojnë

mungesën e dordolecëve

shqisat shënojnë

në tabelën e memories

hartën e asgjësë

 

hartën

me mua e me ty

 

shqisat gabojnë

si zemra

 

gabojnë

dhe pastaj tkurren

ujë të bekuar lëshojnë

 

Du me ble një allti

 

më shtyn si era renë

në zonën e hijes

si mi i Orvellit

më han shpirtin

 

 

gur i hedhur cepave të udhës

ashti të vetmisë më bën

 

 

kufomë e madhe

e  ndjesive të harruara

seç më rri para

 

 

gjithçka duket keq

asnjanësia kullot në qiellin tonë

 

 

du me ble një allti

sall ta vras

asnjanësinë

 

Përgjasimi

 

ai druri atje

si unë është

 

merret me vetminë

e tij

 

natën frikësohet si unë

e i rritet bota

 

rrënjët nuk e di ku i prekin

as unë ku ëndrrat i kam

 

Djajtë

 

djajtë asnjëherë

nuk kanë bërë mëkate

 

ata dinë të ruhen nga

hija e vet

 

-sa më dhimbsen engjëjt

ata mëkatojnë

 

duke mbrojtur

dashurinë e përveçme

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

New Articles